Deputetja e zonë Sarandë/ Delvinë, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me situatën alarmante të zjarreve që kanë përfshirë vendin, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë të theksuar përgjegjshmërie institucionale.
Në një prononcim për Politiko.al, ajo ka komentuar rastin konkret në Delvinë, ku zjarri i madh doli jashtë kontrollit dhe ndërhyrja nga ajri mungoi për orë të tëra.
Zhupa tha se çdo verë Shqipëria përballet me qindra vatra zjarri, të cilat në shumë raste dalin jashtë kontrollit për shkak të mungesës së ndërhyrjes në kohë dhe të mjeteve të duhura.
Pjesë nga intervista
Politiko: Znj. Zhupa, çdo verë Shqipëria përballet me qindra vatra zjarri që shpesh dalin jashtë kontrollit, si rasti konkret në Delvinë. Pse, sipas jush, vendi ynë ndodhet çdo vit në të njëjtën situatë emergjente, kur dihet që zjarret janë një rrezik i përsëritur?
Zhupa: Vera e nxehtë, herë si pasojë natyrore, herë e qëllimshme nga keqbërës, sjell gjithmonë situata emergjente me zjarret. Por problemi nuk është thjesht moti – është mënyra se si përballen institucionet tona me këtë realitet. Ka një keqmenaxhim total, i kombinuar me paaftësi dhe neglizhencë.
Rasti i Delvinës e tregoi qartë këtë dështim. Ndërhyrja ajrore mungoi për orë të tëra. Kishim një neglizhencë të tmerrshme që nga e enjtja kur nisi situata. Askush nuk dha një shpjegim të qartë pse rezervuarët e Palavlisë dhe të Kopacezës ishin bosh – pa ujë – duke e bërë të pamundur mbushjen e helikopterëve. Edhe gjendja e mjeteve zjarrfikëse ishte e mjerueshme, mungesa e uniformave dhe pajisjeve të duhura u pa kudo. Nuk mund të presim që zjarrfikësit të shkojnë në flakë me duar në xhepa.
Politiko: A ka dështuar qeveria në ndërtimin e një strukture serioze dhe funksionale për emergjencat civile?
Zhupa: Po, ka dështuar totalisht. E pamë në tërmetin e 2019-ës dhe e shohim çdo verë me zjarret. Emergjencat civile kërkojnë buxhet dhe vëmendje, sepse baza e menaxhimit është teknologjia: mjetet, helikopterët, zjarrfikëset, pajisjet, uniformat – asgjë prej këtyre nuk vjen vetë. Nuk mund të pretendojmë të përballojmë zjarre e katastrofa me duar dhe pa mjete.
Ka gjithashtu një mungesë alarmante përgjegjshmërie institucionale. Shpesh thirrjet për ndihmë mbeten pa përgjigje dhe përfundojmë me topin që hidhet nga një strukturë tek tjetra, derisa flakët të dalin jashtë kontrollit.
Thirrja ime është e qartë: të kemi përgjegjësi për jetën e qytetarëve. Të investohet urgjentisht në strukturat e emergjencës, si në kapacitetet materiale, ashtu edhe në trajnimin e burimeve njerëzore. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Çdo vit është një rrezik real për jetën dhe pronën e qytetarëve tanë.
Gazeta RD