INTERVISTË ME SHKRIMTAREN SHUMËDIMENSIONALE VILHELME VRANA HAXHIRAJ (III)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Në një kohë kur kombi shqiptar gjendet ende përballë sfidave të mëdha historike, politike dhe shoqërore, zëri i intelektualëve mbetet një busull e çmuar për të kuptuar rrugën që kemi lënë pas dhe udhën që kemi përpara. Në këtë pjesë të tretë të intervistës ekskluzive me shkrimtaren e njohur Vilhelme Vrana Haxhiraj, do të preken disa nga plagët më të thella të historisë sonë kombëtare, por edhe gurët themelorë që formësojnë identitetin tonë.
Nga vështrimi i saj mbi periudhën e tranzicionit politik të Shqipërisë, te reflektimi për rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe sfidat e bashkëkombësve tanë në trojet që sot mbeten jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, Haxhiraj ofron një këndvështrim të kthjellët dhe të ndershëm. Në këtë rrëfim nuk mungon as një rikthim te tragjedia e Çamërisë, një plagë që ende rëndon në ndërgjegjen tonë kombëtare, as një analizë e thellë mbi tiparet që na karakterizojnë si komb – vlerat që duhet të mbrohen dhe veset që duhen kapërcyer për të ecur përpara.
Në një kohë kur pyetja për bashkimin kombëtar vazhdon të mbetet një ëndërr e pazhdukur, shkrimtarja ndalet edhe te pengesat, mundësitë dhe përgjegjësitë që kemi si popull. Ajo kujton figurat më të mëdha që kanë lënë gjurmë në historinë tonë, por mbi të gjitha përcjell një mesazh të fortë për shqiptarët kudo që janë: për zhvillimin e vendit nuk mjaftojnë fjalët, por duhen vepra konkrete, përkushtim dhe një ndjenjë e re përgjegjësie kombëtare që i jep vendit një të ardhme të denjë.
GM: Si do ta përshkruanit zhvillimin dhe sfidat kryesore të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit? Cilat kanë qenë momentet më të rëndësishme që kanë ndikuar në rrugën e demokracisë dhe reformat institucionale në vend? Si e vlerësoni rolin e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm në këtë proces?
VVH: Nuk mund t’i mohojmë ndryshimet pas vitit 1990, sepse e ndrydhim, e plagosim e përdhosim të vërtetën.
Së pari: Pluralizmi politik ishte një hop cilësor, ku nisi bashkëjetesa e së majtës socialiste që kishte hedhur rrënjë, me demokratët e porsalindur. Ndryshoi struktura parlamentare, qeveritare dhe juridike, ndryshime që u bënë edhe në qarqe, rrethe, qytetet e vendit dhe zonat rurale. Në çdo fushë nisi puna me një mendim dhe synim të ri, sepse shqiptarët fituan lirinë e fjalës,të shprehjes së mendimit të lirë dhe të drejtën e ushtrimit të profesionit. U zgjuan nga gjumi letargjik, kur për herë të parë u njohën me Kartën e të Drejtave të Njeriut, e cila deri në vitin 1990, ishte mollë e ndaluar. Jeta nën diktaturën komuniste ishte BURG. Rikthimi në profesion i të gjithë të mohuarve, ishte tregues i një këndvështrimi të ri klasor. Pajisja e shqiptarëve me passaportë Evropiane, bëri që shqiptarët fituan të drejtën për të lëvizur jashtë shtetit në të gjithë shtetet që s’janë anëtarë të BE. Organizimi i ri social me norma të reja demokratike, sollën ndryshime në strukturë dhe infrastrukturë. Fakt është ndërtimi i Rrugës së Kombit, Rrugës së Arbërit, Bajpasi i Vlorës që vazhdon me tunelin Dukat-Palasë, rruga e re Kuç-Borsh, që shkurton rrugën Kurvelesh-Sarandë. Rrugët kombëtare lejojnë vizitat pa pengesa mes dy shteteve të të njëjtit komb. Edhe rrugët rurale ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e turizmit dypalësh. Shqipëria që nga 1 prilli,i 2009-tës, është anëtare e Natos. Është kandidate për anëtarësim në BE.
Në qoftë se kalimi nga sistemi diktatorial në sistem demokratik do të ishte bërë rrënjësor, jo vetëm duke zëvendësuar fronin me persona të të njëjtit brum të së shkuarës, apo ndërrimi i tesrës, i flamurit partiak, ose i kostumit, nga i kuq në blu, ishte vetëm për t’na hedhur hi syve. Kjo nuk e ndryshon idealin komunist. U rrëzuan dhe u shkulën institucionet zinxhir të diktaturës që ishin burim vrasjesh dhe mohim të drejtash humane. Në vend të tyre u formuan institucione me emërtime demokratike. Kam vënë re se komunistët e duan kapitalizmin, por me Marksin në gji. Me krijimin e organeve të Drejtësisë, duhej të dënoheshin persekutorët, gjë që nuk u bë. Komunizmi ngeli si mish i huaj në trupat dhe mendjet e shqiptarëve të lëbyrtë dhe me besim të verbër. PD-ja kishte dhe ka përbërje heterogjene, e cila pengon zhvillimin e proceseve demokratike. Mes demokratëve u anëtarësuan komunistët, për të ruajtur vendet e punës, sepse ata ishin mësuar vetëm të drejtonin. Kurse demokratët me ideale për ndërtimin e shtetit ligjor të së drejtës, një sistem demokratik perëndimor, nuk kishin përvojë, as njerëzit e kualifikuar. Gjysma që iu mohua çdo e drejtë e liri, qëndroi në atdhe me shpresë për rikthimin e pronave. Por ligji 7501, ishte një reformë e dytë agrare. Çudi, komunistët që urrenin kapitalizëm -imperializmin, zunë shtetet e Evropës apo të ShBA-ve dhe morën shtetësinë e vendeve ku bujtën. Kur vijnë ndonjëherë në atdhe, bëjnë fushatë për atë kohë të lumtur. Madje shprehen: “Do ishte mirë të kthehej koha e diktaturës së “Peshkaqenit Baba ”. Në këtë tranzicion të tejzgjatur, në të gjitha fushat po ndiqen programe të huajtura nga shtetet e tjera. Kjo është e gabuar, sepse ndryshimet bëhen në bazë të resurseve dhe të kushteve ekonomike që ka vendi ynë, natyrisht duke u mbështetur në përvojën botërore. Psh, arsimi ka pësuar regres dhe rënie, paçka se bëhet reklamë e madhe me terma pompoze. Globalizmi duhet të ndikojë në rritjen e mirëqenies materiale, në mënyrën e të jetuarit, në kulturë e në integrimin e kombit, pa mohuar traditën që na rrit ndërgjegjen kombëtare. Brezi i ri është e ardhmja e kombit. Ndaj barazia gjinore luan rol të veçantë në integrimin e kombit. Me një grua të arsimuar, kombi siguron breza të mirërritur e mir’edukuar. Por që të arrihet kjo, duhen këto kritere si mëposhtë:
Peticion
Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Z.Pjetër Arbnori!
