Gjykata e Vlorës ka liruar nga burgu 27-vjeçarin Krenar Velaj nga Orikumi, duke i caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ai u arrestua pasditen e të dielës, ku sipas njoftimit të Policisë akuzohej për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Rreth orës 13:40 të së dielës në plazhin e Gjipesë në Vlorë, Krenar Velaj duke drejtuar një mjet lundrues gomone plagosi me helikat, gjatë kohës që ishte duke bërë zhytje në afërsi të mjetit lundrues, turistin gjerman shtetasin D. S., 46 vjeç.
Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë, ku burime për mediat bëjnë me dije se ka pësuar prerje të gjymtyrëve të poshtëm dhe dëmtime në shpatull.
Ai fillimisht u dërguar në spitalin e Himarës dhe më pas u dërguar me helikopter me urgjencë drejt spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Ka qenë drejtuesi i gomonoes Krenar Velaj, ai i cili e ka nxjerrë fillimisht në breg të detit të plagosurin. Sipas Policisë, mjeti lundrues që shkaktoi incidentit ishte me dokumentacion të rregullt dhe ndodhej jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te pushuesit dhe ka rikthyer në vëmendje nevojën për kontroll më rigoroz të mjeteve lundruese pranë zonave të notit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Ora News