Arrestohet vëllai i deputetit të PS, iu gjetën fishekë në banesë

Vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla, Denis Hasalla është shoqëruar në Komisariat pasi gjatë kontrollit në banesën e tij raportohet se i janë sekuestruar 30 fishekë.

Ky kontroll lidhet me aksionin e raportuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Elbasan në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit.

“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i: D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak”, njoftoi policia.

Në Elbasan, në orët e para të mëngjesit të sotëm janë zhvilluar kontrolle në 14 banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin në këtë qytet. Sipas informacioneve, kontrollet vijnë në kuadër të hetimeve që po kryhen në këtë incenerator për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Aksioni është ndërmarrë në kuadër të procedimit penal nr. 1417, i vitit 2024, i cili është regjistruar fillimisht për veprën penale të “zjarrvënies”, pasi fusha e mbetjeve urbane në Elbasan u përfshi nga flakët në vitin 2024. Mësohet se gjatë hetimeve të thelluara, Prokuroria ka evidentuar elementë të mundshëm të shpërdorimit të detyrës, gjë që ka zgjeruar natyrën dhe objektin e hetimeve. Momentatlisht nuk ka informacione nëse ka persona të ndaluar apo masa të tjera procedurale ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet vijojnë.

About Redaksia

Check Also

Skandali me mbushjen e 360 kutive me vota, Celibashi nuk e mohon

Në të gjithë korrespondencën mes PD dhe KQZ për zhdukjen e 360 kutive të votimit, …