LDG.Vlorë, mbledhur sot, më, 20 prill, 1992,parashtron disa kërkesa të domosdoshme për integrimin e gruas në Shoqërinë demokratike të cilat janë:
-Vendosja e barazisë gjinore në vendin tonë.
-Pjesëmarrja e gruas me të drejta të barabarta me burrat në të gjitha fushate jetës.
-Të jetë aktive në të gjitha nivelet, në politikë, në legjislativ, ekzekutiv, juridike, në arsim, shëndetësi, diplomaci etj. Natyrisht në bazë të intelektit, arsimimit dhe profesionalizmit.
-Java e punës duhet të bëhet 5 ditë.
-Të hiqet turni i tretë për gratë.
-Gratë të shpërblehen 200 %, kur punojnë ditën e pushimit apo në turnin e tretë.
-Të rriten pagat dhe pensionet.
-Leja e lindjes të bëhet 3 vjet.
-Ndërhyrja e shtetit për legalizimin e emigrantëve dhe bashkimin familjar të tyre.
-Të rritet interesimi dhe kujdesi i politikës dhe PD për krahinën autoktone të Himarës që është lënë në mëshirën e fatit.
Ps: Peticioni u lexua nga Kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, datë, 22 prill,1992,në seancën e pasdites, ora 15.
GM: Pas shumë sakrificave, Kosova dhe populli i saj arritën triumfin drejt pavarësisë. Si e vlerësoni rrugëtimin historik të Kosovës deri në ditët e sotme?
VVH: Para se të përgjigjem, përulem me nderim për gjithë heronjtë e rënë të Dardanisë, për bashkëkombasit e mi, burra, gra dhe vajza dinjitoze të kësaj treve etnike shqiptare. Një nderim të veçantë kam për heroizmin e familjes Jashari dhe Elitën Adem Jashari si simbol i lirisë, i cili meriton “Çmimin për Paqen”. Vlerësoj Elitën e Kombit, Ibrahim Rugova, falenderoj Kryeministrin aktual Z.Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani, për kërkesat rigoroze dhe qëndresën ndaj organizmave ndërkombëtare, për qëndrimin e drejtë antiserb dhe maturisë si politikanë të pjekur në ecurinë e zhvillimeve demokratike. Duke pasur parasysh të drejtat dhe liritë e mohuara, kërkesat e domosdoshme të një etniteti pellazg-ilir-arbëror, shqiptar, Dardania hyjnore pas vuajtjesh dhe sakrificash sublime, përmes lumenjësh gjaku të pafajshëm, me vendim të Misionit të OKB, në vitin 2001, fitoi përkohësisht të drejtën e vetëqeverisjes. Në datën 17 shkurt, 2008, u deklarua Pavarësia e Kosovës. Pas një fitoreje të madhe, të merituar, të drejtë legjitime dhe të ndritur, u përpilua Kushtetuta e Kosovës që gjeti zbatim më,15 qershor, 2008 në përputhje me kriteret e UNMIK, të cilat përkonin me kërkesat rajonale dhe vendimmarrëse të Kosovës. Sepse dhe shqiptarët janë qytetarë të Evropës dhe të të gjithë botës. Pse?
Sepse shqiptarët që nga krijimi i botës, qysh kur lindi pallazgu i parë në këto troje, kanë vënë emër në histori, si Perandorë, Papë,Burra shteti, kryeministra, udhëheqës ushtarak,shkencëtarë, arkitekt, artist që kanë bërë epokë me njerëz të idealit dhe të besës.
