Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se PD do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për denoncimet lidhur me abuzimet me votën e diasporës, dhe nëse nuk merren masa, do të çojë çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese është e kontrolluar dhe ka dhënë vendime që ai i konsideron të turpshme dhe antikushtetuese, duke përmendur gjithashtu se ajo ka legalizuar kërkesat që janë të papranueshme për shtetin ligjor.
“Pa diskutim do e çojmë, por vetëkuptohet, gjykata është totalisht e kontrolluar. Gjykata Kushtetuese.
Tani ne po e çuam atje, e çojmë për Strasburg.
Por të kesh besim tek gjykata që ç’të thuash, ka vendosur standarde të vërteta antikushtetuese në dy aspekte.
Aspekti i parë, ajo ka dhënë vendime që turpërojnë çdo njeri të lirë sepse të pranojë gjykata vendimet ekstraligjore të gjykatave…
E qartë, heqja e të drejtës për komunikim, është hequr ligji që lejonte këtë vendim dhe është hequr me kërkesë të Strasburgut dhe Gjykata Kushtetuese e përligj këtë kërkesë në mënyrën më të turpshme, më ekstraligjore.
Por Gjykata Kushtetuese gjithashtu është një shkallë, etapë për të kaluar çështjet në Strasburg.
Natyrisht kjo gjykatë ka problemin e madh se vendimet e saj kur nuk i pëlqejnë Edi Ramës, hidhen në kosh.
Dhe gjykata mjaftohet me disa deklarata superficiale, në vend që të bllokojë punën dhe të thotë se ose vendimi zbatohet ose ne nuk funksionojmë.
Por janë të kapur, e dini vetë ju, të mos hyjë në ato histori unë se nuk kanë fund, dhe sipas urdhrave të Edi Ramës, bëjnë tani… problemin kryesor e kanë të interpretojnë emërimin që presidenti i republikës e ka bërë për 8 vite.
Që me këtë akt, ajo gjykatë ndërmerr një hap vetëshkatërrues.
Prandaj edhe ne për hir të hierarkisë gjyqësore dhe gjykatës ndërkombëtare, të cilës do i drejtohemi për aspekte kushtetuese sepse jemi të angazhuar në mbrojtjen e votës, do kalojmë çdo fazë”, tha Berisha.
Gazeta RD