Media franceze: Droga nga porti i Durrësit “përmbyt” Europën, paratë pastrohen në kulla në Tiranë

Konsumi i drogave të forta është në rritje të vazhdueshme pothuajse kudo në Evropë dhe kjo sjell me vete një shtim të problemeve sociale të lidhura me trafikun e narkotikëve. Për të arritur në Evropë, kokaina shpesh fshihet në kontejnerë me plehra bujqësore, kafe apo banane. Këta kontejnerë mbërrijnë në portet e kontinentit: Anvers, Roterdam, Bilbao… Ky është rasti, për shembull, edhe i portit të Durrësit, në Shqipëri. Korrespondenti ynë në rajon, Louis Seiller, ndodhet përballë hyrjes kryesore të këtij porti kryesor të një vendi të vogël mesdhetar me dy milionë e gjysmë banorë.

Nga Louis Seiller, Radio France Internationale

Rreth rrethrrotullimit që shënon hyrjen e portit, ka disa dyqane të vogla dhe kafene të mbushura me njerëz që punojnë aty pranë. Aty takoj Agronin, rreth të gjashtëdhjetave. Ky pensionist nga Durrësi kalon çdo ditë para kontejnerëve. Bananet vijnë nga Ekuadori. Hyjnë në Shqipëri dhe më pas nisen drejt Kosovës dhe më tej, në Evropë. Si kudo, autoritetet luftojnë kundër trafikut të drogës. Në port, ata monitorojnë me kamera, skanerë dhe pajisje të tjera. Dhe kur gjejnë drogë, bëjnë sekuestrime. Por kanë pak frikë, sepse nuk është e lehtë të luftosh kundër trafikantëve. Duhet shumë guxim.

Pasi mbërrin në portin e Durrësit, kokaina zakonisht ngarkohet sërish në tragete për në Itali, përtej detit Adriatik. Por shpesh transportohet edhe me rrugë drejt Kosovës, Serbisë dhe autostradave që të çojnë në Evropën Qendrore.

Fatjona Mejdini është koordinatore rajonale e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional. Sipas saj, rrjetet ballkanike janë bërë aktorë kryesorë në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Këto grupe përpiqen të dërgojnë kokainë në portet e Ballkanit, si Durrësi. Por sipas studimeve të tyre, sasitë janë më të vogla se ato që shkojnë në portet e Evropës Perëndimore, sepse atje është shumë më vështirë të zbulohet droga për shkak të volumit të madh të mallrave dhe afërsisë me tregun e konsumatorëve të kokainës.

Në Beograd dhe Tiranë, ndërtimet e godinave luksoze janë shtuar vitet e fundit. Kulla moderne si në Dubai, ndonëse Shqipëria deri vonë ishte një nga ekonomitë më të varfra në Evropë. Për shumë shqiptarë, nuk ka dyshim që këto projekte financohen nga paraja e kokainës.

Ish-ministri i ekonomisë, Zef Preçi, thotë se shumë prej këtyre kullave ndërtohen nga kompani me kapital fillestar shumë të ulët, disa qindra mijëra euro, ndërkohë që investimet shkojnë në qindra milionë. Pas këtyre ndërtimeve, qëndrojnë “peshq të mëdhenj” që pastrojnë paratë e trafikut të drogës, veçanërisht kokainës që vjen nga Amerika Latine.

Të luftosh më shumë kundër krimit të organizuar është një nga kushtet që i është vendosur Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. Në vitin 2021, rreth dy tonë e gjysmë kokainë u sekuestruan në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.

About Redaksia

Check Also

Trump firmos: Shqipëria, korrupsion dhe qeverisje jo demokratike, kërcënim për SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka vendosur të zgjasë edhe me një vit …