Nga dita e shpalljes së Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, Kuvendi i Kosovës u ngrit në nivel ndërkombëtar dhe mori të gjitha përgjegjësitë legjislative në territorin e Kosovës. Në zgjedhjet parlamentare,është ndjekur një proporcion i drejtë me nacionalizmin serb dhe pakicat minoritare. Më 17.2.2008, kur në orën 16, u dha lajmi se Kosova u shpall e Pavarur, unë prej gëzimit dhe me besim të plotë në ecjen drejt integrimit, përpilova 2 poezi, kushtuar Kosovës, nga të cilat “Hapma Zemrën ,o nënë” që fitoi Çmim Ndërkombëtar në Suedi, në vitin 2014. Pasi u njoha me programin ambicioz të qeverisë demokratike të Kosovës, jam shprehur se Kosova do të eci drejt zhvillimit me hapa galopante. Madje Kosova do të anëtarësohet më përpara se Shqipëria në BE. Nëse nuk do të kishte provokimet e herë pas herëshme të Serbisë vrastare dhe të genocidit shfarosës antinjerëzor, si dhe mungesën dashamirëse të shteteve të mëdha evropiane, Kosova tashmë do të ishte prej kohësh anëtare e BE. Por fqinjët tanë smirëzinj, nuk e duan Kombin shqiptar, se para autoktonisë, lashtësisë së gjuhës shqipe dhe të racës sonë shtetformuese në kontinent, ardhacakët semito -sllav, ndihen inferior. Jo pa qëllim u ndërrua emri i Gadishullit Ilirik, në Ballkan, që në Antiktet quhej “Gadishulli Hem”. Ata erdhën si pushtues, ndërkohë rrëmbyen trojet ilire, kulturën, gjetjet arkeologjike, duke i përvetësuar dhe tani mburren me trashëgiminë e ndritur të shqiptarëve që ka ndikuar në krijimin e kombeve evropiane dhe në gjuhët e tyre. Përgëzoj qeverinë e kryeministrit Kurti që po punon për mbrothësinë e atdheut në veçanti dhe të Kombit në tërësi. Kosova sot është në rrugën e mbarë të integrimit perëndimor.
GM: Banojnë në trojet e tyre etnike, por fatkeqësisht dhe padrejtësisht nën administrimin e shteteve të tjera, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Cili është këndvështrimi juaj mbi aktualitetin shqiptar në këto shtete?
VVH: Z. Gëzim, është e vërtetë tema që kam trajtuar unë se, tragjeditë e kombeve të vegjël dalin nga portat e shteteve të mëdha( 15.11.2021.) E keqja e vendeve të vogla të Ballkanit nisi qysh kur u krijua Republika Socialiste Federale e Jugosllavisë që e ka origjinën e saj më, 26 nëntor, 1942. Pas çlirimit të vendit, iu dha fund Monarkisë dhe më, 29 nëntor, 1945 u shpall Republika Popullore Federale e Jugosllavisë. E udhëhequr nga J.B.Tito dhe qeveria e re komuniste. Nën juridiksionin e saj, ajo futi 6 republika: R.S Serbisë, RS.Slloveni, RS.Kroaci, RS Mal i Zi, RS Bosnjë dhe Hercegovinë, R.S e Maqedoni dhe krahinën autonome të Kosovës më, 1948. Fatkeqësia e dytë erdhi nga Greqia, e cila emrin e Maqedonisë së lashtë ia dhà Trevës Makedonia në Greqi. Kjo vjedhje historike nga grekët, iu bë njërit nga tre fiset antike Pellazge: Ilirët, Thrakët dhe Maqedonët, duke e emërtuar “Maqedonia e Veriut”,sikur ky shtet lindi sot, duke ia mohuar lashtësinë prehistorike. Maqedonia e lashtë matanë liqenit të Ohrit jetohej nga fisi ilir Paion. Paionia bashkë me fisin Pelagon të lashtësisë krijuan Maqedoninë e Mbretit Filip dhe Aleksandrit të Madh, i cili falenderon Zotin që u lind ILIR. Serbia dhe Greqia të përkrahura nga Fuqitë e Mëdha, veç rrëmbimit të tokave të popullsisë autoktone, Ilire, Dardane Maqedonase dhe Malazese, kanë përdorur dhunë ekstreme ndaj tyre, vrasje monstruoze, dhunime, mohim të drejtash njerëzore deri në vrasje dhe varrosje në gropa masive.
Përse kanë heshtur dhe heshtin Fuqitë e Mëdha ndaj padrejtësive që i janë bërë Shqipërisë? Si “dashamirëse” ndaj Shqipërisë që gjoja e “admironin” Fuqitë e Mëdha të pasuruara në saje të shfrytëzimit kolonial, kanë heshtur gjatë gjithë epokave historike dhe asnjëherë nuk kanë pyetur:
–Si u rrit territori Greqisë nga 1830- 1930, i cili, në 100 vite u katërfishua në kurriz të trojeve shqiptare, bullgare, turke dhe Maqedone? Lufta ballkanike u zhvillua mes Greqisë dhe Italisë, por forcat greke hynë me dhunë, vranë dhe sakatosën gjithë Shqipërinë e jugut, që përfshin Çamërinë deri në Sarandë e Kurvelesh. Pikërisht për të humbur origjinën autentike, Gadishullit Ilir, i ndryshuan emrin, në Ballkan.
–Aleksandër Lambert me të drejtë dhe i alarmuar pyet: “Pse u ndryshua emri i gadishullit “Ilirik” në “Ballkan” pas revolucionit grek, në fundshek.XIX? Çfarë bënë Fuqitë e Mëdha lidhur me këtë ndryshim emërtimi prej dhjetra e qindra shekujsh? –Si e ndihmuan Shqipërinë Fuqitë e Mëdha, kur Çamëria i kaloi Greqisë dhe Kosova me trojet etnike në Malin e Zi, i kaluan Jugosllavisë më 1946 dhe 1948? Aktualiteti në këto treva shqiptare dhe të banuara nga shqiptarë, i detyrojnë të mohojnë identitetin kombëtar,veçanësrisht gjuhën shqipe. Asyeja qëndron te keqtrajtimi që i është bërë kombit më të lashtë, duke u dhënë liri ardhacakëve, shteteve fqinje Greqisë dhe Serbisë që të shijnë mbi shqiptarët.
