Saranda “në luftë”/ Tritol, armë dhe plagojse, qyteti i Prodës bëhet i pajetueshëm

Saranda u  trondit sërish mesnatën e kaluar, ku një shpërthim me tritol zgjoi të alarmuar banorët dhe turistët. Nuk bëhej fjalë për një ngjarje kriminale të veçuar, por për krime që pasojnë njëra-tjetrën gjatë këtij muaji korrik, në mes të sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Shënjestër e sulmit ishte automjetit në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj 31 vjeç, të cilin e “hodhën në erë” me eksploziv. Jaçaj ishte shpallur në kërkim nga Policia vetëm 4 ditë më parë, pasi dyshohet si i përfshirë në përplasjen mes dy grupeve më 17 Korrik në lagjen numër 4 të Sarandës, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy të rinjtë nga Kamza, Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 24 vjeç.

Klaus Jaçaj akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar dy vëllezërit Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, si edhe Erjon Canaj, 36 vjeç, të cilët qëlluan 2 të rinjtë pas sherrit për pronën në bregdet.

Ngjarja ndodhi në mes të ditës dhe në sy të qindra pushuesve, teksa dy të rinjtë u dërguan me urgjencë në spitalin e Traumës. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe një çantë, brenda së cilës kishte edhe një armë, e cila dyshohet se i përkiste njërit prej të plagosurve. Autorët vijojnë të jenë ende në kërkim.

Ndërkohë, shpërthimi me tritol ka ndodhur në lagjen numër 3 të Sarandës, rreth orës 23:50 dhe nisur nga ngjarja e mësipërme, dyshohet për motive hakmarrje. Automjeti është përfshirë totalisht nga flakët dhe është shkrumbuar i gjithi. Po ashtu, dëmtime ka pësuar edhe banesa e Klaus Jaçajt.

“Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas”, – njoftoi Policia.

Por, këto nuk janë ngjarjet e vetme kriminale që po tronditin Sarandën në rreth dy javë, pasi në mes të sezonit turistik, persona të armatosur dhe në kërkim duket se po lëvizin lirshëm, teksa nuk kanë munguar as plagosjet e tjera apo sherret e përgjakshme.

Më konkretisht, më 8 Korrik, në kuadër të operacionit “Impact” u arrestua në Ksamil shtetasi kosovar Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Range Rover” që drejtonte ky shtetas, uniformat blu gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës, 1 armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me një krehër me fishekë.

Më 11 Korrik, Policia ndaloi rastësisht në rrugën “Butrinti” një automjet luksoz tip “Porsche Panamera”, brenda të cilit ndodheshin tre të rinj nga Kamza, një prej tyre i shpallur në kërkim. Më konkretisht shtetasit Endrit Doku (27 vjeç), Ervis Cukali (27 vjeç) dhe Imer Gega (21 vjeç). Endrit Doku ishte i armatosur me pistoletë, ku u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit bashkë me çantën ku kishte armën, por nuk ia doli dot, pasi u kap nga policia kufitare me skaf.

Ndërkohë Ervis Cukali, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, rezultonte në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”, teksa u arrestua edhe për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ai ishte arrestua më 28 shtator të vitit 2023, së bashku me Albi Mecinin dhe Arafat Manërkollin, pasi u kapën me një sasi prej 21 kg eksploziv dhe dyshohet se do të kryenin në atentat në Fier.

Më 19 Korrik, në Ksamil Albert Pashaj, pronari i “Euro Hotel” në Ksamil u dhunua me sende të forta (hunj) nga Agim Taraj (pronar i “Sunset Beach Bar”), Silvjan Sulku dhe Aldo Zeqiraj. Ngjarja ndodhi sërish në sy të qindra pushuesve, teksa pamjet me rrjedhjen e gjakut në fytyrë bënë xhiron e rrjetit.

