Nga Boldnews.al
Gjatë mesit të të qershorit 2025, emisioni “Fiks Fare” në Top Channel, si edhe faqja e ndjekur në rrjete sociale “Jeta Osh Qef”, kanë prezantuar pamje skandaloze nga Morgu i Tiranës, ku trupa të pajetë janë në fazën e dekompozimit dhe kanë zënë krimba.
Pamjet makabre nuk janë aspak të denja për t’u parë nga një publik i gjerë i ndjeshëm, por ajo që rëndon më shumë në këtë situatë është fakti që Instituti i Mjekësisë Ligjore ka shpenzuar rreth 1 milionë euro për të shmangur këtë lloj degradimi ekstrem.
Situata e rëndë në morgun e Tiranës, të drejtuar për më shumë se 10 vjet nga Bledar Xhemaili, për fat të keq nuk është as e re dhe as nuk ndodh për herë të parë.

Këtë e ka pranuar edhe vetë Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili në shtator të vitit 2024 mbylli tenderin me objekt “Ndërtimi i dhomës frigoriferike kufomëmbajtjëse”. Procedura tenderuese kishte fond limit vlerën prej 99.8 milionë lekë të reja ose rreth 1 milionë euro (saktësisht, 99,891,705 lekë të reja).
Megjithëse procedura tenderuese është përfunduar, sërish situata skandaloze në Morgun e Tiranës nuk ka ndryshuar, përkundrazi, siç kanë raportuar mediat, është përkeqësuar në mënyrën më tragjike të mundshme.
Justifikimi i tenderit
Situata skandaloze në Morgun e Tiranës është pranuar më herët edhe nga vetë Instituti i Mjekësisë Ligjore. Por, “pranimi i situatës” ka pasur një qëllim madhor-të justifikojë shpenzimin 1 milionë euro.
Në dokumentat e tenderit, të shpallur në mes të vitit 2024, për ndërtimin e dhomës frigoriferike kufomëmbajtjëse, të konsultuara nga “Boldnews.al”, thuhet ndër të tjera:
“…Ngjitur me dhomën e morgut ndodhet dhoma frigoriferike, e cila nuk ka kapacitetin e duhur për pritjen e shumë kufomave. Ka shumë raste që trupat duhet të qëndrojnë me muaj të tërë për shkak se nuk interesohet askush apo nuk janë të identifikuar dhe për këtë është e nevojshme krijimi i një dhome frigoriferike kufomëmbajtëse…”.

Pra, drejtori Xhemali u kujtua për dhomën frigoriferike pasi kishte mbushur plot një dekadë në drejtimin e atij institucioni.
Gjithësesi, ndoshta më mirë vonë se kurrë dhe, në një ambjent ku të vdekurit nuk kanë gojë të ankohen, idea për përmirësimin e kushteve të Morgut nuk ishte edhe aq e keqe.
1 mln euro pa garë
Por, siç ndodh rëndom me tenderat publikë në Shqipëri, edhe ai për ndërtimin e morgut të Institutit të Mjekësisë Ligjore, nuk iu shmang dyshimeve.
Në garë merr pjesë vetëm një konkurent, duke ngritur “flamurit e kuq” të pikëpyetjeve për procedurë tenderuese të paracaktuar.
Konkurenti i vetëm ishte bashkimi i operatorëve “2T” shpk, me aksioner Artan Sakon, vëllain e Gramoz Sakos, ish-komandantit jetëgjatë të Gardës së Republikës gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Pjesë e grupit fitues është edhe “Alges Konstruksion”, në pronësi të Mozart Çela.

Referuar të dhënave zyrtare, rezulton se operatorët e vetëm pjesëmarrës dhe, rrjedhimisht edhe fitues, kanë paraqitur ofertën në vlerë 98.077.356 lekë të reja ose më shumë se 98 përqind e fondit limit (ose vetëm 1.8 milionë lekë të reja më pak se vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktor).
E, pavarësisht se plot 1 milionë euro nga taksat publike u shpenzuan për ndërtimin e dhomës frigoriferike kufomëmbajtëse, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe drejtorit të tij, Bledar Xhemali, nuk i kanë mjaftuar për të eleminuar skandalin me krimbjen e trupave të pajetë në morg.