Nga Enton DOÇI
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me hetimet ndaj tij dhe pretendimet për episode të reja që përfshijnë atë dhe ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi. Në një postim në Facebook, Meta ka mohuar çdo akuzë, duke i quajtur dizinformacione të shpërndara me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të SPAK, Altin Dumani.
Meta ka mohuar kategorikisht ekzistencën e ndonjë karte të paligjshme në emrin e tij, duke deklaruar se “asnjë akt i paligjshëm nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Shqipëri, as në SHBA e as në ndonjë vend tjetër.”
Ai thotë gjithashtu se nuk mban përgjegjësi për askënd tjetër veç vetes, duke përjashtuar nga çdo përgjegjësi edhe fëmijët e tij madhorë dhe kushërinjtë, për të cilët thotë se janë përdorur politikisht në këtë proces hetimor.
Reagimi i Metës
Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër, edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksone të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi.
Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti.
Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u kominikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti.
Akoma më të turpshme janë lajmet që qenka zbuluar një kartë e paligjshme që implikon Ilir Metën.
Asnjë akt i paligjshëm, as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër.
Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel, që nuk mund të jetë i mbyllur si “listat e mbyllura,” por do të jetë i hapur për qytetarët, ku ne do të çmontojmë akuzat e shërbëtorëve të Edi Ramës dhe ku të gjithë do t’i shohin edhe “dëshmitarët” të Edi Ramës.
𝐈𝐥𝐢𝐫 𝐌𝐞𝐭𝐚 𝐦𝐛𝐚𝐧 𝐩𝐞̈𝐫𝐠𝐣𝐞𝐠𝐣𝐞̈𝐬𝐢 𝐯𝐞𝐭𝐞̈𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐈𝐥𝐢𝐫 𝐌𝐞𝐭𝐞̈𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐚𝐬𝐤𝐞̈𝐧𝐝 𝐭𝐣𝐞𝐭𝐞̈𝐫.
Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përjegjësi për kushërinjtë e tij, pasi siç e dini një prej tyre ishte edhe mik me Charles McGonigalin, iniciatorin me kërkesë të Edi Ramës për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës edhe për çështjen CEZ-DIA edhe për çështjen Bami.
Por prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve.
Meqë jemi te lobimet dhe Kryesia e Partisë së Lirisë e ka shumë të qartë, për opinionin publik kam një pyetje: Po letërporosia për Charles McGongial, që është 4 vite i dënuar me burg, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur “me not”?
E falenderoj me mirënjohje, avokatin tim, Z. Kujtim Cakrani për mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore!