Nuk është vetëm Silvinjo, kryesori është Edi Rama!

Nga Enver BYTYÇI

Astrit Hafizi, Sokol Kushta, Rudi Vata dhe futbollistë të tjerë me emër të Shqipërisë kanë sulmuar trajnerin Silvinjo për dy barazimet, kundër Serbisë në Tiranë dhe kundër Letonisë në Riga. Nuk e di se cila është përgjegjësia e trajnerit në fjalë të kombëtares shqiptare, për këtë rezultat. Ndoshta kritikat ai i meriton dhe në çfarëdo rrethane ai mbetet përgjegjësi kryesor. E për këtë edhe mund të dorëhiqet. Megjithatë, nëse Silvinjo dorëhiqet, ai duhet ta bëjë këtë për një arsye të thjeshtë: – Pse ka pranuar ndërhyrjet e Edi Ramës në sportin e futbollit, sidomos te kombëtarja shqiptare. Pra, ai duhet të largohet si një trajner i thyer, i lakueshëm, pra i ndikuar. Kjo është arsyeja e dështimit të kombëtares sonë. Në Shqipëri, për shkak të lëshimeve të Silvinjos ndaj politikës, në Letoni për shkak të traumës që lojtarët morën në Air Albania.

Është interesant të shohësh se si dy liderë autoritarë të Ballkanit, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq, të merren edhe me formatimin e skuadrave, edhe me përcaktimin e rezultatit. Vuçiq pati urdhëruar trajnerin dhe skuadrën serbe, që të vinin në Tiranë me datën 7 qershor e të fitonin lojën kundër Shqipërisë. Edi Rama “urdhëroi”, që loja të përfundonte 0:0. Nuk donte rezultat të barabartë psh, 1:1 ose 2:2. Sepse mesazhin donte ta jepte përmes portave të paprekura. Silvinjo iu bind verbërisht kryeministrit shqiptar. E ndërtoi lojën deri te gjuajtja e penalltisë kundër kombëtares serbe, sipas këshillave të padronit shqiptar. Në fund të fundit edhe Silvinjo nuk vjen nga ndonjë vend i pamësuar me arrogancën e lideshipit politik.

Se kryeministri Rama është prapa lojës së kombëtares sonë kundër asaj të Serbisë, kjo është lehtë të lexohet. Ai nuk ishte në stadium ditën e 7 tetorit. Nuk e pa live nga tribuna e VIP ndeshjen midis dy kombëtareve, asaj të Shqipërisë dhe të Serbisë. Nuk foli gjithashtu. Nuk përshëndeti, as uroi para ndeshjes për fitore. Diçka e pazakontë për të. Ai nuk le rast pa shfrytëzuar me qëllim që “t’i fitojë zemrat” e skllevërve të tij. Madje në distancë ndoqi më shumë spektaklin e ministrit të Brendshëm kundër tifozëve Kuq e Zi, vetëm e vetëm që ta arrijë atë që donte. E çfarë donte Edi Rama me ndërhyrjen e tij të përcaktimit të sjelljes dhe madje edhe të rezultatit të lojës së 7 tetorit në Tiranë?

Së pari, që t’i thoshte Aleksandër Vuçiq se “duhet të vazhdojmë të jemi bashkë”. Ndryshe “asnjëri prej ne të dyve nuk do të jemi të fituar”! Prandaj dhe loja duhej të përfundonte 0:0. Së dyti, donte t’i thoshte presidentit të Serbisë, se aleanca midis të dyve ishte ende në fuqi, nuk kishte pësuar krisje. Dështimi i politikës serbe në Kosovë dhe pamundësia e Edi Ramës për t’iu imponuar qeverisë së zotit Kurti, dështimi i Open Balkan dhe nismave të tjera sipas projekteve të Beogradit, e kanë tronditur disi marrëdhënien midis Ramës dhe Vuçiq. Prandaj dhe kreu i shtetit serb e donte fitoren e kombëtares së tij në Tiranë. Për t’i thënë Ramës, “Ose aktivizohu, ose do jesh i humbur”!

Së dyti, Vuçiq ende nuk e beson që sundimi dhe hegjemonia serbe në Ballkan e mbi shqiptarët ka marrë fund. Ndaj dhe “urdhëroi” fitore të kombëtares së tij. Më pas tentoi që përmes medieve të akuzonte Shqipërinë për sjellje armiqësore kundër Serbisë. Por dështoi. Ndërsa Rama “urdhëroi” barazimin. Sepse fitorja e mundshme e kombëtares sonë mund ta çonte në dëshpërim mikun e tij në Beograd. Barazimi shihej si lojë “pat”, madje barazimi me portat e paprekura e jepte këtë mesazh akoma më mirë. Dhe ashtu ndodhi. Marrëveshje xhentëlmenësh.

Megjithatë gjithë kjo strategji loje politike e jo sportive pati një të mirë. Shqipëria evitoi incidente, të cilat mund të shkaktonin konflikt, siç ndodhi në Beograd para 14 vitesh. Por edhe kjo e mirë mund të realizohej me metoda të dialogut me përfaqësuesit e Kuq e Zinjve. Jo duke i dhunuar ata. Jo duke i lënë jashtë stadiumit. Jo duke i etiketuar si “destruktivë”! Nuk ka asnjë shqiptar, me të cilin mund të flasësh me argumente e të të mos marrë vesh! Por me Kuq e Zinjtë nuk foli askush. Thjesht u dhunuan pa të drejtë, me arrogancën e pushtetit të politikës, pa përdorur arsyen e sjelljes sportive.

About Redaksia

Check Also

Edi Rama si pronari i idiotëve

Nga Tomorr ALIZOTI E gjithë fuqia e tij vjen nga vjedhja e zgjedhjeve. Shumë analistë politikë …