Vokshi denoncon masakrën elektorale në KiE: U kërcënova së bashku me vajzën nga kriminelët ditën e zgjedhjeve

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës vuri në pikëpyetje demokracinë bazuar në zgjedhjet e 11 Majit. Në raportin e lexuar në sesionin e sotëm u ngrit alarmi mbi përdorimin e pushtetit nga qeveria e Edi Ramës, presionet ndaj administratës nga Patronazhistët, lidhjet me krimin apo frikësimin e votuesve.

Në fjalën e saj deputetja Albana Vokshi tha se në zgjedhjet e 11 majit u shënua masakra elektorale më e madhe e të gjitha kohërave. Në një moment Vokshi u prek emocionalisht kur rrëfeu se në Vorë ditën e zgjedhjeve ishte kërcënuar jo vetëm ajo por dhe vajza e saj, nga persona të cilët ishin denoncuar për vrasje e trafik droge dhe u paraqitën në qendrat e votimit.

Vokshi bëri thirrje për hetim ndërkombëtar mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe mbrojtjen e grave në politikë

“Kam marrë pjesë në shumë zgjedhje, por asnjeherë nuk kam parë një masakër zgjedhore si kjo. Në Vorë u kërcënova nga persona të cilët ishin denoncuar për vrasje e trafik droge u paraqitën në qendrat e votimit. Vajza ime u kërcënua nga këto persona. Edhe pse pati kallëzim në SPAK e polici askush nuk ndërhyri.

Edhe tani këta persona janë të lirë dhe unë kam frikë për vajzën time. Ju pyes sërish a janë këto zgjedhje të lira, kur gratë kandidate kërcënohen. A duhet të qëndrojmë të heshtur ndaj kërcënimeve të familjarëve tanë. Natyrisht që jo!

Nuk duhet të tolerojmë duhet të qëndrojmë një atmosferë ku gratë të bëjnë politikë e të shërbejnë me dinjitet”.

Në përfundim, Këshilli i Europës doli me listë rekomandimesh duke kërkuar që të ndalet blerja e votës, të depolizohet admimsitrata zgjedhore, të ndahet shteti nga partia dhe të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR në zgjedhje.

DEKLARATA E DEPUTETES SË PD, ALBANA VOKSHI NË ASAMBLENË PAELAMENTARE TË KËSHILLIT TË EUROPËS

U kërcënova në mes të ditës nga kriminelët/ Vokshi nga Strasburgu: Thirrje për hetim ndërkombëtar mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe mbrojtjen e grave në politikë
Të nderuar kolegë,
Faleminderit për misionin vëzhgues të Këshillit të Evropës gjatë zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, që ofroi një pamje të vlefshme të realitetit në terren. Raporti paraqet shqetësime serioze. Por e vërteta është shumë më alarmante.

Kur vota nuk është e lirë, demokracia nuk ekziston!
Nuk mund të ketë standarde të dyfishta për vendet anëtare të BE-së dhe për vendet kandidate si Shqipëria.

Prandaj unë shtroj para jush disa pyetje:
A mund të quhen demokratike zgjedhjet, 
– kur shumica e kritereve të Kopenhagës janë shkelur në mënyrë sistematike dhe brutale?
– Kur shteti dhe partia në pushtet janë një?
– Kur nëpunësit civilë, votuesit dhe kandidatët kërcënohen – përmes rrjeteve të patronazhit si dhe nga kriminelë me distinktivë fallco vëzhguesish brenda dhe jashtë qendrave të votimit – ndërsa policia mbyll sytë ose ndërhyn shumë vonë?
– Kur mediat janë nën kontroll?

Pak javë para zgjedhjeve, Kryeministri miratoi 138 licenca për kultivim kanabisi – 147 herë më shumë se kufiri ligjor – duke mbuluar 29,000 hektarë, kryesisht në zonat kufitare. Partia në pushtet pati rritje të ndjeshme votash në ato rajone. Kjo nuk është një garë demokratike – është një kërcënim për sigurinë kombëtare.

402 milionë euro fonde publike u keqpërdorën për të blerë vota dhe manipuluar rezultatin:
• 100 euro bonus për mbi 750,000 pensionistë (ose 42% e votuesve)
• 200 milionë euro gjoba të falura dy ditë para zgjedhjeve
• vende pune, subvencione, tendera dhe evente luksoze të kthyer në mjete për më shumë vota.
Vota u ble edhe me paratë e taksapaguesve.

Kam marrë pjesë në shumë zgjedhje. Por kurrë s’kam përjetuar atë që pashë këtë herë.

Në Vorë, u kërcënova në mes të ditës nga kriminelë të dënuar për vrasje dhe trafik droge. Vajza ime gjithashtu u kërcënua. Pavarësisht telefonatave Policisë së Shtetit si dhe kallëzimeve zyrtare në SPAK, askush nuk veproi. Ata kriminelë janë ende të lirë, ndërsa unë druhem çdo ditë derisa fëmijët kthehen në shtëpi.

Prandaj ju pyes sërish:
A janë këto zgjedhje të lira, kur kandidatet gra përballen me kartele dhe jo me parti politike?

Unë nuk hyra në politikë për të mbajtur armë – por për të ofruar një alternativë të bazuar te e vërteta.

E kjo e drejtë më është mohuar – për shkak të lidhjeve midis zyrtarëve të lartë (Kryeministri, ministra) dhe krimit të organizuar.

A duhet të rri e heshtur, e qetë por e frikësuar? Jo. Nuk do të hesht.

Ne duhet të flasim – për vajzat tona, për familjet tona, dhe për çdo grua që dëshiron të shërbejë pa frikë.

Nëse nuk veprojmë, ia dorëzojmë politikën atyre që mbrohen nga krimi – jo nga demokracia. 28 kandidatë në 10 qarqe u mbështetën nga grupet kriminale dhe kartelet e drogës. Mbi 20 prej tyre do të jenë në parlamentin e ardhshëm. Dhe me siguri do të jenë edhe këtu në këtë sallë.e unë këtë nuk do ta doja.

Prandaj ju bëj thirrje:
Për mbështetjen e një misioni fakt mbledhës në Shqipëri. Takoni të gjithë aktorët. Vlerësoni ndikimin kriminal dhe dështime në standartet e demokracisë.

Kam dorëzuar një video të shkurtër për këtë seancë plenare – me shpresën që të shihni me sytë tuaj si kanë qenë realisht këto zgjedhje, e kushdo që do të dojë mund tja dërgoj.

I bëj thirrje çdo deputeteje këtu në këtë salle: kjo nuk toleruar! Duhet të jemi krah njëra-tjetrës. Të qëndrojmë bashkë për të krijuar një mjedis ku gratë mund të bëjnë politikë dhe t’i shërbejnë vendit të tyre…

About Redaksia

Check Also

Dumani e Proda shmangin përballjen me PD! Këlliçi: S’u hetua shitblerja e votes! Suel Çela strehohet në Elbasan

Drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Belind Këlliçi njëkohësisht deputet i ardhshëm denoncoi farsën elektorale …