Nazmir BILANI
Ish-deputet i PS
“PS-në e gjeta si një bordello”, tha një ditë Rama me atë buzëqeshjen e tij përçmuese.
Po sot? Sot s’kemi më bordello – kemi komplet një rrjet ku ai vetë është pronari, rekrutuesi dhe klienti kryesor.
Shikoni ç’ndodh në partinë e tij të Rilindjes:
Shykriu, Gici, Peçi, Subashi… dhe këta janë vetëm ca emra të përmendur nga rastësia, jo ndonjë meritë.
Se poshtë në hallkat e shtetit, në bashki, drejtori, borde, agjenci – është plot me “emërime shërbimi”, jo me figura publike. Të emëruar për bindje, jo për dije. Për zell, jo për dinjitet.
Dikur e quajti PS-në bordello, por të paktën atëherë ishte hipokrizi. Sot është realitet.
Sot bordelloja është funksionale, me turne ditë e natë, dhe me qarkullim të garantuar: servilë, trafikantë, mediokër, mashtrues – të gjithë me vula partie dhe rrogë shteti.
Nuk ka mbetur asgjë nga PS-ja e dikurshme. Sot është një organizatë e degjeneruar ku Rama emëron nga krerët e partisë në rrethe deri te kapterët e bashkive – mjafton të përulen, t’i këndojnë lavde dhe të bëjnë “çfarë duhet” për karrigen.
Sot në këtë parti nuk hyn dot njeri me integritet, por hyn pa problem kush ka shërbyer, përkëdhelur, puthur… ku duhet.
Kjo nuk është thjesht shthurje politike. Është projekt i qëllimshëm. Një sistem i ndërtuar për t’u sunduar nga padroni dhe për t’u shërbyer nga një klasë e ulët në moral, por e gatshme për gjithçka.
Me pak fjalë, Rama nuk gjeti bordello – e bëri vetë, e mobiloi vetë, dhe tani e menaxhon vetë. PS-ja sot është veçse bordelloja e tij personale.