Një gjë nuk është e qartë se, cili ishte fajtori për krimet monstruoze, për varrezat masive të Hanit të Hotit, të Srebrenicës, Ulqin-Tivarit etj?! Rënkon Toka e Çamërisë dhe e Kosovës nga gjaku i paterur i shqiptarëve të masakruar. Si ka mundësi që Fuqitë e Mëdha (tutore të vendeve të vogla që vinin nga kampi lindor i socializmit), lejuan në vendin tonë që pas 1990, drejtimin e pushtetit, politikës dhe diplomacisë që kishin lënë baballarët, e morën bijtë dhe nipat e tyre, duke ndërruar vetëm flamur dhe përdorën disa emërtime bashkëkohore, se gjasma paskan ndryshuar?!
Një detyrë imediate e qeverive demokratike në Shqipëri dhe Kosovë, është vënia para përgjegjësisë historike, morale, politike dhe diplomatike për zgjidhjen e këtij ngërçi skllavërues në kohë moderne, e cila kërkon drejtësi.
GM: Si do ta përshkruanit tragjedinë e Çamërisë, duke pasur parasysh masakrat, dëbimin dhe persekutimin e popullsisë çame? Çfarë ndikimi mendoni se ka pasur kjo ngjarje në historinë dhe ndërgjegjen kombëtare shqiptare?
VVH: Është fatkeqësi e madhe që një komb i vogël, si Shqipëria, duke qenë nën tutelën e Fuqive të Mëdha të Evropës, gjatë shekujve, humbi hegjemoninë e saj. Qysh nga shek.IV-III- Pr.Kr. kur Qytet Shteti i Romës u dynd drejt Evropës juglindore, Iliria u bë shesh betejash për vendosjen e pushtetit vetjak, në politikë, ekonomi dhe kulturë. Atëherë nuk njihej nocioni “komb”, gjithsesi raca Ilire jetonte në trojet e veta, fliste gjuhën më të lashtë dhe gëzonte traditat e trashëguara nga të parët Pellazgë. Pushtuesit e shekujve, i shkatërruan këto vlera. Fillimisht Roma e shihte si rrezik flotën ilire që lundronte lirshëm në të gjitha portet e Mesdheut. Ndaj i duhej një aleancë me një shtet kundërshtar të Ilirisë. Ndërkohë në gadishullin e Atikës, ishin vendosur semitët, fise afro-aziatike. Siç ndodh me gjithë pushtuesit,edhe ata vranë apo përzunë me dhunë pellazgët nga Atika, ku lulëzonte sistemi skllavopronar, mbi bazat e të cilit pushtuesit afro-aziatik ndërtuan një shtet pa origjinë. Dëshmi historike janë themelet ilire të Akropolit, gjithë kështjellat ilire të Peloponezit, Çamërisë, Thrakisë, Maqedonisëdhe kretës ku jnë identifikuar gjurmë të kulturës, gjuhës dhe qytetërimit pellazg-ilir. Për realizimin e synimeve të veta, Roma lidhi një pakt bashkëpunimi me ta, duke ngritur në qiell kulturën e huajtur të Semitëve dhe i quajti “Helen”. Sajesa farse e Romës eci më tej. Pas pak kohësh vendin e quajti Greqi dhe banorët, grek. Ky vlerësim u rriti oreksin semitëve për pushtime të reja drejt Peloponezit e Thrakisë. Pas terrorit romak të vitit 168 pr. Kr., me urdhër të Paul Emilit (sipas Tit Livit), Roma dogji 71 qytete ilire, 150 000 robër, qindra e mijëra të vrarë dhe mijëra skllevër, gjë që i dha hov Greqisë, e cila nisi projektin e luftës ndaj shkombëtarizimit gradual të Çamërisë. Prej vitit 1830, kur Greqia në hartë ishte sa një kaçole trekëndshe, deri në vitin 1944-45, ajo u katërfishua. Mes tokave të rrëmbyera nga fqinjët ishte dhe Çamëria, me pretekstin se Vorio Epiri Pellazg- Ilir, i takonte Greqisë inekzistente në Paleolit. Mes luftrave të përgjakshme, Greqia ishte e para që zhvilloi genocid shfarosës ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë. Krimet monstruoze të grekëve i mbaj mend që nga fëmijëria ime, kur familja Vrana dhe shumë familje fisnike të Kaninës, i strehuan të përndjekurit e lebetitur, të sakatosur dhe të masakruar barbarisht. U dhanë mundësinë humanitare për të vazhduar jetën, larg tokës që i lindi.Shpopullimi i trevave etnike shqiptare, lufta për mbijetesë shndërroi karakterin e shqiptarit, duke injektuar veset si smira, mllefi, urrejtja dhe përçarja, e ndikuar nga politika Romake: “Përça e sundo!”ndikoi në ndryshimin e karakterit të shqiptarit për mbijetesë. Ishte një tragjedi makabre ndaj një race të lashtë sa vet jeta. A ka krim më makabër, kur pasi vrasin gjithë familjen, i çajnë barkun nënës shtatzënë, t’i nxjerrësh fëmijën nga barku i nënës dhe pastaj ta flakësh në rrugë, në mëshirën e fatit?! Kriminelë të tillë duhen shkuar në Gijotinë. Fuqitë e Mëdha të pasuruara në saje të shfrytëzimit kolonial, kanë heshtur gjatë gjithë epokave historike dhe asnjëherë nuk kanë pyetur:
-Si u rrit territori i Greqisë nga 1830, deri më 1930, i cili, në 100 vite u katërfishua në kurriz të trojeve shqiptare, bullgare, turke dhe Maqedone? Lufta ballkanike u zhvillua mes Greqisë dhe Italisë, por forcat andarte greke në vitin 2014, hynë me dhunë, vranë dhe sakatosën gjithë Shqipërinë e jugut, që përfshin Çamërinë deri në Sarandë e Kurvelesh. Për masakrat Greke të vitit 2014,ndaj Shqipërisë jugore, flet kjo këngë vaji:
“O Kurveleshi me derte,/ qysh duron për ato lezete,/për ato odat me tirqe,/ lopë e pela salltanete,/ zile këmborë e tërmete,/ i bëri greku për vete./Gratë e Kurveleshit, / shkojnë për në Vlorë,/ ç’i përzuri greku,/ me foshnja në dor, /,burrat ua therën,/Shtëpitë ua dogjën, / qaj, moj Shqipëri,/ Ulër moj e gjorë.”(folklor)
Jo më kot kam thënë dhe them, se për genocidin ndaj shqiptarëve si brenda llojit dhe shfarosja serbe-greke në trojet etnike kërkohet një gjyq ndërkombëtar. Rrëmbimi i Çamërisë nga grekët dhe i trojeve etnike në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, solli cungimin e trojeve tona dhe tjetërsimin e hartës gjeofizike të botës. Kisha helene solli përçarjen fetare, rriti artificialisht numrin e besimtarëve ortodoks. Një faktor tjetër negativ mes shiptarëve ka qenë përçarja, urrejtje dhe ndarja politike që solli Diktatura Komuniste, e cila vazhdon edhe sot në vendin tonë, me një petk të ri më të sofistikuar, të quajtur “Neokomunizëm”.
