Korrupsioni me tenderat e rrugëve/ Merret i pandehur kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë zyrtarisht të pandehur Jonaid Myzyrin, kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike. Deri më tani Myzyri kishte statusin e personit nën hetim, por me vendimin e fundit, ai akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”.

Ai ishte thirrur ditën e sotme për t’u njohur me akuzat, por seanca u shty për shkak të angazhimeve të prokurorit të çështjes.

Hetimet ndaj Myzyrit nisën pas një referimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ngriti dyshime mbi veprimet e tij në cilësinë e drejtuesit të institucionit. Në qendër të hetimeve janë një sërë procedurash tenderash të zhvilluara gjatë mandatit të tij, ku shumica lidhen me projektet e ndërtimit dhe rikonstruksionit të rrugëve të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Edhe pse burimet nuk zbulojnë detaje specifike mbi projektet në fjalë, theksohet se janë krijuar dyshime të arsyeshme për favorizime në garë dhe shpërdorim të detyrës. SPAK pritet të ndërmarrë veprime të tjera hetimore në vijim, për të zbardhur nëse kemi të bëjmë me shkelje të rënda ligjore në procesin e prokurimeve publike.

About Redaksia

Check Also

“Mushkonjat” çojnë drejt burgut “Gjinon” e Belës

Një tender i vitit 2020 që lidhet me mirëmbajtjen rutinë të segmentit rrugor “Rrëshen-Shpal dhe …