Nga Elona CASLLI
Zegjine Çaushi dhe Sara Mila janë mishërimi i faktit se zhdukja e standardit është i vetmi standard ekzistues në shoqërinë shqiptare. Drama e vërtetë është që figura përfaqësuese e gruas arrin të përfaqësohet në nivel të tillë në parlament. Në shtator këto dy gra do të kalojnë pragun e parlamentit dhe do të flasin dhe do të marrin vendime në emër të shqiptarēve.
Fatkeqësia më e madhe që ka ndodhur vitet e fundit është përhapja e mendësisë se kushdo mund të futet në parlament, a thua se parlamenti është plazh publik dhe jo një prej institucioneve më të rëndësishme në çdo vend.
Rënia e cilësisë së përfaqësimit të figurës së deputetit është dështimi më i madh i shoqërisë dhe politikës shqiptare.
E teksa sot pashë Zegjinen dhe Sarën duke dalë nga leksionet e Lektorit Xhafaj, ndërmend më erdhi figura e një drejtoreshe në X institucion në vend e cila njihej gjerësisht për zbrazëtinë e mendimit dhe mungesën e identitetit profesional, teksa dy ditë pasi Partia e kishte emëruar në atë post tha: Unë 4 vite do të punoj këtu sepse synoj për shumë më lart.”
Post Scriptum- Dhe sot, në këtë ditë të nxehtë qeshori të vitit 2025, synimet e larta të grave pa mendim dhe pa formim janë më të arritshme se kurrë.
Gazeta RD