GM: Cilat janë tiparet më të spikatura pozitive dhe negative të kombit shqiptar në aspektin kulturor, historik dhe shoqëror? Cilat vlera tradicionale shqiptare mendoni se duhet të ruhen dhe cilat duhet të ndryshojnë për të ecur përpara si shoqëri?
VVH: Me gjithë krimet antinjerëzore ndaj kombit tonë, çdo vatër shqiptare ruan respektin dhe bujarinë për mikun, shokun. Çdo portë është e hapur për cilindo udhëtar që nata e zë në rrugë. Shqiptari thotë: “Shpata për armikun dhe sofra për mikun!”. Theksoj se shiptarët janë trima, të paepur që e çmojnë lirinë aq sa dhe jetën. Ne jemi një komb paqësor jo luftënxitës. Tek romani historiko-fantastik “Amanti i Arbërisë”, Toena, 2003, jam shprehur: “E ç’na duhet Perëndia e Luftës? Ne ilirët jemi paqedashës, miqësor dhe mikpritës.” Qysh nga lashtësia mbi shkëmbenjtë bregdetar gjen shkrime: “Ti udhëtar që stuhia të zuri në det, eja, një streh, ujë, bukë dhe kripë, do gjesh në çdo vatër shqiptare!” Por armikut, kur i jep dorën të rrëmben krahun. Ligësia, smira dhe ambicia që ata kanë për t’na nënshtruar, i bën ata të pabesë.. Tiparet më pozitive si dashuria për kombin, për atdheun(dheun e atit) dhe mëmëdheun (dheun e nënës),janë krenari e të qenit shqiptarë. “Kur shqiptari jep fjalën, ther dhe djalën!”Më bukur se e ka shprehur Anton Zako Çajupi, nuk gjej dot përgjigje tjetër: “Mëmëdhe quhet toka, /ku më ka rënë koka,ku kam dashur mëm’e atë,/ ku më njeh dhe gur’ i thatë, /ku kam pasurë shtëpinë,/ ku kam njohur perëndinë,/ stërgjyshët ku kanë qënë,/dhe varret q’i kanë vënë,/ku jam rritur me thërrime,/ ku kam folur gjuhën time,/ku kam fis e ku kam farë,/ku kam qeshur, ku kam qarë,/ ku rroj me gas e me shpres, ku kam dëshirë të vdes.”
Një dashuri të tillë e të përzhëlitur malli, e provon sot mërgimtari. Se ç’dhembje ndjen ai për vendin e tij e tregon enciklopedia shëtitëse, Faik Konica:
“Ata që ma shanë Atdheun!
“Ma shanë Atdheun, ma shanë nga nëna, /Në një bar,mbushur me të bardhë e negër:/Shtrëngova dhëmbët të mos më çahej zemra,/E mbi ta të lëshohej si bishë e egër./Ma shanë Atdheun buzë detit Egje./ Si m’u mbyll goja e nuk volla mallkime!?/Po për kë t’i shaja!? Ata s’kishin Atdhe,/ Ma shanë Atdheun, ma shanë në gjuhën time!”Faik Konica.
