Nga Rexhep POLISI
48 vjet më parë u pushkatuan nga regjimi komunist dy poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka vetëm pse shkruanin poezi!
Edhe sot e kësaj dite ata që i çuan drejt plumbit dy poetët jo vetëm që nuk janë penduar, por mburren me këtë krim barbar. Asnjë ndjesë as nga ata që çuan drejt plumbit, as nga këta që janë pjella e tyre në pushtet!
Ata ikën nga kjo botë, por shndrisin në përjetësi si Poetë të Lirisë!
Vilsoni dhe Genci ishin kushërinj dhe lindën të dy në muajin Mars. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën edhe vrasjen tragjike në të njëjtën natë, u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977. Jeta e tyre u pre në mes nga plumbat vetëm pse kishin lindur poetë.
Pas ardhjes së Demokaricsë eshtrat e dy martirëve u gjetën dhe u ç’groposën nga vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi pas kërkimeve të vazhdueshme.
Në fakt përndjekja e tyre nga Sigurimi i Shtetit kishte nisur qyshse kishin lindur për shkak të prejardhjes familjare. Genc Leka ishte mësues, por për probleme të biografisë e çuan të punojë në ndërtim.
Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë francezë.
Blloshmët ishin një nga fiset më të njohur në hapsirat mbarëshqiptare Shqipërinë për shkak të kontributit në çështjen kombëtare dhe nacionaliste. Shumë emra të familjes Blloshmi kishin mbaruar studimet në SHBA, Austri, Stamboll e Fancë dhe kishin dhënë një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare.
Ishte përkushtimi dhe këmbëngulja e paepur e Bedri Blloshmit që bëri të mundur zbulimin e krijimeve poetike që i kishte zënë pluhuri në arkivat e Sigurimit të Shtetit, si dhe botimin e veprave të tyre dhe të disa librave të tjerë të shoqëruar edhe me faksimile dokumentash. Pa kontributin e Bedriut, Vilsoni dhe Genci nuk do të njiheshin kurrë si poetë.
Diktatura komuniste i groposi, por dy poetët shkruan pavdeksinë e tyre me poezitë brilante. Poezia “Saharja” e Vilson Blloshmit dhe “Oxhaku” i Genc Lekës, por edhe mjaft poezi të tjera të tyre, janë poezi me vlera artistike të jashtëzakonshme, por faktkeqësisht këto krijime nuk janë futur në tekstet shkollore. Mesa duket edhe regjimi i sotëm nuk i honeps dot këta poetë.
Gjatë qeverisë demokratike dy poetët u përjetësuan në një memorial në qytetin e Librazhdit, një vepër arti me përmasa botërore punuar nga skulptori i njohur, Sadik Spahija.