Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri, i ftuar pasditen e sotme në Syri TV, në emisionin e moderuar nga Edvin Parruca, reagoi pas rrëzimit të kërkesës së PD nga Kolegji Zgjedhor, duke vënë në dyshim kompetencën e gjyqtarëve që e shqyrtuan çështjen.
Sipas Nurit, gjyqtarët e Kolegjit nuk e kanë ende të qartë se si funksionon procesi zgjedhor dhe nuk zotërojnë njohuritë teknike të nevojshme për të vlerësuar situatat zgjedhore në mënyrë të saktë.
Ai shtoi se ka konstatuar që edhe vetë gjykata nuk i ka të qarta dispozitat e caktuara, as strukturën e tërësishme të procesit.
Në të njëjtën kohë, ai përmendi se sot përfaqësuesja e KQZ-së ka pranuar publikisht se kishte një numër më të madh zarfash dhe materialesh zgjedhore të ardhura, të cilat nuk përputheshin me numrin e fletëve të votimit të diasporës, duke hedhur kështu dyshime për mbarëvajtjen e procesit.
“Gjyqtarët e Kolegjit nuk e kanë shumë të qartë se si funksionon procesi zgjedhor, nuk e kanë shumë të qartë detajet teknike.
Ka shumë detaje teknike procesi zgjedhor në Shqipëri, duhet të jesh me shumë eksperiencë, duhet të merresh me disa palë zgjedhje aq që të kuptosh mekanizmat dhe sesi funksionojnë gjërat në administrimin zgjedhor nga fillimi deri në fund.
Unë kam konstatuar se vetë gjykata nuk i ka shumë të qarta dispozitat e caktuara por dhe tërësinë.
Unë konstatoj se Kolegji Zgjedhor nuk është në lartësinë e duhur dhe parë në këtë këndvështrim unë kam përshtypjen se edhe roli i Kolegjit duket pak i cunguar pasi nuk e di sa në gjendje është një trup gjykuese të gjykojë çështje që vetë nuk kanë njohuri teknike – nuk do thosha njohuri juridike se to nuk i vëmë në dyshim – por që nuk kanë njohuri praktike dhe teknike sesi zhvillohet procesi zgjedhor.
Sot u pranua publikisht nga përfaqësuesja e KQZ se kishte një numër më të madh zarfash, materiale zgjedhore që kishin ardhur dhe që nuk përputhej numri me fletët e votimit të diasporës”, tha Nuri.