Nuk besoj se do të ketë një lapidar më kaq domethënës për Kombin, siç e kanë ngritur këta dy elitarë të kombit. Historikisht në raste rreziku shqiptarët kanë qenë të bashkuar. Kurse komunizmi mbolli smirën, mllefin, urrejtjen, hakmarrjen brenda llojit, duke i bërë shqiptarët armiq të njëri-tjetrit. Ne jemi gjaknxehtë me njëri-tjetrin. Mungesa e kulturës, e tolerancës, e mirëkuptimit, e bashkëpunimit, e vëllazërimit mes nesh,janë tipare negative. Një popull i përçarë nuk është në gjendje të sigurojë ardhmërinë dhe mirëqënien sociale të kombit. Kur nuk jemi të bashkuar, i huaji e ka më të lehtë të na mashtrojë e të na nënshtrojë deri në zhdukje të identitetit tonë kombëtar. Sot ndër ne mungon shqiptarizmi i dikurshëm. Ishte bukur kur betoheshin, “Për Fe dhe Atdhe!” Niveli i qytetërimit është një cilësi virtyti që duhet fituar nga çdo individ. Sa më shumë qytetarë të arsimuar, të kulturuar, jashtë influencave politike, aq më pranë dhe më shpejt do të integrohet kombi. Shpopullimi i trojve nga rinia, nga intelektualët dhe specialistët, po e mpak, po e plak dhe po e varfëron Kombin. Politikanët, mediat dhe intelektualët cinik mendjelehtë apo mëndjellinjë, po bastardojnë gjuhën e bukur shqipe. Sikur shqiptarët smirën , urrejtjen, mllefin dhe hakmarrjen që kanë me njëri -tjetrin, ta kishin përdorur ndqaj të huajve, sot kombi ynë do shtrihej nga Kaspiku e Dardanelet e deri në Tieste e Danub, në këtotreva doflitej vetëm shqip. Pseudohistorianët e shitur po mohojnë historinë reale, duke rritur vlerat historike dhe gjuhësore të Greqisë apo Serbisë. Përgjegjësinë për këto tipare që e çojnë kombin në regres e mban politika dhe veçanërisht bukëshkalura Akademi e Shkencave. Historia reale e Shqipërisë duhet të rrëfejë me vërtetësi faktet arkeologjike dhe dorëshkrimet e studiuesve të huaj qysh nga antikiteti e në vazhdim, të cilët e kanë parë realisht lashtësinë e gjuhës shqipe dhe autoktoninë e Shqipërisë, bazuar në realitetin e të dhënave shkencore.
Duhet një ballafaqim ndërkombëtar i së vërtetës historike shqiptare (me shkrime dhe artefakte shkencore) përballë pretendimeve greke dhe serbe, të cilët janë hajdutë të historisë së vendit tonë.
GM: Sipas jush, cilat janë arsyet kryesore që pengojnë bashkimin e plotë midis Shqipërisë dhe Kosovës? A mendoni se në të ardhmen shqiptarët duhet të punojnë për një formë bashkimi kombëtar, qoftë të plotë apo të pjesshëm?
VVH: Të gjitha përgjigjet e pyetjeve janë dhënë më sipër. Pushtimet e huaja kanë sjellë ndarjen e Shqipërisë Londineze me trojet etnike, ku secili prej tyre ka parë interesin e vet në bashkëpunim me të huajt. Diktatori Enver Hoxha në krye të tufës së egërsirave si “Peshkaqeni Baba” që s’ngopej me gjak, u bë urë e vig për grekët, qysh me marrëveshjen që bëri me ta në vitin 1943, kur tradhtoi Batalionin “Çamëria”, me themelues e drejtues Haki Rushitin. Ai e quante “Shqipëria e Jashtme”dhe porositi, se nuk duhej ta mësonte askush marrëveshshjen e tij me grekët, pra e veçonte Çamërinë nga trojet amtare. Shqipëria me Partinë Komuniste u bë leva e Jugosllavisë, kurse trashëgimtarët tani i shërbejnë Serbisë,me “Open Balcan” duke i krijuar lehtësira për daljen e Serbisë në detin Adriatik. Kjo tregon se fajin kryesor e ka patur politika e të dy palëve. Nga njëra anë, shitja e Kosovës nga Diktatori më 1946 dhe nga ana tjetër dhënia e disa të drejtave dardanëve nga Titua, si moscënimi i pronës private, lëvizja e lirë e banorëve, pajisja me pasaportë evropiane. Ata fituan lirinë e munguar duke u bërë qytetarë të të gjithë botës, por shpopulluan trojet amtare. Duke përjashtuar shqiptarët që nuk kanë funksion në pushtet, janë për bashkimin kombëtar, kurse politika nuk e ka pasur një synim të tillë për bashkimin e trojeve etnike. Demokracia si në Shqipëri e në Kosovë, është e brishtë, e pakonsoliduar, sepse pozita dhe opozita janë të luhatura dhe s’kanë hedhur rrënjë të thella në tokë. Proceset demokratike kanë avancuar më shpejt në Kosovë sesa në Shqipëri, megjithëse është në dekadën e katërt. Arsyeja është niveli i ulët i mirëqenies, mungesa e kulturës demokratike në të dy vendet dhe varfëria që solli diktatura komuniste.
Z. Gëzim, o bëhet bashkim total ose hiç! Bashkimi i pjesshëm është si gozhda e Nastradinit që qëndron e ngulur dhe tërë jetën do thuhet: “Kjo është pronë e Nastradinit”. Vetëm një shtyllë e ngulur në tokën dardane dhe Serbia do thotë: “Kjo është toka ime”,sepse varret janë pasaportë idetiteti kombëtar. S’ishte budalla Janullatosi që bleu tokë për varrin e tij në Durrës. Me qitje të largët ka realizuar pretendimet e shovinistëve grekë. Ai ka dokumentuar se vendlindja e tij është Durrësi. Jo shumë larg në kohë do të thonë se ky varr është dëshmi që “Durrësi është qytet grek”.Kush do ta kërkojë fajin apo të vërtetën?! Faji u bë qyrk e hodhën në rrugë dhe askush nuk e pranoi si të vetin. Përulja servile e E.Hoxhës ndaj Titos, i cili për një “Dekoratë të Popujve Jugosllavë” si këmbim ishte gati të shiste Kosovën dhe Shqipërinë, gjë që nuk e realizoi dot. Atë që s’bëri dot marrëveshja Tito-Enver, u arrit me “Ballkanin e Hapur” apo “Open Balcan”.Kush e bëri këtë gafë politike rajonale dhe kontinentale? Politika e mbrapsht, e korruptuar, e pangopur, e zhytur në llumë nga majat e flokut deri në thonjtë e këmbëve. Ne, shqiptarët brenda kufijëve londinezë, vetëm ajrin e ndotur kemi tonin, se uji, deti dhe çdo pëllëmbë toke është e shitur. Si mund të bashkëpunonin e të vëllazëroheshin shqiptarët në të dy anët e kufijëve, kur, nëse shkelnim kufijtë e njëri -tjetrit i priste plumbi apo burgu për të dy palët?! Ndaj kërkohen marrëdhënie më të ngushta ndërshtetërore, duhet një bashkëpunim afagjatë e i sinqertë, në politikë, ekonomi, kulturë e dilplomaci,mbi bazat e vëllazërimit të një race, të një gjaku, që flasin të njëjtën gjuhë të fillimit, me të njëjtat tradita dhe kulturë. Mjerisht ka shumë diferencime mes të dy palëve. Duhet kohë për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe shumë punë për të bërë që të arrihet i njëjti nivel zhvillimi. Bashkimi i trojeve etnike në një Komb të vetëm është domosdoshmëri, por i përket së ardhmes.
