Nga Enton DOÇI
Gjykata administrative në kantonin e Gjenevës, Zvicër, ka vendosur të anulojë zgjedhjet për Këshillin Bashkiak në komunën Vernier, pas konstatimit të manipulimeve që, sipas ekspertizës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Siç raportojnë mediat zvicerane, hetimi zbuloi se nëntë persona kanë plotësuar në mënyrë të paligjshme 278 fletë votimi. Në vendimin e saj, gjykata deklaroi se një mashtrim i tillë “nuk lejon që rezultati i 23 marsit të pasqyrojë vullnetin e sinqertë dhe të saktë të zgjedhësve”.
Në kontrast, procesi zgjedhor i 11 majit 2025 në vendin tonë është shoqëruar me pretendime për parregullsi të shumta dhe të dokumentuara. Opozita ka nxjerrë video për të cilat pretendon se janë prova për fenomenin e njohur si “treni bullgar”, si dhe ka publikuar video të tjera ku duken disa raste të votimit të parregullt. Në raportin paraprak të OSBE-ODHIR përmenden parregullsi të tjera, si përdorimi i burimeve shtetërore, presioni ndaj administratës, shitblerja e votës, kapja e mediave etj.
Edhe procesi i rinumërimit në disa raste ka zbuluar fletë votimi me vetëm një vulë, ndonëse ligji kërkon dy. Në disa kuti rezultuan më shumë fletë votimi sesa zgjedhës që kanë marrë pjesë në votime. Janë gjetur edhe fletë votimi të papërdorura, më pak se numri i shënuar në procesverbalet zyrtare. Të gjitha këto janë të dokumentuara në procesverbalet e administratës zgjedhore.
Partia Socialiste siguroi 83 mandate në parlament, një fitore që u kontestua menjëherë nga opozita dhe u pasua nga kërkesa për hetim të thelluar të procesit.
Me pak fjalë, ndërsa në Zvicër, 278 fletë të manipuluara janë të mjaftueshme për të vënë në lëvizje sistemin e drejtësisë dhe për të rrëzuar një proces të tërë, në Shqipëri, megjithë indiciet dhe të dhënat konkrete, nuk ka asnjë diskutim në këtë aspekt.