Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, prej gati dy javësh po qëndron i shtruar në QSUT, pas një infeksioni në lëkurë që, sipas avokatëve të tij, është përhapur në trup dhe ka sjellë komplikime të brendshme. Kjo gjendje shëndetësore duket se ka qenë arsyeja për të ‘lënë pas’ qelinë në Durrës dhe për t’u sistemuar në një ambient më të butë, atë të pavijoneve spitalore në QSUT.
Fillimisht, Beqaj u paraqit për ndihmë në Spitalin e Durrësit, ku pas disa trajtimesh u rikthye në qeli. Por jo për shumë gjatë. Gjendja e tij, sipas mbrojtjes, u përkeqësua, dhe mjekët nuk arritën të identifikojnë qartë shkakun e infeksionit. Kështu, Beqaj u transferua në QSUT në Tiranë, ku ndodhet aktualisht nën trajtim.
Burime pranë mjekëve pohuan për gazetarin Fatjon Gjinaj, se sipërfaqja e infeksionit është përmirësuar, por ish-ministri vazhdon të ketë komplikime të brendshme, që kërkojnë monitorim të mëtejshëm.
Ndërkohë, këtë të mërkurë ishte planifikuar një seancë në GJKKO, për çështjen “SASPAC”, ku Beqaj përballet me akuza për abuzime me fondet publike në shëndetësi. Seanca u shty, pasi Beqaj nuk u paraqit në sallë me arsye të justifikuar mjekësore. Ai u përfaqësua nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj.
Kjo është një tjetër shtyrje në një proces që ka zgjatur me muaj, dhe ku tashmë shëndeti po bëhet faktor përcaktues në kalendarin gjyqësor.
Ndërkohë, si për ironi, nuk ‘zhbëjmë’ dot rastet e tjera të zyrtarëve të shtetit që janë ‘sëmurë’ në momentet e gjykimit, ndërsa edhe në këtë rast, qëndrimi i zgjatur i Beqajt në QSUT mund të jetë si një nga arsyet në vijim, për lirimin e tij nga qelia. Kjo për shkak, se sëmundja nuk mund të përballojë dot kushtet e burgut.