Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike, Franc Nuri ka dhënë një intervistë ekskluzive për SYRI.net, në lidhje me propozimin e fundit të qeverisë për të ndryshuar Kodin Penal, ku nuk ngelen pa prekur as të miturit nga këto ndryshime skandaloze.
Sipas Nurit, ‘Kodi Penal nuk është manual ndëshkimesh për të miturit’ dhe se në këtë kod, ka nene që fëmijët nën 18-vjeç i dënon deri në 20 vjet burg.
INTERVISTË ME FRANCI NURIN, Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike
“Kodi Penal nuk është manual ndëshkimesh për të miturit”
30 Korrik 2025
Syri.net: Z. Nuri, a përbën ky Draft një rrezik real për sistemin tonë ligjor penal?
Franci NURI: Pa asnjë dyshim që po. Me këtë draft po hidhet poshtë me një të rënë të lapsit jo vetëm Kodi Penal aktual, por edhe mbi 30 vjet punë, trajnim, jurisprudencë dhe praktikë gjyqësore në Shqipëri. Ky projekt përmban afro 900 nene, gati trefish më shumë se Kodi ekzistues, dhe në praktikë do të thotë se çdo gjyqtar, prokuror, avokat dhe punonjës i sistemit të drejtësisë duhet të nisë nga e para.
Por ajo që është edhe më shqetësuese, është pasiguria juridike që krijon: çdo nen, çdo frazë do të kërkojë përkthim praktik, interpretim dhe përshtatje. Do të ketë përplasje qasjesh, ndërprerje të vazhdimësisë juridike, dhe një tranzicion penal që kërcënon të kthehet në një periudhë arbitrariteti dhe dhune shtetërore të legalizuar. Ky është rreziku më i madh që i kanoset sistemit tonë të drejtësisë penale që nga vitet ’90.
Syri.net: Kryeprokurori i Republikës, z. Olsian Çela, deklaroi se ndryshimet në Kodin Penal nuk mund të bëhen pa konsultime, transparencë dhe pa rakordim me Kodin e Procedurës Penale. Si e vlerësoni këtë qëndrim?
Franci NURI: Gjykoj se është një qëndrim profesionalisht i drejtë dhe i guximshëm në kontekstin ku gjendet Shqipëria sot në 2025. Kryeprokurori shprehu një shqetësim institucional i cili qëndron. Nuk mund të ndryshohet një Kod Penal pa bashkërendim me Kodin e Procedurës Penale, apo me Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, sepse përndryshe do të kemi dispozita të pazbatueshme dhe konflikte të drejtpërdrejta ligjore. Ndryshimet e thella dhe të njëanshme janë eksperiment i rrezikshëm që po tentohet të bëhet në Shqipëri pas dështimit spektakolar të “reformës në drejtësi”.
Sot qytetarët shqiptarë nuk kanë gjyqtarë dhe gjykata që t’i dëgjojnë dhe gjykojnë hallet e tyre, sepse ende nuk mbulohen vendet vakante në gjykata me magjistratët e rinj, të cilët diplomohen, por rrinë e presin, nuk emërohen me prioritet, por pritet vjeshta që të “lirohen” vendet nga ustallarët e sistemit. Sot çdo shqiptar pret 4 vite mesatarisht për një gjyq në shkallë të parë dhe 7-8 vite kohë pritjeje në apel, pa llogaritur Gjykatën e Lartë. Sot shqiptarët i kanë shpresat nga Strasburgu për drejtësi, jo nga gjykatat tona. Burgjet janë plot e përplot me mbi 65% të paraburgosur, rekord absolut negativ në gjithë kontinentin. Këto shqetësime janë reale dhe urgjente, por asnjë zgjidhje nuk duket në horizont për to. Në vend të tyre, hidhet shashka e radhës me Kod të ri Penal. Nga çfarë do të tërheqë vëmendjen qeveria, shtrohet vallë pyetja?
Syri.net: Ju keni kritikuar ashpër qasjen ndaj të miturve në këtë Draft. Cilat janë problematikat kryesore në këtë drejtim?
Franci NURI: Ky draft nuk respekton standardet ndërkombëtare për drejtësinë ndaj të miturve. Ai vendos dënime drastike, deri në 20 vjet burg, për fëmijë nën 18 vjeç, madje edhe për disa krime me karakter jo të dhunshëm. Edhe pse përmenden “masa edukuese”, nuk ka strukturë mbështetëse, nuk ka psikologë, nuk ka plane të personalizuara rehabilitimi. Po për më tepër, një numër dispozitash janë “copy-paste” nga modelet e common laë, sidomos për bashkëpunimin me drejtësinë, që në Shqipëri nuk funksionon si “plea bargaining”.
Kemi të bëjmë me një Kod Penal të ndërtuar në frymë represive, jo rehabilituese. Ai nuk trajton fëmijën si subjekt që duhet ndihmuar, por si fajtor që duhet izoluar. Ky është thelbi i gabuar dhe shkatërrues i këtij ligji.
Syri.net: A është i qartë në këtë draft roli i prindit gjatë procedurave ndaj të miturve?
Franci NURI: Absolutisht jo. Në asnjë nen nuk përcaktohet detyrimi i gjykatës për të informuar, angazhuar dhe marrë pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor në çdo fazë të procesit penal. Kjo është shkelje e hapur e Konventës për të Drejtat e Fëmijës (neni 40) dhe e çdo standardi të BE-së. Nuk përmendet askund prania e prindit gjatë marrjes në pyetje, në seancat gjyqësore apo në zbatimin e masave rehabilituese. Në vendet e BE-së, si Franca apo Gjermania, prindërit janë aktorë të detyrueshëm të procesit, jo spektatorë.
Syri.net: Në rast se një fëmijë 14–16 vjeç nuk ndjek masën edukuese, çfarë ndodh sipas draftit?
Franci NURI: E thënë thjesht: fëmija kalohet në dënim penal, mundësisht edhe me burg. Neni 109 e parashikon hapur: nëse i mituri nuk respekton masën edukuese, ajo zëvendësohet me një masë më të ashpër. Nuk ka mekanizma mbështetës, nuk ka ndërhyrje psikologjike, nuk ka mentorim. Ky është një mekanizëm dënimor që lë çdo fëmijë të vetëm përballë sistemit penal. Është një formë regresive e drejtësisë, jo progresive.
Syri.net: Çfarë rreziku ka trajtimi i të rinjve 18–21 vjeç si të mitur në disa nene të draftit?
Franci NURI: Është një inkonsistencë logjike dhe juridike. Në disa nene, ata konsiderohen të rritur, në disa të tjerë si të mitur. Kjo krijon pasiguri juridike dhe e bën Kodin Penal të pambrojtshëm nga interpretimi arbitrar. Në Gjermani apo Francë, ka trajtim të diferencuar për moshën 18–21 vjeç, por në mënyrë të rregulluar, me kritere të qarta, jo siç është bërë këtu, me dispozita të shpërndara dhe kontradiktore.
Syri.net: Cili është roli i shërbimeve sociale dhe institucioneve rehabilituese në këtë Draft?
Franci NURI: Krejtësisht i munguar. Nuk përmendet askund një rrjet shërbimesh sociale, qendra komunitare, mbështetje për familjen ose psikologun shkollor. Masat edukuese që përmenden janë formale dhe abstrakte, pa asnjë strukturë zbatimi. Në Gjermani, për shembull, ekziston një platformë ligjore e detajuar për masa rehabilituese konkrete (Maßregeln). Ne kemi vetëm fjalë të thata në letër, pa zbatim praktik.
Gazeta RD