Drama që po ndodh në Theth! Malësori autokton shpallet i huaj në tokën e vet!

Nga Alba KEPI

Nuk kam qenë kurrë në Theth. Por ndjej se e njoh dramën që ndodh atje. Sepse jam nga Tirana – dhe e njëjta dramë ndodh çdo ditë në qytetin tim. Njerëz që përjashtohen nga vendi i tyre. Toka që nuk është më e jona. Kujtesa e prona që fshihen me një vendim ndërtimi, me një firmë pa emër.

Ndjej se po humbasim gjithçka: qytetin, fshatin, malin. Po humbasim vetveten.

Në Tiranë, qyteti ka humb. Lagjet ku njerëzit jetuan me breza zhduken brenda natës për t’u zëvendësuar nga kulla shtazê për nga forma dhe qëllimi. E quajnë “zhvillim”, por askush nuk pyet: për kë zhvillohet ky qytet? Kush përfiton?

Tiromsi autokton nuk ka më vend në pronën e të parëve.

Në Theth, banorët e hershëm përballen me një tjetër zhvendosje: ligjore, burokratike, por po aq brutale. Ligje për “prona pa pronar”, vendime që favorizojnë investitorë, projekte që ftojnë botën, por përjashtojnë njerëzit që i ruajtën ato troje me shekuj.

Malësori autokton shpallet i huaj në tokën e vet.

Këto nuk janë aksidente. Janë simptoma të një modeli shtetëror që nuk e njeh qytetarin si zot të vendit të vet. Një shtet që sillet si padron: i dhuron toka privatëve, i fal licenca klientëve, i trajton njerëzit si pengesë për “zhvillimin”. Në fakt, kemi një model ku fiton kush ka lidhje, dhe humb kush ka rrënjë.

Humbëm qytetin – sepse u shit për ndërtim.
Po humbim dhe naltësitë – sepse po shiten për turizëm.
Në mes mbetet një popull që nuk gjen më vend në asnjë gjeografi të vetën.

Dikur thonim “kjo është prona e jona”. Sot kemi frikë ta themi. Se mos na sulmojnë “nuk ke dokument”.

E mos na nxjerrin si të tepërt.

Por Shqipëria pa njerëzit që e banuan, që e ruajtën, që e deshën — nuk është më Shqipëri. Është një hapësirë me flamur, por pa atdhe.

A mund të ndryshojë kjo histori?

Po, vetëm nëse themi me zë të lartë:
Ky qytet është i yni. Këto male janë të tanët. Kjo tokë nuk është për shitje, është për jetë.

Sepse një popull që nuk mbron rrënjët e veta, është një popull që do ta shkulë historia.
Dhe ne nuk kemi më tokë tjetër ku të rrimë në këmbë.

About Redaksia

Check Also

Presidenca godet me shkresë Gjykatën Kushtetuese!

Nga Artan FUGA Të shpëtojë kush të mundet! Lexova në media se institucioni i Presidencës që …