Nga Alba KEPI
Më 16 qershor 2025, COIMA SGR – një nga kompanitë më të mëdha italiane, Administratori i Përgjithshëm i së cilës është vënë nën hetim nga Prokuroria e Milanos, lider në sektorin e investimeve dhe menaxhimit të pasurive të paluajtshme – shpalli bashkëpunimin dhe hyrjen zyrtare të Eagle Hills, një kompani zhvillimi me qendër në Abu Dhabi, në tregun italian përmes bashkëfinancimit të projektit të rigjallërimit të Grand Hotel des Bains në Lido të Venecias. Ky të paraqitej si një sukses i modelit të partneriteteve publiko-private.
Por emri i Eagle Hills nuk është aspak i panjohur për Shqipërinë – përkundrazi, është bërë sinonim i një epoke të re të ndarjes së territoreve publike në zona kontrolli ekonomik nga kapitali i huaj, klientelizmi i qeverisë e oligarkia ndërtimore.
Eagle Hills, e drejtuar nga Mohamed Alabbar, ka fituar të drejtën për të zhvilluar një nga projektet më të mëdha urbane në historinë e Shqipërisë: ndërtimin e një porti gjigand turistik për superjahtet në Durrës. Kjo përfshin zhvendosjen e portit ekzistues tregtar dhe transformimin e një pjese të madhe të qytetit bregdetar në një zonë luksoze dhe private. Asnjë studim i detajuar ndikimi nuk është bërë publik. Nuk ka pasur debat publik. Dhe, deri më tani, nuk është sqaruar sesi janë dhënë koncesionet, me çfarë kriteresh, dhe kujt i përket realisht prona publike e bregdetit.
Këto pyetje bëhen akoma më urgjente në kontekstin e bashkëpunimit COIMA–Eagle Hills dhe faktit se CEO i COIMA, Manfredi Catella, ndodhet nën arrest shtëpie pas hetimeve nga Prokuroria e Milanos për korrupsion, ndikim të paligjshëm dhe spekulim ndërtimor. Këto hetime nuk janë çështje periferike – ato godasin pikërisht projektet e urbanizimit të avancuar dhe të dyshuar që kanë ndodhur në Milano, por që mund të jenë kthyer në model eksporti, përfshirë në Shqipëri.
Stefano Boeri – ndërmjet vizionit arkitekturor dhe skemës së ndikimit
Në këtë konfiguracion, qëndron një figurë e tretë kyçe: Stefano Boeri, arkitekt i njohur dhe bashkëpunëtor i hershëm i institucioneve shqiptare në projekte strategjike urbane. Firma e tij është në projekte transformuese për Tiranën e shfaqet dhe në Durrës aty ku Alabar ka fituar projektin strategjik nga qeveria shqiptare. Stefano Boeri dhe SON Architects kanë fituar konkursin e organizuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), për të rikualifikuar zonën e Amfiteatrit Romak në Durrës. Në bazë të këtij projekti është krijimi i një rrjeti shtegjesh urbane që lidhin këto zona historike me bregdetin dhe portin e Durrësit, aty ku po ndërton Alabari.
Boeri nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë – në fakt, ai ka një prani të strukturuar të biznesit në vend që prej vitit 2011, kur hapi zyrtarisht filialin “Stefano Boeri Architetti srl” në Tiranë. Kompania, e cila kontrollohet 80% nga vetë Boeri, dhe pjesa tjetër nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë Francesca Cesa Bianchi dhe Marco Giorgio, ka njohur një rritje të ndjeshme ekonomike në vitet 2017–2019.
Sipas të dhënave nga OpenCorporates dhe pasqyrat financiare:
2017: fitim neto ~ 16 milion lekë, xhiro vjetore ~ 305 milion lekë
2018: fitim neto ~ 27 milion lekë, xhiro ~ 449 milion lekë
2019: fitim neto ~ 12.6 milion lekë, xhiro ~ 559 milion lekë
Kjo rritje nuk është vetëm shprehje suksesi profesional, por një tregues i rolit të zgjeruar të Boerit në projektet strategjike të zhvillimit urban në Shqipëri – përfshirë planin “Tirana 2030”, kullat në Bllok, dhe së fundmi, projektin për transformimin e Anfiteatrit të Durrësit dhe zonës arkeologjike përreth në një park arkeologjik të integruar.
