Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, këtë të enjte janë shkarkuar nga detyra të gjithë drejtuesit e policisë së Shkodrës, pas zbulimit të një morie ndërtimesh pa leje në Theth.
Është shkarkuar nga detyra Fatmir Lleshi, drejtor i policisë Shkodër dhe shefi i komisariatit, Nik Nikolla. Ky i fundit ka pasur më herët edhe një përplasje me një prej banorëve të Thethit gjatë protestës që kundërshtonin shembjen e ndërtimeve, ku banori i thotë në sy shefit të komisariatit të cilin e etiketon si “hajdut”.
“Ju jeni hajduta! Ju keni marrë lekë që i keni lejuar ndërtimet. Ti i pari ke marrë lekë dhe ke lejuar ndërtimet.”, i thotë banori Nik Nikollës.
Shefi i komisariatitnuk reagon por i përgjigjet duke i thënë që “t’i drejtohet Prokurorisë për këto akuza”. Më pas një prej efektivëve të policisë është afruar për ta shoqëruar protestuesin, por nuk ia ka dalë pasi banorët e tjerë janë bërë ‘gardh’ dhe e kanë penguar.
Ky aksion i Ramës ka shkaktuar reagime të shumta, me banorët e Thethit që kundërshtojnë prishjen e ndërtesave të tyre.