“Bankers”/ Berisha: Prokuroria mashtron paturpësisht, kompania ka paguar qindra milionë euro gjatë qeverisjes sonë, ne i vendosëm edhe rentën

Kryetari i PD, Sali Berisha, pas daljes nga SPAK, akuzoi Prokurorinë për mashtrim publik në lidhje me çështjen, “Bankers Petroleum”. Kreu i PD theksoi se gjatë qeverisjes së tij kompania ka paguar qindra milionë euro dhe është vendosur për herë të parë një rentë prej 10%, më e lartë se tatim fitimi.
Ai sqaroi se kontrata me Bankers ishte trashëguar nga një qeveri e mëhershme dhe përfshinte klauzola që e mbronin nga ndërhyrje të njëanshme. Sipas Berishës, kompania nuk e çoi çështjen në arbitrazh, por pranoi marrëveshjen për rentën si pjesë e një nisme të OKB.
“Çfarë mund të them unë për këtë?
Kontrata me Bankers Petrolium është e firmosur nga qeveria para qeverisë së PD.
Një kontratë për hidrokarburet, e cila ka një klauzolë, nenin 18 që e mbron kompaninë, nuk lejon që të bëhen lëvizje të saj pa miratimin e kompanisë.
Me gjithë këtë, qeveria e PD ka bërë më të jashtëzakonshmen, dhe më e jashtëzakonshmja ka qenë vendosja e rentës 10 përqind.
Vendosja e rentës 10 përqind është disa herë më shumë se tatim fitimi.
Renta vendoset mbi 10 përqind të shitjeve të përgjithshme dhe në raste të caktuara mund të arrihet në 50 përqind të fitimit.
E para kjo, se nuk kishte rentë.
Megjithatë t’ia njoh si meritë kompanisë që e pranoi si marrëveshje dhe nuk shkoi në arbitrazh sepse kishte një klauzolë.
Sepse renta u vendos në kuadrin e një nisme të OKB për industritë nxjerrëse.
Në atë kohë, Bankers ka qenë kompani joprivate, por publike e listuar në bursë.
A e ka paguar?
Po të garantoj që edhe më shumë, gjer në 200-250 milionë në vit gjatë kohës që kemi qenë ne në pushtet.
Jo vetëm kaq, por ka paguar me detyrim taksën e karbonit që e shtuam, ka paguar, e them këtu, në vlerësimin tim, në mënyrë të padrejtë, ka paguar taksën e holluesit, të cilin e paguante dy herë. Njëherë kur injektohej dhe pastaj kur nxirrej.
Po kryeministri nuk ishte ai që ishte sot dhe nuk i ndërhynte autoritetit tatimor.
Tani të lutëm shunë, emra mos përmend këtu se këtu kanë vlerë shifrat. Ato kanë paguar qindra milionë dhe ata që mohojnë këtë, meritojnë tjetër gjë.
Janë librat e tatimeve dhe nuk veprohet në këtë mënyrë se është banditizëm.
Ajo ka qenë kompani publike kanadeze e listuar në bursë dhe ka pranuar dhe ka paguar rentën.
Dhe renta e saj është e barabartë me 70 përqind të rentës të gjithë industrisë nxjerrëse në Shqipëri.
Ajo ka paguar 1500 familje me rroga fare të mira dhe me sigurime shoqërore.
Ajo ka paguar pagesën koncesionare që shkon në qindra milionë euro naftë për Albetrolin.
Se çfarë ka bërë pas largimit tonë, nuk di unë.
Por ata që duan të barazojnë, ata kanë interesa nga më të pistat në këtë aferë dhe ndaj sillen në këtë mënyrë.
Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë.
Ka pasur njëherë problem me taksën e karbonit, e kemi detyruar dhe e ka paguar.
Dhe një gjë, është e turpshme që për interesa mafioze të bëhen skupe mediatike.
Ju jeni gazetarë investigative, ju i keni tatimet e hapura, shkoni dhe merrni librat e tatimeve dhe shihni sa kanë paguar në mënyrë që të mos përdoret media si shpatë gjobëvënëse.
Prokuroria ka bërë një deklaratë, unë u them shqiptarëve se për periudhën 2006-2013, prokuroria ka mashtruar në mënyrën më të turpshme sepse kompania ka paguar qindra milionë euro në periudhën që unë flas.
Dhe ka paguar në atë periudhë 60-70 përqind të të gjithë rentës së industrive nxjerrëse në Shqipëri.
Por kur ka prokurorë gjobëvënës si ai, që mashtron publikisht, është tjetër punë.
Për periudhën tjetër, nuk di.
Pas vitit 2013, nuk kam asnjë të dhënë por nuk besoj që mund të arrinte gjer në atë shkallë sa disa ministra rresht të mos lejonin të paguanin asnjë qindarkë. Më duken përralla këto”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Banorja në Theth: Rama na tha kthejini djemtë nga emigracioni dhe ndërtoni! M’u thafshin duart për atë votë që dhashë!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka publikuar në Facebook një video ku një banore nga …