Lideri i opozitës, Sali Berisha ka vijuar akuzat kundër qeverisë dhe procesit zgjedhor të 11 majit 2025, duke e quajtur atë një “farsë zgjedhore”.
Në fjalën e tij gjatë konferencës për media, ai theksoi se kjo farsë nuk mund të justifikohet dhe nuk mund të pranoheshin si të vërteta rezultatet e zgjedhjeve.
Berisha e ka quajtur këtë farsë një “krim zgjedhor” dhe ka bërë një krahasim të fortë duke thënë se ky krim zgjedhor është një krim kushtetues qeveritar.
“Në Porto isha së bashku me Fatmir Mediun, anëtar i Delegacionit të Parlamentit tonë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe Albana Vokshin.
Mendoj se me ndërhyrjet e tyre, Mediu dhe Vokshi dhanë një kontribut me të vërtetë të qenësishëm në ndriçimin e të gjithë shëmtisë së farsës zgjedhore të 11 majit.
Pra në këto kushte ne zhvilluam një debat, jo vetëm me shqiptarët nëpërmjet medias, siç keni parë këtu çdo ditë. Unë kam paraqitur fakte, dokumente, por po kështu edhe me komunitetin ndërkombëtar.
Natyrisht farsa është farsë dhe nuk mund të pranohet kurrë. Por farsa është farsë e cila zgjidhet vetëm kur qytetarët shqiptarë të marrin në dorë fatin e votës së tyre.
Dhe këtu dua të shpreh qëndrimin tim; asnjë njeri nuk ka të drejtë të fajësojë qytetarët shqiptarë.
Duhet fajësuar për fajin që kanë narkodiktatori, narkopolicia, narkoskapi, narkogjykatat, që heshtin, mbështesin krimin zgjedhor.
Krimi zgjedhor është krim kushtetues qeveritar, dhe qytetarët në një terror nga një anë të bandave në pushtet, nga ana tjetër të bandave në terren ndaj dhe është detyrë e çdo shqiptari të kontribuojë që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë”, tha Berisha.