Nga Franci NURI,
Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike
Hyrje
Rezultatet e votimeve të 11 majit 2025, të grabitura nëpërmjet farsës elektorale, i dhanë PS të paktën 83 ulëse në Kuvend (pa llogaritur ato të PSD-së). Me kaq vota në dorë për në shtator, Rama nuk priti vjeshtën, por shumë shpejt tregoi «kokën» si autokrat i pangopur. Pasi u mor ca ditë me shtëpizat e drurit në Theth apo tendat e lokaleve në Vlorë e Tiranë, si dhe design-in e gomisterive buzë rrugëve, pasi dha mendime mbi zgjidhjen e luftës në Ukrainë dhe konfliktet në «gjirin Persik», në kulmin e krizës mjedisore të zjarreve që po përpijnë pyjet dhe kullotat e Shqipërisë, Rama nxjerr Ministrin e Drejtësisë në vapën e korrikut për të prezantuar një nismë të re ligjore: Fjala qenka për Kodin e (Ri) Penal! Po po, kod të ri penal për Republikën e Shqipërisë.
Një draft i pa konsultuar me asnjë grup interesi të mirëfilltë, për të cilin nuk ka dijeni thuajse asnjë ligjvënës (Kuvendi prej marsit 2025 thuajse s’ka funksionuar fare), asnjë OJF apo organizatë të të drejtave të njeriut, pa pyetur avokatët, apo profesionistët e drejtësisë, ndonëse thuhet se drafti ka vite që zinte pluhur në sirtarët e Ministrisë apo Shkollës së Magjistraturës — në terr informativ dhe opacitet ekstrem ndaj këtij projektligji që duket si një Frankenstein. Themi Frankenstein si monstra e literaturës klasike, sepse drafti i ri ngjason pak edhe me Shqipërinë e sotme: kaotike, xhungël, arnime si rrobat e Arlekinit apo shëmtia e kullave të Sheshit Skënderbej, një mishmash, një patchwork, një ngatërresë e paparë e krijuar me copëza dispozitash ligjore të marra kuturru, të përkthyera keq nga modele ligjore me traditë britanike (Common Law), e cila, meqë ra fjala, s’ka kod penal fare! Pa asnjë lidhje me traditën juridike shqiptare, e cila është ndërtuar që në kohën e Mbretit Zog mbi bazë të Kodeve Napoleoneane, modelit italian dhe zviceran, edhe këto të fundit të frymëzuara nga Kodi Penal francez.
Një draftligj i cili është prezantuar më 24.07.2025 nga Ulsi Manja, për të zëvendësuar Kodin aktual Penal, i ndryshuar mbi 15 herë në këto 30 vite. Më poshtë është analiza ime juridike e dispozitave të këtij drafti, që nxjerr në pah një sërë problematikash serioze që jo vetëm bien ndesh me parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare të së drejtës penale, por edhe krijojnë hapësira për abuzim dhe arbitraritet.
Më poshtë gjeni të renditura 22 problematika dhe kritika ndaj këtij drafti, të grupuara sipas fushave që ato prekin:
I. LIRIA E SHPREHJES, PROTESTA DHE PËRFSHIRJA POLITIKE
1. Zgjerimi i paqartë i përkufizimit të “terrorizmit”
• Drafti përdor një gjuhë të gjerë që mund të përfshijë si akte me karakter terrorist edhe protesta apo qëndrime të forta kundërshtuese ndaj qeverisë, duke kriminalizuar potencialisht lirinë e fjalës dhe të tubimit.
2. Përkufizime të paqarta për “krimet kundër rendit kushtetues”
• Me përkufizime të paqarta, drafti lë hapësirë për të kriminalizuar opozitën dhe kritikë politikë, si dhe çdo akt kundërshtimi ndaj sistemit ekzistues.
3. Kriminalizimi i shprehjes së mendimit në rrjete sociale
• Futja e dispozitave për “përhapje dezinformacionesh” pa kritere objektive, rrezikon të kthehet në një mjet represiv për të ndëshkuar kritikët e pushtetit. Pas mbylljes së Tiktok dhe mbajtjes nën sundim indirekt të mbi 90% të mediave në vend, këto dispozita rrezikojnë lirinë e shprehjes nëse miratohen të tilla.
II. DREJTËSIA PENALE PËR TË MITUR DHE SHTRESAT VULNERABËL
4. Heqja e ndalimit të burgimit të përjetshëm për të mitur dhe gra
• Drafti përmbys një standard human që ka qenë pjesë e sistemit shqiptar për dekada. Ai lejon dënimin me burgim të përjetshëm për persona nën 18 vjeç dhe gra, duke shkelur parimin e rehabilitimit.
5. Eliminimi i uljes së dënimit për të mitur
• Parimi që dënimi për të miturit duhet të jetë gjysma e atij për të rriturit nuk përmendet më, duke i ekspozuar të miturit ndaj dënimeve të ashpra dhe joproporcionale.
6. Zgjerimi i masave “edukuese” pa vlerësim profesional
• Masat ndëshkuese ndaj të miturve nuk kushtëzohen më nga ekspertiza psikologjike apo sociale, duke lejuar arbitraritet institucional.
III. TË DREJTAT E TË DËNUARVE DHE MASAT E DËNIMIT
7. Kufizimi i mundësive për dënime alternative
• Drafti redukton ndjeshëm hapësirat për zëvendësimin e burgimit me dënime me gjobë, duke ndikuar negativisht mbi mbingarkesën në burgje dhe rehabilitimin e të dënuarve.
