Kreu i PD, Sali Berisha, ka komentuar në një dalje publike gjendjen e tij shëndetësore, duke theksuar se kishte kaluar një gjendje gripale të lehtë dhe se gjithmonë i qëndron parimit të transparencës me qytetarët.
Ai u shpreh se ndryshe nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij vepron në fshehtësi dhe shkarkon zyrtarë si Komandantin e Gardës për të mbuluar lajmet, ai vetë informon publikun për çdo problem shëndetësor.
“Është e vërtetë, por unë jam transparent. Nuk bëj si ai tjetri që të shkarkojë Komandantin e Gardës pse infermieret nxjerrin lajmin. Unë një ditë po pata problem shëndetësor, unë njoftoj publikun.
Kisha një gjendje virale e cila kaloi pa asnjë ndërlikim të veçantë. Kjo është. Pra edhe njëherë. Dy standarde. U shkarkua Komandanti i Gardës, në fakt në transparencë është për këtë, por thelbi i shkarkimit të këtij është bota e krimit. Do ta merrni vesh shpejt.
Po bëhet një investigim. Por ai u shkarkua pikërisht të nesërmen e disa procedurave spitalore, në të cilat nuk pati asnjë test serioz për ato që duhet të kishte”, tha Berisha.