GM: Sipas mendimit tuaj, cilët janë personalitetet më të mëdha të kombit shqiptar dhe çfarë ndikimi kanë pasur ata në historinë dhe identitetin tonë kombëtar?
VVH: Personalitete të shquara janë ata atdhetarë që mohuan veten dhe shkrinë jetën bashkë me pasurinë për tokën që i lindi, duke u bërë simbol i krenarisë kombëtare. Janë elitat e mohuara nga diktatura, që u lanë në harresë, të varosur e të përbaltur. (vo:Elitat e Mouara…”-2018,Vivra). Emrat më të shquar të politikës janë:
*Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është figura më e ndritur në historinë e kombit shqiptar. Është cilësuar si shqiptari më i njohur në botë ndër shekuj. Ai ka vlerat e një prijësi ushtarak dhe strateg i shquar i mbrojtjes së interesave të popullit shqiptar. Jo vetëm se për 25 vite i zmbrapsi ushtritë osmane, por ai u bë fymëzim i shqiptarëve në luftën për liri. Me vlerë të veçantë është amaneti i tij para princërve shqiptarë në çastet e fundit të jetës. Porositë e tij janë aktuale për dje, sot dhe nesër…
*Ismail Bej Qemal Vlora, ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë më, 28 Nëntor,1912. Megjithëse kjo ishte një pavarësi e cunguar dhe kombi u nda në pesë shtete, pati rëndësi të veçantë, sepse për herë të parë në histori, e bëri Shqipërinë të njohur dhe faktor botëror si shtet më vehte. Formoi Qeverinë e Parë Shqiptare me gjithë institucionet shtetërore dhe lidhi marrëdhëniet diplomatike me shumë shtete.
*Ahmet Zogu, i vetshpallur mbret, pa ndonjë origjinë mbretërore. U mundua të ndërtonte një shtet të përparuar për kohën. Vazhdoi punën e qeverisë së Ismail Qemalit në disa fusha, në ekonomi ndërtoi 400 punishte apo fabrika të industrisë së lehtë dhe ushqimore, i dha prioritet arsimit, dërgoi mjaft të rinjë në universitetetet e Evropës. Hoqi ferexhenë për gratë. Paijisi gjithë banorët me pasaportë identiteti. Lejoi tregtinë me fqinjët, ngriti ushtrinë, xhandërmarinë, i dedikoi një kujdes shëndetësisë. Por kultura dhe horizonti i tij ishte i pamjaftueshëm, për të ndërtuar një shtet modern të kohës. Dëshirat dhe synimet e një mbreti kërkojnë mundësi dhe aftësi intelektuale, si dhe mbështetje të ndërkombëtarëve.
*Në diktaturën komuniste nuk dallohet ASKUSH për mirësinë e Kombit, sepse Shqipëria me çlirimin nga i huaji, hyri në burgjet e shfarosjes barbare. Diktatura, vrau fëmijërinë, rininë, ëndrrat dhe gjymtoi e sakatosi jetën e çdo shqiptari. Zhduku palcën dhe trurin e kombit që e mban atë në këmbë, intelektualët,që do të sillnin këtij vendi kulturën e integrimin kombëtar drejt mbrothësisë. U mohuan vlerat e vërteta intelektuale, duke ngritur në piedestal antivlerën. Në një vend ku mungon drejtësia dhe ligjin e bënë paraja, imoraliteti dhe rruga e ndyrë e korrupsionit, shkon drejt shkatërrimit. Zhvillimi i kombit nuk bëhet me reklamat farse që po shkatërrojnë rininë, as me shkatërrimin e traditës familjare, ku nëna dhe babai po zëvendësohen nga prindi -1- dhe prindi-2-, të të njëjtit seks.Kjo është shuarje e kombit. Shqipëria me PPSH kaloi në regres dhe me ekonominë në zero.
