Franc NURI
10 kritikat më të forta të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për zgjedhjet e 11 majit 2025
Raporti përfundimtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE), i publikuar më 19 qershor 2025, vë në pah probleme serioze që cenojnë integritetin dhe barazinë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Abuzimet me burimet publike, presioni mbi votuesit dhe dështimi i institucioneve shtetërore për të garantuar standarde demokratike, janë shqetësimi më serioz sipas raportit.
Në vijim, 10 problemet më serioze të zgjedhjeve sipas këtij Raporti ndërkombëtar:
1.Përdorimi i burimeve shtetërore në favor të PS
Partia në pushtet përfitoi në mënyrë të jashtëligjshme nga faljet e gjobave, aktivitetet e rëndësishme zyrtare para zgjedhjeve, dhe përdorimi i infrastrukturës publike për fushatë, duke dëmtuar ndjeshëm konkurrencën politike dhe garën e barabartë mes subjekteve zgjedhore.
- Blerja e votës dhe presioni mbi votuesit
Format e zakonshme të blerjes së votës (para, kredi pa interes etj.) dhe presion ndaj punonjësve të administratës (telefonata, inspektim, kërcënime) gjatë gjithë fushatës, demaskojnë një mungesë thelbësore të lirisë së votës në Shqipëri.
- Parregullsi serioze gjatë ditës së votimit dhe numërimit të votave.
Në 11 maj u evidentuan shkelje procedurale të shumta: cenim i fshehtësisë së votës, prani e paautorizuar individësh në qendra votimi, ndërhyrje nga përfaqësues partiakë, si dhe mungesë transparence në numërim, shkelje sdandardesh të cilat sipas Raportit, çuan në një proces të dobët institucional.
- Dështimi i SPAK, Prokurorisë dhe Policisë për të parandaluar krimet zgjedhore
Mekanizmi institucional i krijuar për bashkëpunim modis SPAK, Prokurorisë dhe Policisë, nuk reagoi në kohë ndaj blerjes së votës, presionit dhe ndërhyrjeve kriminale, duke dështuar në mbrojtjen dhe vijimin e ndershëm të zgjedhjeve.
- Ndikimi i krimit të organizuar dhe rrjeteve klienteliste
Raporti evidenton investigime për ndërhyrje të organizatave kriminale dhe rrjetesh patronazhistësh, të lidhura me strukturat lokale të Pushtetit, që kanë krijuar skema sistematike të manipulimit të votës në komunitete banorësh të shumtë.
- Manipulimi i informacionit dhe censura në media dhe rrjetet sociale
Pronësia e medieve është përqendruar te aktorët politikë, ndërsa rrjetet sociale funksionojnë pa rregullim. Ndalimi i TikTok perceptohet si instrument për heshtjen e opozitës, duke e bërë fushatën një “fushë informacioni” të njëanshme.
- Mungesa e garancive për zgjedhje të ndershme sipas standardeve europiane
Në mungesë të një mjedisi politik të barabartë, ku kandidatë alternativë dhe të pavarur përjashtohen, zgjedhjet zhvillohen në një atmosferë ekstreme ku “fituesi i merr gjithçka”, pa hapësirë të vërtetë për debat politik, pluralizëm dhe dialog demokratik.
- Problemet me votën e diasporës
Megjithëse pjesëmarrja e diasporës përbën një risi pozitive që ndodh për herë të parë, problemet logjistike dhe ligjore (vonesa postare, afate të ngushta, numërim manual) kanë kufizuar pjesëmarrjen e votuesve, duke kompromentuar efektivitetin e procesit të përfshirjes së votuesve nga jashtë vendit.
- Politizimi i administratës zgjedhore në nivelet e ulëta
Emërimet e anëtarëve të komisioneve vendore nga partitë, dobësuan trajnimin dhe organizimin, duke shkaktuar vakum operativ dhe probleme gjatë ditës së votimit.
- Problemet në raportimin dhe financimin e fushatave
Transparenca financiare është e dobët: shpenzimet nuk monitorohen mjaftueshëm, mungojnë sanksionet për shkelësit, dhe strukturat përkatëse nuk kontrollojnë me efikasitet burimet financiare. Kjo i lejon partitë me financa të paqarta të dominojnë fushatën, duke cenuar konkurrencën.