Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të qartë se PD nuk do të ulet për të diskutuar për reformën territoriale me qeverinë e Edi Ramës, duke theksuar se ata nuk e njohin legjitimitetin e tij si kryeministër.
Berisha shtoi se Partia Demokratike nuk mund të pranojë të negociojë me një qeveri që ka arritur pushtetin përmes, siç e quajti ai, farsave elektorale.
“Partia Demokratike nuk njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk mund të pranojë të ulet me të.
PD nuk mund të pranojë legjitimitet karrigesh mbi farsa elektorale.
Ai nuk ka legjitimitet.
Reforma zgjedhore bëhet nga partitë politike. Unë nuk them se PS nuk është një parti e spektrit politik në Shqipëri.
Reformën zgjedhore e bëjnë partitë politike, nuk e bën qeveria.
Ai po, bëri gjithçka, e anuloi reformën që u arrit, vuri dorën e tij të zezë dhe arriti ato që deshi.
Por reforma zgjedhore është gjithnjë atribut i partive politike.
PS është faktor politik i pluralizmit politik në Shqipëri, nuk u përcaktojmë ne kush do zgjedhë kryetar ajo apo kush është kryetari i saj, kështu që me PS ne nuk mund të themi se nuk do ulemi për reformën elektorale.
Ka rekomandime dhe ne ato do i shqyrtojmë.
Por jo me qeverinë, me qeverinë nuk kemi asnjë punë.
Qeveria nuk ka legjitimitet në këto zgjedhje, ka humbur legjitimitetin”, tha Berisha.