8. Zgjerimi i konfiskimeve ndaj palëve të treta
• Drafti lejon konfiskimin e pasurisë edhe ndaj personave të tretë, pa lidhje të drejtpërdrejtë me veprën penale, një praktikë kjo që cenon rëndë të drejtën e pronës private.
9. Eliminimi i mekanizmave për “heqjen dorë” nga krimi
• Drafti e ngushton ose heq mundësinë që personi që heq dorë vullnetarisht nga kryerja e veprës të mos dënohet, duke minuar preventivën pozitive.
10. Përjashtimi i të dënuarve nga e drejta për “lirimin me kusht”
• Drafti ndalon përfundimisht lirimin me kusht për shumë kategori krimesh, edhe pse personi ka reflektuar apo rehabilituar, duke i kthyer dënimet në hakmarrje shtetërore.
11. Rreziku i lirimit nga burgu për të dënuarit me burgim të përjetshëm
• Në kontrast të plotë me ashpërsinë e pikave të tjera, drafti lejon lirimin nga burgu të personave të dënuar me burgim të përjetshëm, pa kriter të qartë, duke ngritur dyshime për favorizime të mundshme klienteliste apo korruptive.
IV. PARIMET THEMELORE TË SË DREJTËS PENALE
12. Retroaktivitet i mundshëm i ligjit penal të ri
• Drafti përfshin formulime që mund të përdoren për të zbatuar ligjin e ri penal në mënyrë retroaktive në kohë, në kundërshtim me parimin e mosveprimit pas në kohë të ligjit, si dhe të parimit “nullum crimen, nulla poena sine lege”.
13. Eliminimi i ndarjes mes konceptit të « krimit » dhe « kundërvajtjes »
• Bashkimi i këtyre dy kategorive ligjore cenon hierarkinë e së drejtës penale dhe rrit rrezikun që shkeljet administrative të penalizohen rëndë. Ju kujtohet burgu për parkimin dysh?
14. Zgjerimi i rrezikshëm i përgjegjësisë penale për persona juridikë
• Përfshirja e personave juridikë si subjekt penal pa procedurë të dedikuar do të çojë në ndëshkime të padrejta ndaj bizneseve apo OJQ-ve.
15. Rritja e dënimeve për “grup të strukturuar kriminal” pa prova organizimi
• Mjaftojnë tre persona për të konsideruar një grup si i strukturuar, pa kërkuar as organizim, hierarki apo qëllim të përbashkët penal, një shkelje e rëndë e parimit të legalitetit.
V. FUNKSIONIMI I SHTETIT DHE PËRGJEGJËSIA PUBLIKE
16. Reduktimi kritik i veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”
• Drafti i ri ngushton ndjeshëm përkufizimin dhe aplikueshmërinë e kësaj vepre penale, duke e bërë praktikisht të pamundur ndëshkimin penal të zyrtarëve që abuzojnë me detyrën, përveç rasteve flagrante. Kjo nënkupton de facto dekriminalizimin e korrupsionit administrativ të maskuar si “keqmenaxhim”.
17. Përgjegjësi penale edhe për zbatimin e urdhrave shtetërorë
• Subjektet penale mbahen përgjegjës edhe kur veprojnë nën urdhra hierarkikë, një kthesë e rrezikshme që nxit pasiguri juridike për nëpunësit shtetëror.
18. Zbatimi arbitrar i konceptit “gjendje e jashtëzakonshme”
• Gjykata ka diskrecion të pakufizuar për të përcaktuar se kur një veprim është i justifikuar për shkak të emergjencës, mungojnë standardet objektive për gjykim.
VI. PROBLEME NË KLASIFIKIMIN DHE TRAJTIMIN E VEPRAVE MODERNE
19. Mungesë e kapitujve të dedikuar për krimet kibernetike
• Drafti nuk njeh realitetin e rreziqeve teknologjike moderne, duke i trajtuar krimet kibernetike (internet etj) brenda kapitujve të përgjithshëm të krimeve financiarë.
20. Trajtimi si krime të rënda i veprave me pasoja të vogla
• Drafti i Kodit Penal nuk ka kufizime për proporcionalitetin në dënim dhe ndëshkon edhe rastet me dëme minimale në mënyrë të njëjtë me rastet flagrante.
21. Diskrecion i shtuar për organet e drejtësisë, mungesë kontrolli të balancuar
• Rritja e kompetencës së organeve hetimore dhe prokurorisë në vend të gjykatave në fazat vendimmarrëse krijon rrezik për shtypje institucionale.
22. Përjashtimi i ekspertëve nga vlerësimi ligjor e mjekësor i të akuzuarve
• Drafti minimizon rolin e ekspertëve në çështjet që përfshijnë probleme psikike ose mjekësore, duke e kaluar përgjegjësinë mbi strukturat ndëshkuese.
Në vend të përfundimit:
Drafti i Ri i Kodit Penal në tërësi nuk përbën aspak një përmirësim të sistemit penal në Shqipëri, por përkundrazi paraqet një kthim mbrapa në standardet e shtetit të së drejtës, duke çuar në rritje të autoritarizmit ligjor, për shkak të paqartësive dhe ngatërresave të koncepteve, si tentativë për penalizim të zërave opozitarë dhe kritikë ndaj regjimit, si dhe dobësim të mekanizmave të mbrojtjes së individit apo bizneseve përballë Partisë-Shtet.