Berisha publikon pamjet dhe shifrat: U dhanë 6 mijë leje legalizimi për blerjen e votave në kundërshtim me ligjin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar me çmontimin e farsës elektorale të 11 majit, duke paraqitur për publikun pamje të reja që faktojnë se si janë blerë votat me leje legalizimesh.

Berisha gjatë konferencës për shtyp tha se, u dhanë 6 mijë leje legalizimi për blerjen e votave në kundërshtim me ligjin zgjedhor.

“Në Strasburg, raporti i delegacionit të Këshillit të Europës që observoi zgjedhjet, ndërhyrjet që u bënë, ishin një damkosje e re e madhe e farsës elektorale të 11 Majit.

Rekomandimet e këtij raporti, siç theksova dje, janë asgjësuese.

Në këto rekomandime janë ndarja e partisë nga shteti. Pra konfirmohet se në Shqipëri funksionon partia shtet dhe shteti elektoral.

Rekomandohet reformimi i Skapit, duke konfirmuar në këtë mënyrë tezën se ai që quhet Spak, nuk është asgjë tjetër veçse një Skap i partisë, bashkautor në krimin e madh elektoral ndaj shqiptarëve.

Zhvlerësohet në tërësi, apo thotë të analizohet, vota e diasporës, e cila siç e patë ju, është shtetëzuar.

Natyrisht ndërhyrjet brutale në procesin e farsës elektorale ishin të shumëllojta, por edhe njëherë, në çdo vend dhe në çdo shtet, një proces zgjedhor asgjësohet dhe shndërrohet në farsë elektorale kur partia bëhet shtet dhe shteti parti.

Ky është kushti i të gjitha kushteve për të asgjësuar procesin e drejtë zgjedhor, për ta shndërruar atë në farsë.

Ky është kushti më themelor.

Në rastin konkret, sot do paraqes para jush abuzimin masiv me pushtetin ekzekutiv të agjencive të shtetit elektoral për të blerë vota në shkelje flagrante me ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të drejta.

Këtu jemi tek Fresku. Këta kriminelë elektoralë po ndajnë atyre certifikata pronësie, leje legalizimi.

Është vetëm pak ditë para fushatës elektorale. Publikisht!

Natyrisht janë në mbrojtjen e plotë të Altin Troplinit dhe Skapit të partisë.

Një kujtesë ligjore; neni 91 i Kodit Zgjedhor, pika 4 thotë, katër muaj para datës së zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë si: rritje pagash e pensionesh, mbështetje ekonomike ose sociale, ulje apo heqje taksash, amnisti fiskale, dhënie pasurish apo shpërblimesh.

Kjo tabelë paraqet totalin e legalizimeve pikërisht në harkun kohor të ndaluar me ligj.

Në harkun kohor të ndaluar me ligj, në qarqet e vendit u realizuan, në Berat 419 legalizime, në Dibër 123 legalizime, në Durrës 928 legalizime, në Fier 801 legalizime, Gjirokastra 98, Kukësi 124 legalizime, Tirana 1931 legalizime, Vlora 590 dhe Lezha 116.

Në total janë dhënë 6 mijë legalizime.

Imagjinoni këto, minimumi 3 gjer në 5 vota, se sa u blenë vetëm me lejet e legalizimit”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Nesho: Së shpejti PD do të raportojë në nivelet më të larta të administratës Trump për 11 majin

Diplomati Agim Nesho, ka treguar se brenda një kohe të shkurtër, drejtues të lartë të …