Lideri i opozitës, Sali Berisha, në një deklaratë për gazetarët theksoi se reagimet ndërkombëtare ndaj situatës politike në Shqipëri janë shumë të qarta dhe të rëndësishme. Ai përmendi tre hapa të mëdhenj që janë bërë në këtë drejtim, përfshirë takimet në Bruksel, Strasburg dhe reagimet paszgjedhore.
Berisha tha se, ndarja e shtetit nga partia është thelbi i gjithë raportit të fundit ndërkombëtar për Shqipërinë. Sipas tij, ekzistenca e një partie-shtet përbën asgjësimin e zgjedhjeve dhe shndërrimin e tyre në farsë elektorale.
“Jo, ne konstatojmë reagime shumë të qarta nga ndërkombëtarët.
Ne u jemi shumë mirënjohës.
Mund të them se janë 3 hapa të mëdhenj që janë bërë.
Së pari në takimet që u zhvilluan në Bruksel në Asamblenë Politike të PPE dhe Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Së dyti në takimin e zhvilluar në Strasburg në Komitetin e Stabilizim të Shqipërisë me BE.
Dhe së treti, po them pas zgjedhjeve, dita e djeshme, përsëri ishte dita e Shqipërisë…
…Unë mund të them këtë, se çfarë ndryshon në Shqipëri dhe do ndryshojë, ajo varet nga shqiptarët, por këto janë të domosdoshme për të përligjur qëndrimin dhe veprimin e tyre.
Këto janë të domosdoshme.
Nuk vjen kush as për të krijuar qeverinë teknike, as për të rrëzuar qeverinë. Ato të gjitha duhet të jenë vullnet i popullit opozitar.
Por kjo që po bëhet ka një vlerë shumë të madhe sepse zgjedhjet janë sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare.
Aq sa ka rëndësi kodi yt zgjedhor, aq kanë rëndësi edhe dokumentet ndërkombëtare mbi të cilat bazohen parimet e kodit zgjedhor.
E kam thënë dhe e them, zgjedhjet janë edhe kombëtare, edhe ndërkombëtare.
Gjer tani kanë dështuar të gjitha përpjekjet e Edi Ramës, mobilizimi i tij dhe regjimit të tij dhe çdo lloj përpjekje për të modifikuar dhe ndryshuar raportin.
Po të lexoni edhe raportin e djeshëm, thirrje Shqipërisë të ndajë shtetin nga partia. Kaq.
Nuk ka damkosje…
Ideja e partisë shtet është de-facto asgjësim i zgjedhjeve.
Ata që kanë ABC-në më elementare të politikës, në qoftë se bëhet fjalë për parti shtet, do të thotë nuk ka zgjedhje. Ka farsë.
Ka zgjedhje se procesi ndodh, por është farsë elektorale.
Dhe dje në rekomandimin që mori Shqipëria është të ndajë shtetin nga partia.
Ekzistenca e partisë shtet në Shqipëri është tashmë botërisht e konfirmuar.
Kur thua të ndash shtetin nga partia, nuk ka kërkesë më asgjësuese se kjo.
Ata nuk mund të thonë, ju bëjmë thirrje shqiptarëve që të ngrihen për të përmbysur shtetin njëpartiak, këtë nuk e thonë se nuk është në detyrën e tyre, por ata e thonë me gjuhën e tyre, të ndahet partia nga shteti.
Vetëm kjo frazë është i gjithë raporti”, tha Berisha.
