Koordinatori i Krimit të Ramës sqaron se përse BKH kontrolloi banesën dhe bizneset e tij

Sabina NIKA

Dy skuadra të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të shoqëruara nga efektivë të Policisë së Shtetit, kanë ushtruar në orët e para të mëngjesit të sotëm kontrolle në katër ambiente të lidhura me biznesmenin Ergys Agasi. Kontrollet janë kryer në banesën e tij në Durrës, në një apartament në Tiranë, si dhe në dy ambiente të bizneseve që zotëron.

SPAK konfirmoi se kontrollet janë kryer “në kuadër të një procedimi penal”, por pa dhënë më shumë detaje mbi objektin apo personat nën hetim. Vendimi për kontrollin është lëshuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

I kontaktuar nga “shteg.org”, Agasi konfirmoi kontrollet duke shpjeguar se Gjykata e Posaçme kishte miratuar pas dyshimeve bazuar në indicie të arsyeshme që prokuroria kishte ngritur për implikimin e tij në kontrabandën e cigareve.

“Në mëngjes më kanë ardhur agjentët dhe më është bërë me dije se ishin miratuar kontrolle në bizneset e mia, për shkak të një hetimi që lidhej me kontrabandën e cigareve. Kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj pa asnjë hezitim.” – tha Agasi për “shteg.org”.

Biznesmeni sqaroi se ai nuk është marrë nën hetim për këtë çështje dhe nuk ka asnjë vendim për procedim penal ndaj tij.

“Ndaj meje nuk ka asnjë vendim për t’u marrë i pandehur. Bëhet fjalë vetëm për kontrolle, të miratuara mbi bazën e një dyshimi të arsyeshëm për shkak të transaksionit të blerjes së një fabrike.”

Në shkurt të vitit 2025, kompania “EA Tobacco”, në pronësi të Agasit, bleu për vetëm 1 lek një fabrikë cigaresh në Librazhd. Kontrata u lidh me kushtin që ish-pronarët të shlyenin detyrime të prapambetura në vlerën e rreth 5 milionë euro.

“E bleva fabrikën sepse ishte në vështirësi të mëdha financiare dhe për ne, si kompani që prodhon cigare jashtë vendit, paraqiste interes për të ulur kostot,” – shpjegoi Agasi.

Ai theksoi se nuk kishte asnjë dijeni për ndonjë hetim penal ndaj fabrikës në momentin e blerjes:

“Në momentin kur firmosëm kontratën, nuk kishim asnjë informacion që kjo kompani ishte nën hetim. Ata vetë e ofruan për shitje për shkak të borxheve të mëdha.”

“Kërkesa jonë ishte shumë e qartë, të na dorëzohej vetëm aktiviteti prodhues – makineritë dhe pajisjet dhe jo lënda e parë. Po ashtu, kërkuam që çdo detyrim të likujdohej nga pala shitëse.” tregoi më herët biznesmeni durrsak.

Agasi tha se kishte vënë në dispozicion të hetuesve të gjitha informacionet e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes që sipas tij përjashtojnë implikimin e tij në kontrabandën e cigarve.

“Kam dhënë të gjitha të dhënat që më janë kërkuar: numrin e telefonit, llogaritë bankare dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm. Jam i hapur të bashkëpunoj deri në fund, sepse nuk kam asnjë gjë për të fshehur.”

Sipas dokumenteve të Prokurorisë së Posaçme, hetimet për fabrikën kishin nisur më shumë se dy vite më parë dhe përfshinin dyshime për kontrabandë cigaresh në bashkëpunim me struktura të administratës doganore. Autoritetet shqiptare kishin marrë edhe informacione nga struktura ndërkombëtare mbi aktivitetin e dyshimtë të kompanisë.

Fabrika ndërroi pronar në një kohë kur ndaj ish-drejtuesve të saj SPAK po kërkonte masa sigurie. Pavarësisht kësaj, Qendra Kombëtare e Biznesit pranoi regjistrimin e ndryshimit të pronësisë më 29 maj 2025, pasi kompania deklaroi shlyerjen e detyrimeve.

“Ne nuk kemi qenë të informuar për asnjë problematikë penale të fabrikës. Jemi informuar vetëm për borxhet dhe vështirësitë me tatimet dhe bankat. Për këtë arsye, për blerjen e aktivitetit kemi kërkuar edhe kreditim nga bankat,” – tha Agasi.

Më 28 maj, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi se kishte përfunduar një hetim mbi dyvjeçar mbi një nga skemat më të mëdha të kontrabandës së cigareve në Shqipëri. Hetimi zbuloi një rrjet kriminal të strukturuar që përdorte një fabrikë në Librazhd për të prodhuar cigare me regjim “Përpunim Aktiv”, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore dhe kontrabandimin e tyre në vendet fqinje dhe Bashkimin Europian.

Fabrika në fjalë prodhonte cigare që sipas dokumentacionit duhej të eksportoheshin, por në realitet ato shpërndaheshin brenda territorit shqiptar dhe më tej, në mënyrë të paligjshme, jashtë vendit. Sipas SPAK, ngarkesat shoqëroheshin me dokumente fiktive dhe nuk dilnin kurrë realisht nga Shqipëria. Humbjet për buxhetin shqiptar vlerësohen mbi 3.6 miliardë lekë (rreth 29 milionë euro), ndërsa dëmi për shtetet e BE-së arrin në 12.8 milionë euro.

Në këtë skemë ishin të përfshirë edhe punonjës të administratës doganore, të cilët, sipas hetimeve, nuk e kryenin shoqërimin e detyrueshëm të ngarkesave dhe manipulonin sistemin doganor “Asycuda World” për të simuluar eksportet. Hetimet zbuluan mbi 30 raste të ngarkesave të deklaruara për eksport, të cilat në fakt u shkarkuan në Shqipëri dhe më pas u kontrabanduan. Gjykata e Posaçme caktoi arrest me burg për 6 persona, përfshirë pronarin e fabrikës dhe shtetas të huaj, ndërsa më shumë se 20 zyrtarë doganorë janë vendosur nën masa sigurie.

Ndërkohë, gazetarë investigativë kishin raportuar për këtë aktivitet që në vitin 2018, kur një hetim i përbashkët i BIRN dhe ARIJ kishte zbuluar se fabrika Albania Tabak në Librazhd prodhonte cigare me markën “Cleopatra” për eksport, por produktet përfundonin në tregje të paligjshme si Egjipti dhe Libia. Dokumentet tregonin përdorimin e destinacioneve fiktive dhe bashkëpunim të ngushtë me kompani të regjistruara në parajsa fiskale.

Sipas hetimeve, në prapaskenë qëndronte një rrjet ndërkombëtar me lidhje në Qipro, Ishujt Virgjin Britanik dhe Vietnam, i cili menaxhonte kontrabandën e cigareve. Kompania Eques Holding Group, që zotëronte të drejtat e markës “Cleopatra” në Europë, bashkëpunonte me fabrikën në Shqipëri, ndërsa lidhje të mundshme me figura politike dhe krimin e organizuar në Shqipëri shtojnë dyshimet për mbështetje institucionale. Megjithë mohimet publike nga drejtuesit e fabrikës, provat e mbledhura flasin për një aktivitet të qëndrueshëm dhe të organizuar kontrabande që ka dëmtuar rëndë financat publike.

About Krye Redaktor

Check Also

“Komando e polumbarëve të ushtrisë shkoi në Roterdam për të nxjerrë kokainën nga anija”, deklarata…

Artan Hoxha A ma gjen ti se, cila është ajo forcë madhore, që i bëri …