Ish-deputeti Ervin Salianji rikthehet në liri pas burgut politik. Gjatë bisedë në studio në Syri TV në ‘Çim Peka Live’, Salianji ka treguar se burgosja e tij nuk vjen për shkak se ka vjedhur apo i ka bërë dëm kujt, por sepse pas denoncimit të tij vëllai i ministrit të Brendshëm shkoi brenda ditës në burg.
“Unë kam fituar 600 gjyqe me këta. Shqiptarët e dinë të gjithë se unë nuk kam një akuzë dhe nuk kam bërë burg se i kam bërë dëm kujt. Nuk kam vjedhur, nuk kam vrarë, nuk i kam bërë dëm askujt. Pasoja e denoncimit tim ishte se një i dënuar nga gjykatat italiane për trafik ka shkuar në burg. Pra, pasoja ka qenë pozitive për shoqërinë. Unë mbroj interesin publik, jam deputet i një force opozitare dhe denoncimi im brenda ditës është faktuar. Ky ishte denoncim i faktuar brenda ditës”, tha Salianji.
Gjatë bisedës në studio, Ervin Salianji ka marrë emër për emër gjyqtarët që e kanë dënuar. Lidhje e tyre me zyrtarët e Partisë Socialiste dhe me krimin disa prej tyre, siç është rasti i kunatës së zëvendëskryeministres.
Biseda në studio
“I dimë, i kemi thënë edhe këtu tëk ti se si drejtues të lartë të policisë së shtetit paguanin njerëz për të dhënë dëshmi të rreme për mua, për të më burgosur mua. Unë sot jam me dëshminë e një shoku të Edi Ramës në burg. Një ordineri që paguhet nga ordinerë të tjerë të policisë së shtetit për të më burgosur dhe nga ana tjetër gjyqtarë dhe prokurorë, pra, si është ndërtuar sistemi, janë të gjithë ose funksionarë, ish-funksionarë ose njerëz të lidhur familjarisht me njerëz të Partisë Socialiste.
Të marrim gjyqtarët: Artan Gjermeni në Shkallën e Parë. Militant i PS, njeri i kauzuar dhe i kërkuar për t’u shkarkuar nga qeveria e Partisë Demokratike për shkak të lidhjeve me krimin në qeverisjen e 2005-ës, i shpëtuar nga Fatmir Xhafaj në atë kohë në ish-KLD. I kapur në përgjimet e prokurorisë së Torinos si ushtar i Enver Dondollakut dhe Aldo Bares. I kapur në një ngjarje tjetër, i plagosur dhe me para dhe e mbyllën çështjen sikur i kishte rënë qepeni i garazhit. Ky është personi i parë që ka marrë vendimin, sot i larguar, se e përdorën dhe e flakën edhe atë.
Vijmë tek personat e tjerë, në Gjykatën e Apelit, Gentian Shala, të cilit i kanë premtuar Gjykatën e Lartë në këmbim të dënimit tim. Person, ish-përfaqësues i Partisë Socialiste në KQZ. Familjarisht funksionar i lartë i regjimit, ndërkohë që motra sot nënkryetare bashkie, të tjerë nëpër dogana etj. Personi tjetër është kunata e zëvendëskryeministres. Iliba Bezate, e bënë Kryetare të Gjykatës së Apelit pasi dha vendimin. E dini çfarë thotë DSIK-ja për këtë zonjën? DSIK-ja është institucioni që çon të dhënat për këta, për kontaktet dhe thotë për këtë që është e papërshtatshme për të qenë gjyqtare për shkak të kontakteve të papërshtatshme, pra me krimin. Gjyqtarja tjetër me çështje për bashkëshortin në SPAK. Pra janë një grup kaq i vogël, njerëz të lidhur me Partinë Socialiste”.
Gazeta RD