Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur Erion Veliajn dhe kjo gjë u është komunikuar avokatëve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Burime për mediat bëjnë me dije se akuzat do t’i komunikohen zyrtarisht Erion Veliajt, ditën e nesërme, (e mërkurë, 23 Korrik), kur ai do të transportohet nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të SPAK në Tiranë. Po ashtu, ditën e nesërme pritet t’i komunikohen akuzat edhe bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës.
Avokatët e Erion Veliajt kanë reaguar pas lajmit se kryebashkiaku i Tiranës do të merret zyrtarisht si i pandehur nga SPAK.
Në një deklaratë publike, avokatët e tij denoncojnë se edhe për takimin e parashikuar për nesër me SPAK-un, mediat janë vënë në dijeni përpara vetë Veliaj, çka sipas tyre përbën një tjetër provë të manipulimit të opinionit publik dhe shkeljes së sekretit hetimor.
“Veliaj kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje dhe vijon të theksojë bindjen e tij se ndalimi i zgjatur, i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional është në dëm të rëndë jo vetëm të të drejtave të tij kushtetuese si qytetar i këtij vendi, por edhe në dëm të rëndë të qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur qeverisjen e qytetit dhe të vetë qytetit të Tiranës, që ka nevojën imediate të qeveriset nga kryetari i zgjedhur”, theksojnë avokatët.