Më 20 Korrik, në Sarandë u regjistruan të shtëna me armë zjarri në lagjen numër 4, në rrugën “Mitat Hoxha”. Ngjarja ndodhi sërish në sytë e qindra pushuesve, duke vënë në rrezik dhe jetën e tyre. Gjatë konflikti, i plagosur mbeti ish-efektivi i Policisë, Adil Veli, 56 vjeç, i cili sipas autoriteve është goditur me tytën e armës së zjarrit pistoletë.

Policia në komunikatën e parë për mediat e kishte me shumë rëndësi të thoshte se arma e zjarrit ishte shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, gjatë konflikti. Nuk dihet se si doli në këtë konkluzion Policia, kur nuk dha asnjë inicial të autirit/ëve, por tha se po punon për identifikimin e tyre. Më shumë la përshtypjen e një tentative për të mbrojtur autorin.

Inicialet e autorit të dyshuar, shtetasit E.G., 44 vjeç, banues në Sarandë, u publikuan vetëm një ditë më pas në media. Ai vijon të jetë ende në kërkim, teksa ngjarja bëhet më e rëndë, nisur nga fakti se armët e zjarrit u nxorrën dhe u krepën në mes vetëm për një sherr banal që dyshohet se nisi për fjalët “Pse më shikon ashtu”.

Pra, Saranda, në kulmin e sezonit turistik është bërë një qytet i pajetueshëm jo vetëm për turistët, por edhe për banorët, pasi po mbizotërohet nga ngjarjet kriminale. Ata kanë ngritur shqetësime për mediat, teksa hedhin akuza drejt forcave të Rendit. Ndërkohë, pushuesit po bëjnë gati valixhet për t’u larguar.

“Jam një turist në qytetin e Sarandës. Kemi rreth një javë në Sarandë me pushime dhe tani po bëjmë gati plaçkat të ikim se Saranda është bërë si Kabul. Në 4 ditë 2 goditje me armë me të plagosur, dhe shpërthim tritoli. Çfarë po bëhet kështu, ky shefi komisariatit duhet zëvendësuar me patjetër. E ka mendjen vetëm për të vënë gjoba bizneseve dhe asgjë tjetër. Policia nuk ekziston fare në qytet, u kalojnë makinat me xhirime te këmbët dhe nuk i ndalojnë pasi të tillë urdhër kanë marrë nga ai.”, – denoncon turisti për mediat.

Në krye të komisariatit të Policisë së Sarandës qëndron prej dhjetorit të kaluar Gëzim Bashllari, i cili duket se ka dështuar në mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë.  Fokusi i tij ka qenë vetëm tek vendosja e gjobave ndaj bizneseve pa lidhje me autoritetet, ndërkohë që dhuna vazhdon të shpërthejë në qytet dhe nuk duket se ka asnjë përgjigje të shpejtë nga policia.

Ndërkohë, vlen për t’u theksuar fakti se Sarandë është qyteti prej nga vjen Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe ish-kryepolici Ardi Veliu. Nisur nga ky fakt mund të ngrihen dyshime dhe se kriminaliteti në këtë qytet është rritur për shkak të lidhjes që mund të kenë personat me rrezikshmëri të lartë me kupolën drejtuese të organizatës së uniformave blu.

Pasi Saranda po tronditet nga armët dhe shpërthimet me tritol, Ilir Proda urdhëroi pas mesnatës së kaluar për të çuar forcat speciale RENEA në qytetin bregdetar, ku më shumë duket një “show” duke tentuar të japë përshtypjen se po vepron pas krimeve , se sa për aksion me qëllime konkrete, pasi deri më tani nuk është raportuar për asnjë të arrestuar.

Pra, gjatë këtij muaji Saranda është kthyer në skenë “kërcitje armësh”, shpërthime tritolësh, përplasjesh, grushtesh, gjakosjesh dhe arrestimesh, ku “të fortët” duket se bëjnë ligjin. Nëse situata vazhdon kështu, Saranda rrezikon të humbasë reputacionin e saj si një destinacion turistik dhe të kthehet në një qytet të pasigurt./Boldnews

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ne po dokumentojmë farsën elektorale, pastaj fjalën do e marrë populli opozitar!

Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë një konference shtypi iu përgjigj pyetjes së një gazetari …