Tronditet bota e futbollit, humb jetën në aksident futbollisti i Liverpoolit

Bota e futbollit është tronditur sot. Ylli i Liverpoolit, Diogo Jota ka vdekur pas një aksidenti trafiku në provincën e Zamorës, njofton mediumi spanjoll “Marca”, përcjell “Gazeta Express”.

Aksidenti ndodhi në kilometrin e 65-të të autostradës A-52, pranë komunës së Palacios de Sanabria.

Futbollisti portugez, i cili ishte martuar vetëm pak ditë më parë, më saktësisht më 22 qershor, vdiq kur automjeti me të cilin udhëtonte me vëllain e tij, André, 26 vjeç, gjithashtu një futbollist profesionist në ekipin Penafiel, doli nga rruga, duke shkaktuar zjarr.

Sipas dëshmitarëve që telefonuan në numrin 112, makina u përfshi nga flakët, të cilat u përhapën edhe në bimësinë aty pranë.

Kush ishte Diego Jota?

Diogo Jota, 28 vjeç, ishte pjesë e Liverpoolit nga viti 2020 kur ishte transferuar nga Wolverhampton për 44,7 milionë euro.

Nga ajo kohë, me “Reds” i ka zhvilluar 182 ndeshje dhe i ka realizuar 65 gola, ndërsa i kishte bërë edhe 26 asistime.

Në këtë periudhë ai i kishte fituar tre trofe me “Të Kuqtë”: Një Premierligë (2024/25), një FA Cup (2021/22) dhe një Kupë të Ligës (2021/22).

Përfaqësuesi portugez e kishte një eksperiencë të shkurtër edhe në Atletico Madrid.

“Los Rojiblancos” e kishin transferuar atë nga Paços Ferreira në vitin 2016 për 7 milionë euro.

Kishte shënuar në një ndeshje miqësore kundër Crotones (0:2), por nuk kishte debutuar asnjëherë në një ndeshje zyrtare.

Në të njëjtën verë ishte huazuar në Porto.

Atje e kishte treguar veten për t’u shitur më pas në vitin 2018 për 14 milionë euro në Wolverhampton, prej nga më pas kishte shkuar në Liverpool.

About Redaksia

Check Also

Shqipëria, një hap larg Botërorit-2026

Shqipëria ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar kualifikimin …