Nga Lili SULA
Një artist pushohet nga puna për “arsye të mungesës së efikasitetit, efektivitetit, produktivitetit dhe cilësisë në punë” që ndryshe do të thotë për arsye të mosarsyes – një radhitje fjalësh boshe, sinonime të njëra-tjetrës, që nuk thonë asgjë, por përsëriten e rreken të rëndojnë pozitën që i kanë stisur aktorit S. Shkreli.
Shkëlqen injoranca kur marrëzia e pushtetit shkon në piedestal.
Çfarë mjerimi të përdorësh formulime kaq të dobëta për të mposhtur një kryezë opozitar të Shkodrës, Eliona Shkreli, bashkëshortja e aktorit.
Faik Konica i shquar për penën kritike, rreth 130 vite më parë shkruante te Albania se ‘’Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra’’ -kështu edhe motivimi për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të aktorit, një përjashtim që nuk flet për punën e tij, por për panikun që ka pushtuar ata që nuk e duan lirinë e mendimit në institucionet publike, ankthin që kanë për atë që nuk është i bindur, tmerrin që kanë për atë që nuk hesht por ngre zërin.
Është e ditur prej kohësh tashmë se klima e presioneve e shantazheve ku mendimi i lirë paguhet me vendin e punës është kthyer në normë në institucionet tona – dhe kjo ndodh tani në skenën e teatrit, pikërisht aty ku interpretohen role që denoncojnë marrëzitë e shekujve, po ndodh në tempull arti, që qysh prej antikiteti, ka qenë strehë argëtimi sa dhe qytetarie dhe reflektimi.
Për fat të keq, në teatrin Migjeni, farsa e realitetit njerëzor apo spektakli i jetës dhe rolet teatrore bien ndesh e shëmbëllejnë në të njëjtën pasqyrë loje; teatri i pushimit nga puna të aktorit është vetëm një skenë e realitetit teatror të përditshëm – një teatër brenda teatrit – ndërkallur me realitetin turistik përzhitësh prej shkrumbimit flakë e blozë nga veriu në jug, me fadromat që i nxjerrin themelet pronave nga Thethi në Sarandë, me shkarkimet kryerilindase të drejtuesve të pushtetit lokal, me planet 40 kateshe për Pallatin e Kongreseve dhe ofertat “cilësore” që të huajt të studiojnë në universitete tona, për të zëvendësuar të rinjtë shqiptarë që na i dëbuan. Për më tepër, po përgatitet një ligj i ri që ndalon komentimin e vendimeve të gjykatave dhe kufizon gazetarët nga publikimi i sekreteve hetimore, duke sulmuar drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe transparencën, krejt si neni 55 i Kodit penal të RPSSh. Këto masa janë shenja të qarta të një sundimi absolut autokrat e patokrat, që ka vënë në rrezik themelet e demokracisë.
Janë të famshme vargjet nga Gomari i Babatasit përmes të cilave Fishta kritikonte 100 vjet më parë autoritetin e verbër, vargje që rezonojnë sot me klimën e tensionit e të shantazhit ku mendimi i lirë shpërfillët e vritet, ku standardet bazike njerëzore e institucionale shkelen me këmbë në emër të interesave politike e personale – klimë trajtimi kjo më e rëndë se ajo e paraviteve ’90 të diktaturës.
Si është e mundur që në Teatrin Migjeni në Shqipëri, një institucion që duhet të jetë përfaqësim i kulturës, artit dhe ndërgjegjësimit shoqëror, po pushohen artistë pa arsye dhe pa u mbështetur në fakte e standarde institucionale? E gjithë kjo tregon mendësi primitive nga ana e institucioneve shtetërore dhe përçmimin (për të thënë më të paktën) e vlerës së vërtetë të artit dhe kulturës. Ashtu si në universitetet publike, ku duhet të mbizotërojë klima e dijes, argumentit dhe lirive akademike, mbizotëron një atmosferë shantazhesh, kurthesh dhe kërcënimesh, duke krijuar një ambient ku liria e mendimit, e diskutimit të hapur dhe e kërkimit shkencor është në rrezik serioz.
Këto institucione duhej të ishin tempuj të pacenueshëm të arsimit dhe të kulturës kombëtare; ato janë qendrat kryesore të edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezave të rinj, por gjithnjë e më shumë po shndërrohen në mure të ftohtë e cinikë të presionit dhe kontrollit.
Çfarë po ndodh me Shqipërinë? Ku po shkojmë? A do të lejojmë që drita e institucioneve të kulturës, arsimit dhe drejtësisë të shuhet përfundimisht dhe të drejtohet kah e kundërta: humbja e plotë e vlerave bazë të një shoqërie të lirë dhe demokratike, apo do të jemi zëri që i rikthen atë në shërbim të së mirës së përbashkët?
Gazeta RD