Kryetari i PD, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp me gazetarët u shpreh se teza e Partisë Demokratike është se “vota vdiq pa hyrë në kuti”.
Ai sqaroi se rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së si subjekt politik, por një e drejtë legjitime e kandidatëve të saj, të cilëve nuk mund t’u mohohet kjo kërkesë në asnjë rrethanë.
“Sikundër edhe njëherë duhet të sqaroj sepse dëgjoj jo po numërimi, jo po stërnumërimi.
Dhe njëherë, e kam theksuar dhe e theksoj, rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së.
Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë.
Ndaj dhe të nderuar zotërinj, që flisni për numërimin, përpiquni të jeni të saktë në ato që thoni.
Teza e PD është: vota vdiq pa hyrë në kuti.
Rinumërimi ka të bëjë me përshtypjen që kandidatët kanë se votat e njërit kandidat mund të jenë spostuar tek votat e një kandidati tjetër po të PD.
Kërkesa e cila nga PD ka përgëzime në çdo rast për shkak të transparencës.
Unë e them këtu, nuk ka gjë më të drejtë se sa të kërkosh të rinumërohen votat në qoftë se ke dyshime se nuk të janë numëruar apo të janë devijuar votat.
Dhe këta kanë bërë një detyrë qytetare.
Kurse për të tjerët, të paguar çdo ditë nga qeveria, përpiqen të mbrojnë farsën, unë u them se janë pjesë e një propagande kriminale antivotë, një propagande që synon të përligjë shkelmimin e të drejtës më themelore të njeriut pas fjalës, që është vota e lirë.
Me asgjë, nuk mund të fshehin më farsën e turpshme, me asnjë Duman, me asnjë Troplin dhe me asgjë tjetër nuk mund të fshehin farsën e turpshme të 11 Majit.
Ju e patë se si u shokua Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, kur mësoi për ndërhyrjet brutale të kriminelëve Xhabaftë, të ndërsyer nga ministri Gonxhja kundër një zone që po bënte detyrën, kundër një deputeteje.
Iku koha kur Edi Rama me metoda nga më të ndryshmet shiste në Europë një realitet që në Shqipëri nuk ekzistonte. Kjo nuk ndodh më.
Dhe ata që kritikojnë opozitën se po turpëron Shqipërinë, ata janë turpi i turpit të njeriut, turpi i turpit të Shqipërisë.
Ata që pretendojnë se qenka e turpshme të denoncosh dhunimin e votës, të denoncosh kartelet e drogës, ata janë turpi i turpit të njeriut dhe turpi i turpit të Shqipërisë dhe kjo opozitë nuk do jetë kurrë e tillë. Do bëjë detyrën e saj”, tha Berisha.