*Prof.dr. Sali Berisha, lider historik i Demokracisë, i prirur për të sjellë ndryshimin politiko -social e kultuor të vendit. Në krye të shqiptarëve bëri përmbysjen e diktaturës komuniste dhe u hodhën bazat për ndërtimin e një shteti pluralist. Veçse duhet të kemi të qartë se të gjitha partitë ishin gjella e dalë nga e njëjta tenxhere e komunizmit, e cila ishte e paprovuar më parë. Ishte e vështirë të zhukej përvoja gjysmëshekullore e një partie- shtet. Pas vitit 1990, periudha e qeverisjes së vendit me President Prof.dr.Sali Berisha me Qeverinë Meksi, ishin vite të arta. PDSH me të vërtetë hodhi bazat e një shteti demokratik, edhe pse kishte mangësi, por kishe se ku trokisje. Çdo derë ishte e hapur për qytetarin e thjeshtë. Berisha riktheu në punë intelektualët e mohuar nga Diktatura. Askush nuk e kupton se ç’prestigj fiton, kur të japin të drejtën e mohuar për tri apo katër dekada. Unë dhe ata si unë e dimë se sa lirisht merrnim frymë, kur na rikthyen në profesion. Ishte bukur, se mori një formë të re qeverisja e vendit, institucionet të çdo niveli, marrëdhëniet diplomatike, tregtare. Mori hov biznesi si me vendasit dhe me bisznesmenë të huaj, u rritën pagat, pensionet, u rindërtuan shkollat. Privatizimi i apartamenteve kundrejt një shume të papërfillshem ishte një frymëmarrje e lirie vetjake dhe ekonomike. A ka patur gabime? Sa të duash. Ishte mungesa e përvojës demokratike. Nuk duhej lejuar asnjë komunist të anëtarësohej në PD. Një përvojë e hidhur dhe e njohur e viteve ’30 të shek XX në Europë e SHBA, ishte ngritja e piradimave të fajdexhive, që nuk duhej lejuar. Atë situatë vëllavrasëse që krijoi revolucioni evgjito -fshatar i vitit 1997, ngjarja më e zezë historike që kaloi në vetvrasje politike të demokracisë sonë të brishtë. Shqiptarët kanë nevojë për bashkëpunim, vëllzërim dhe mirëkuptiim i të gjitha forcave politike, sepse njëri i bie gozhdës, tjetri patkojit. Kërkohet vetëm një mendje unikale e qetë dhe e matur e politikës shqiptare, për të bërë gjënë e duhur. Demokracia kërkon synime të qarta e të kthjellta si uji i burimeve dhe lugjeve tona.
GM: Cili do të ishte mesazhi juaj për shqiptarët në lidhje me zhvillimin e përgjithshëm të vendit, duke pasur parasysh sfidat dhe mundësitë në aspektin ekonomik, arsimor, kulturor dhe social? Si e shihni rolin e secilit individ në këtë proces dhe cilat do të ishin veprimet konkrete që do të ndihmonin në një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të shoqërisë shqiptare?
VVH: Kombi nuk më përket vetëm mua, apo ty, apo atij tjetrit. Kombi na përket neve, të gjithë shqiptarëve, ndaj duhet ta mbrojmë si sytë e ballit. Ne jemi bijtë e tij, po vallë a na nderon grindja,mllefi, smira, urrejtja, hakmarrja me njëri-tjetrin? Jemi të një race, të një geni, kemi një gjuhë, të njëjtat tradita dhe jetojmë në tokën e të parëve tanë pellazgë-ilirë e dardanë. Si mund të na bëjë zemra të ngrehim dorën apo shpatën kundër motrës dhe vëllait të një gjaku?! Kjo është vetvrasja kombëtare që na diktoi koha e egër, i huaji dhe ndërgjegjja jonë e sëmurë.
Shqiptarë, i thërrisni mendjes sa s’është vonë! Ty, të pozitës dhe ty të opozitës, ju ftoj e ju them:”Zgjatma dorën të ecim bashkë!”
Dëshira ime dhe e çdo qytetari që e quan veten “SHQIPTAR”është bashkimi i kombit tonë të cunguar e të tjetërsuar. Duke qenë të bashkuar, të mblidhen njerëzit e mendjes, të intelektit dhe të shkencës, pa smirë, por me një synim të vetëm për të ndërtuar një Shqipëri të re, të reformuar politikisht, ndërgjegjësisht dhe ngitjen e shtetit demokratik, të së drejtës ligjore, ku shtetasit të jenë të barabartë mes të barabartëve. Kemi nevojë për rritjen e nivelit kulturor kombëtar, rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe nga inteligjenca të dalin njerëzit e shquar të çdo fushe. Do të jenë ata që do të qeverisin kombin tonë që ka bukuri dhe pasuri përrallore. Të kesh të gjitha resurset që na i dhuron toka jonë e pasur si mbitokë e nëntokë dhe t’i shtrish dorën si lypsar të huajit, është turp dhe krim ndaj vetes. Ka ardhur koha të zhduket kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës. Duhet të vazhdojnë kërkesat për riatdhesimin e Çamërisë. Modeli më i mirë i njerëzve të shquar që i nxori koha dhe nevoja, është historia jonë që nga antikiteti. Ky truall autokton ka lindur burra dhe gra shteti si, mbretrit ilirë, Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Bardhyli, Bato -1- dhe Bato -2 i Dardanisë, Pleurati, Skerdilaidi, Agroni, Teuta, Genti, që u flijua për bashkimin e fiseve Ilire, Epirote, Maqedone, Dardane dhe dalmate. Për të mos i cënuar këto fise autoktone, Mbreti Gent shkoi të bisedonte me krerët romakë. Por ata e shkelën në besë. E arrestuan dhe e çuan në internim në Gubio të Peruxhias (Itali) ku ka varrin dhe thesarin e tij.Vetëm kur dy shtetet shqiptare të bashkohen ne do t’i tregojmë botës se cilët jemi në të vërtetë. Mos të përsërisim gabimet e shekujve.Duhet të mbajmë kryet lart me krenari se jemi populli më i lashtë, autokton që jeton në këto troje qysh me lindjen e jetës dhe flasim gjuhën e fillimit të njerëzimit. Jemi krenar se raca jonë ka qenë shtetformuese e kombeve të Evropës dhe u dha elementet e para të një prej 5 gjuhëve më të vjetra që i mbijetoi asimilimit, siç ndodhi me gjuhët e tjera të lashta. Kemi një gjuhë, e cila flitet qysh nga pellazgët. /Marrë nga “Zemra Shqiptare”/