“Veç një ditë anëtar i KQZ-së”

Nga Agim XHAFKA

Kam qenë dhe unë një ditë si KQZ-ja sot. Por vetëm atë ditë. Qershor qe atëherë shumë mote më parë. Po shkoja me shërbim në Korçë si gazetar. Udhëtonja vetëm me shoferin e redaksisë.

Ngiste një BÇ kineze që harxhonte 30 litra benzinë për 100 km. Ishim duke qeshur nga shakatë e njëri-tjetrit kur në Qafë-Thanë ndeshëm vargun e gjatë me çiklistë. Zhvillohej turi kombëtar nën kujdesin e gazetës “Bashkimi”.

Afruam surratin te xhami që ta shijonim më shumë garën. Por sa kapëm bishtin e vargut pamë një çiklist që ngrihej mbi shalën e biçikletës, por nuk kishte fuqi ta çonte poshtë pedalin. Gati po rrëzohej, as bëhej fjalë të ecte në atë malore aq të fortë. E njoha, qe çuni i djalit të kryeredaktorit tonë.

-Ta marrim urgjent në makinë!-i thashë shoferit.

-Je në vehte, mo?!-u çudit ai.

Por i thashë të ndalonte e të hapte krahun. Mora lehtë çiklistin, djalin e eprorit tim pra, si me qënë i sëmurë. E futa në makinë dhe në pëqi i rrasa biçikletën. U nisëm, kaluam vargun e sportistëve dhe në zbritje të qafës, buzë gjolit të Pogradecit, ndaluam ta zbresim.

-Aman, më mbani në makinë deri në Maliq,-na tha.

Ashtu bëmë. Në Maliq e lëshuam në tokë, ikëm drejt Korçës. Në darkë në tv pamë kronikën për rrethin çiklistik. I pari kishte dalë ai langaraqi, i biri i shefit që ndihmova unë. Mbante në dorë një tufë me lule dhe shpërndante puthje me dorë nga të katër anët. Rrezatonte lumturi ky triumfator i ndihmuar nga mashtrimet e mija dhe të anëtarit tjetër të “KQZ”. Të shoferit, mo. Të shoferit.

About Redaksia

Check Also

Çështja nuk është “sa janë”, por “kush janë këshillëtarët”…?

Nga Gent STRAZIMIRI Çështja nuk është ‘sa janë’, por ‘kush janë këshillëtarët’…? Janë ata që …