Një zyrtar i Komisionit Europian, kontakuar nga Report TV, tha se nëse Shqipëria nuk mbrojtjen e fondeve të taksapaguesve të BE, financimi për bujqësinë nuk do të hapet.
“Bashkimi Europian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Europian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigje.
Komisioni Europian shprehet se kjo çështje duhet parë me prioritet nga autoritetet shqiptare, që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, thotë KE.
Aktualisht KE thotë se është vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare që po bëhet një auditim për pagesat e IPARD II.
“Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Europian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Europian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm”, thotë KE.
Fondet IPARD për Shqipërinë u bllokuan verën e 2023-shit.
Komisioni Europian ndërpreu mbështetjen e bujqësisë shqiptare përmes fondeve të IPARD në gusht të 2023-shit për shkak se OLAF (Zyra Europiane Kundër Mashtrimit), gjeti keqpërdorime serioze me fondet e programit te mëparshëm IPARD II, pas hetimeve që ata bën pas denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike.
OLAF, zyra anti-korrupsion pranë Bashkimit Europian, shpjegoi se procedura edhënies së këtyre fondeve ka qenë abuzive. Aplikantëve i kërkohej që të paguanin një pjesë shumë të madhe të grantit që fitonin, tek një nga kompanitë e përzgjedhura të konsulencës, që më pas do të lehtësonte proceset me AZHBR-n, që menaxhonte fondet e IPARD. Konkursi për fituesit ishte i korruptuar ose tërësisht fals, kishte çmime të fryra dhe shkelje të rregullave.
Pas këtyre gjetjeve OLAF i rekomandoi BE-së, që të ngrijë financimin e dytë të IPARD II 33 milionë euro dhe financimin e IPARD III 112 mln euro.