Këto shifra janë jashtëzakonisht të larta për një kompani të huaj arkitekturore në Shqipëri, sidomos duke pasur parasysh faktin që fitimet janë trefishuar për dy vjet dhe se në 2018–2019 kompania ka arkëtuar mbi 1 miliard lekë gjithsej. Ky është një tregues i rritjes së fuqishme të ndikimit të saj në zhvillimet urbane shqiptare.
Boeri nuk është më një nga arkitektët e huaj që operon në Shqipëri; ai është kthyer në një aktor dominues në transformimin e qyteteve dhe trashëgimisë kombëtare.
Kompania e Boerit, për shkak të emrit të vet, përdoret shpesh për të legjitimuar projekte politike që kanë pasiguri të larta juridike, sociale dhe ambientale.
Të dhënat e kompanisë “Stefano Boeri Architetti” në Shqipëri nuk janë vetëm tregues të suksesit të një studioje arkitekturore. Ato janë simptomë e një modeli politik e ekonomik, ku një emër i madh ndërkombëtar përdoret për të mbuluar projektet e mëdha urbane që realizohen jashtë kontrollit publik dhe shpesh në përputhje të dyshimtë me ligjin dhe interesin publik.
Në mungesë të auditimit të qartë, shpalljeve të hapura dhe kontrollit e debatit qytetar, çdo “sukses” ekonomik bëhet i dyshimtë, për shkak të kontekstit në të cilin ai realizohet.
Më 4 nëntor 2022 arkitekti italian hap kompaninë e tij shqiptare.
Kompania, zyrtarisht Stefano Boeri Architetti sh.p.k., u regjistrua më 4 nëntor 2022 në Tiranë si një formë e vlefshme juridike biznesi lokal në Shqipëri.
Pronar i vetëm është Stefano Boeri, i cili rezulton si administrator dhe aksioner 100% (sipas regjistrit të QKB/OpenCorporates).
Objekti i veprimtarisë përfshin: projektim arkitektonik dhe urbanistik, studime fizibiliteti, konsulencë tekniko‑ekonomike, ndërtim, menaxhim punimesh, si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë. Shoqëria mund të kryejë të gjithë transaksionet tregtare, industriale, të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, apo transaksionet financiare, që konsiderohen të nevojshme dhe të vlefshme nga organet drejtuese për arritjen e objektivave të shoqërisë.
Shoqëria mund gjithashtu të kryejë çdo transaksion financiar dhe, në lidhje me publikun, të përfitojë aksione në shoqëri të tjera që kanë një objekt të ngjashëm ose të njëjtë me të sajin, si edhe të japë kambiale, dorëzani, garanci për detyrime dhe borxhe, duke përfshirë ato te palëve të treta, me përjashtim të kryerjes ndaj publikut të cilido aktiviteti të konsideruar nga ligji si aktivitet financiar.
Deri më tani nuk janë publikuar bilance, xhiro, as fitime/vit në sistemet publike për vitin 2022 apo 2023. Nuk publikohen të dhëna financiare lidhur me kapitalin fillestar të investuar, burimet e të ardhurave apo kostot operacionale. Kjo krijon një vakuum informativ për aktivitetet e saj.
Nëse një kompani e re nuk deklaron asnjë projekt apo të ardhura, përballet me dyshime për ekzistencë vetëm juridike e jo operacionale reale – veçanërisht kur lidhet me zëra për projekte të mëdha në bashkëpunim me partnerë të njohur.
Mungesa e të dhënave financiare dhe të aktivitetit është një indikacion serioz që kërkon verifikim të aktivitetit të saj. Nëse është vetëm një vetëm-nën firmë, ajo shndërrohet në një instrument potencial për projektet e mëdhenj nga partnerë me kapital të huaj – ku rezultati mbetet i paqartë dhe pa kontroll.