Nga Petrit VASILI
Edi Rama është sot de facto Kryetari i vetëm i të gjithë Bashkive të vendit.
Reforma territoriale e 2015 u bë për të rritur eficiencën, për të ulur numrin e punonjësve dhe për të zhvilluar territorin.
Por sot Bashkitë janë thjesht institucione të degraduara të mbushura me patronazhistë totalisht të paaftë që shërbejnë vetëm për manipulime, kërcënime dhe blerje votash.
Dhjetëra Kryetarë Bashkie janë nën hetim per krime elektorale dhe korrupsion.
Rama ju rrëmbeu bashkive menaxhimin e ujësjellësave.
Ky centralizim e rrëmbim vazhdoi përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili do të prokurojë lëndët e para dhe materialet e ndërtimit që do të nevojiten nga bashkitë për rikonstruksionin e infrastrukturës së qyteteve.
Edi Rama, pas dhjetë vjet të reformës territoriale te vitit 2015 përfundimisht i falimentoi edhe financiarisht Bashkitë që drejtohen nga vetë kryetarët e rilindjes dhe i mori vetë në administrim.
Bashkitë e rrëmbyera nga Edi Rama u vodhën dhe plaçkitën nga korrupsioni dhe tani janë zhytur në borxhe që janë pasojë e vjedhjes pa fre të Qeverise në çdo drejtim.
Edi Rama i shndërroi Bashkitë në bordero, që vetëm paguajnë patronazhistë dhe nuk ofrojnë asnjë shërbim.
Pas dymbëdhjetë vjet qeverisje të Edi Ramës, në vend që Bashkitë të merrnin gjithnjë e më shumë kompetenca për t’u ofruar qytetarëve shërbimet sa më afër vendbanimit dhe sa më shpejt, ndodhi e kundërta, ato praktikisht asgjësohen përfundimisht si Pushtet Lokal.
Çdo ditë në këto dymbëdhjetë vjet të Edi Ramës është një dështim, një hall më shumë për njerëzit e thjeshtë dhe një ditë fitimesh dhe vjedhjesh për Qeverinë, oligarkinë, trafikantët dhe mafiozët.
Çdo gjë është e orientuar me një strategji shumë të qarte për të centralizuar gjithçka në një dorë për ti rrëmbyer vetë kumbullat dhe dardhat e korrupsionit.
Situatën aktuale në bashkitë e karakterizon largimi i çdo shërbimi dhe aksesi për qytetarët, që duhet ti kenë gjithmonë e më afër.
Ajo që na le pa fjalë është se kjo ndodh në një kohë kur gjithçka shkon drejt centralizmit ashtu siç ndodh në gjithë boten, ashtu siç synonte dhe reforma tashmë e vdekur e 2015 .
Premtimi i reformës së 2015 ishte kursimi i 100 milion euro përmes uljes së numrit të punonjësve!
Realiteti është i kundërt dhe dramatik, Pushtet Lokal, që shton mijëra punësime, shumë më shumë se para reformës se vitit 2015 kur ishin 19 625 të punësuar dhe sot që janë me shumë se dyfishi rreth 37 mijë vete dhe nuk administron dot as ujësjellësit e Bashkive të tyre.
Përfundimisht Shqipëria nuk ka pushtet lokal, por vetëm një kryetar për të gjithë bashkitë e vendit dhe ky është Edi Rama.