Këto zgjedhje nuk kanë për të mbaruar kurrë pa një qeveri teknike për t’u ribërë

Nga Ndriçim KULLA

Masakra e zgjedhjeve e 11 majit  duhet të mbeten çështja më serioze e shtruar për zgjidhje mespërmes të gjitha proceseve të nevojshme të ndryshimit. Ja, ekipi i zjarrit që duhet; ai i lajmit, i informacionit, ai i shkrimit dhe i fjalës, ekipi më i trazuar që s’duhet ta mendojë kurrë veten “sa për të bërë një punë!”, ose “sa për të marrë një rrogë!”, më mirë të përdorim shprehjen “më mirë djepi bosh sesa shejtani brenda!”. Kundër tij të parit. Kundër “ngesë” së tmerrshme! Dhe menjëherë duhet bërë një trup i fuqishëm kështu, me fjalën mobilizuese, me një ekip të zjarrtë, së toku me ata që “sulen si shigjetë” në sulmin kundër së keqes, duke pasur aty njerëzit që e përdorin bukur fjalën, për të qenë kurdoherë ata pjesë e mobilizimit flakë për flakë të fjalës së bukur, të sarkazmës, të ironisë së thellë, konkrete e të drejtpërdrejtë, përndryshe nuk do të kemi kurrë fitore! Dhe kjo arrihet duke tubuar të gjithë njerëzit e fjalës kudo që janë, shkrimtarë, gazetarë dhe artistë!…

Zgjedhjet duket sikur  kanë mbaruar, por realiteti i tyre nuk ka për të mbaruar pa u kthyer mbrapsht prapësia e deformimit të vullnetit të popullit. Se si ato u zhvilluan, se cilat janë të gjitha ato fakte dhe ato manipulime që u kryen gjatë këtyre zgjedhjeve, është një realitet që vlen të sqarohet deri në dritën e fundit të transparencës dhe që duhet të aktualizohet përherë e më fort që të fitojë fuqinë e vet domethënëse. Për këtë duhet rikthyer sërish tek njerëzit,gjë që tash për tash nuk po ndodh si duhet. Është pikërisht kjo fuqi domethënëse ajo që duhet të na shtyjë ta riaktualizojmë atë problem madhor për demokracinë dhe të ardhmen shqiptare që na shtruan për zgjidhje këto zgjedhje. Dua ta nënvizoj fjalën ‘zgjidhje’, sepse besoj me të gjithë forcën e arsyes dhe realitetit, që vetëm duke njohur dhe pranuar masakrën zgjedhore mund të ketë ndonjëherë mundësi Shqipëria të bëjë përpara në çdo fushë.

Dua t’ua kujtoj këtë pohim në radhë të pare disa deputetëve dhe partiakëve të opozitës që dukeshin të zjarrtë në fushatë dhe tashti ndjehen si të terrorizuar, të gjitha mediave, opinionistëve dhe organizatave jo qeveritare që duken si të pushtuar nga pafuqia e zërit të tyre kundër një pushteti që i mbyll gojën çdokujt, për të kërkuar të vërtetën e zgjedhjeve me çdo kusht. Po përgatitet një dosje e stërmadhe faktesh për të gjitha shkeljet dhe manipulimet e bëra, dhe kjo duhet të shënojë një epokë të re qasjeje për çdo parti politike, për të gjithë shqiptarët përtej së majtës dhe së djathtës, pasi votimi duhet të kthehet njëherë e mirë në zgjedhje dhe  detyrim,jo blerje e shantazh siç ndodhi në 11 maj. Është përgatitur një dosje e madhe me prova të pa kundërshtueshme manipulimesh dhe grabitjesh dhe kjo duhet të jetë kambana që duhet të bjerë e të bjerë pareshtur çdo ditë e çdo natë në veshët e politikanëve shqiptarë, por edhe të gjithë ambasadorëve të çdo shteti evropian, që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për këtë masakër dhe mua personalisht sot më duken larg shumë larg sikur janë akredituar për një vend tjetër jo për këtu në Shqipëri.

Grabitja e zgjedhjeve në radhë të parë është problemi më themeltar i demokracisë së gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht interesi i një partie politike, prandaj denoncimi i pa reshtur i tyre duhet të jetë në ballë të gjithë luftës politike të PD-së. Vërtet për zgjedhjet përgjegjës janë vetë shqiptarët, por për njohjen dhe pranimin e tyre përgjegjësia në vite bie mbi ndërkombëtarët. Një konsideratë vetë-gjykuese duhej të kishte edhe ambasadori  i BE në Tiranë z.Silvio Gonzato, pasi në shumë raste është shfaqur pranë kutive të votimit si imazhi i sigurt i lirisë së votës, por që më pas sipas mendimit tim  nuk ka qenë kurrë imazhi i vlerësimit të problemeve dhe masakrës që pushteti ka kryer me të, por që rezulton me agjendën e pushtetit. Vallë ky është standardi i demokracisë që ushtrohet në vendin e tij në Itali? Vallë e tillë është mbyllja e veshëve dhe e syve si kjo që i bën provave dhe fakteve të zhbërjes së themelit të çdo demokracie: votës?! Beteja për të mbrojtur votën nga masakra e zgjedhjeve nuk ka alibi, as heshtje, as anashkalim, as diplomaci pa kuptim, ka vetëm një zgjidhje: qëndresë për ti denoncuar deri në frymë dhe detaj , protesta të pandalshme, dhëmb për dhëmb me të gjitha llojet e pushteteve, politike, ekonomike, mediatike dhe diplomatike.

Po për këtë duhen ata/ato, njerëzit e penës, jo shkarrashkruesit, jo “profesionistët” pa nerv e dembelë, duhet një xixë e jashtëzakonshme, që fjala të ndezë njeriun gri, atë që pret, do që kjo fjalë doemos të kombinohet me veprimin, protestën e fuqishme, mobilizimin, ngritjen në këmbë, energjinë, duke e zbërthyer programin jo atëherë, kur të vijë koha, por sot, me forcë, me guxim, duke ndjekur linjat e programit, duke arritur majat. Shqipëria është e jona dhe nuk duhet ta lejojmë ta bëjnë kurrë “epruvetë eksperimentesh” sesi mund të hibridizohet demokracia, rregullat dhe parimet e saj. Këtë duhet ta kuptojë mirë çdokush, së pari Edi Rama e pastaj të gjithë ndërkombëtarët.

About Redaksia

Check Also

Drejtorët pa bythë…

Nga Agim XHAFKA Këto ditë u shfaq filmi rilindas: “Drejtorë të të gjithë bashkive: Shporruni!” E …