Edhe sa Kryetarë e nënkryetarë bashkie duhen për të zhdukur Tiranën?

Nga Alba KEPI

Bashkia po bëhet kopje e komitetit ekzekutiv të komunizmit e peng i interesave ekonomike.

Dorëheqja e komanduar e katër nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, ngre pyetje thelbësore:

Sa nënkryetarë “partie” duhen për të shkatërruar funksionimin dhe identitetin e një qyteti?

Sa mekanizma burokratikë dhe emërime të komanduara duhen për ta bërë Tiranën jo një kryeqytet pêr qytetarët, por një “komitet ekzekutiv” në stilin e së shkuarës?

Ashtu si në kohët e regjimit diktatorial, ku administrata ishte thjesht një komitet ekzekutiv i partisë, sot Tirana po përballet me një “ristrukturim” që synon të vendosë kontroll absolut mbi çdo nivel të qeverisjes lokale. Ky është një paralajmërim i qartë për rikthimin e modeleve të qeverisjes autokratike, ku vetë qytetarët dhe nevojat e tyre humbasin në hierarkinë e urdhrave politikë.

Dikur një komitet ekzekutiv merrte vendimet për jetën e miliona njerëzve, e sot Tirana po është viktimë e një sistemi që nuk njeh tjetër autoritet veç urdhrave politike nga lart.

Ky model i centralizimit dhe komandimit nga lart, ku çdo vendim është i diktuar nga selia qendrore e Partisë – Kryeministrì, nuk është një fenomen i rastit. Ai e përcjell në përmasa të reja mentalitetin e komiteteve ekzekutive të regjimit komunist, ku pushteti është central vendimarrjes së qytetit, central i interesave të monopoleve ekonomike e administrata një vegël për zbatimin e urdhrave.

Në komitetet ekzekutive të diktaturave, vendimet merren pa asnjë llogaridhënie ndaj qytetarëve, duke imponuar një rend autoritar dhe duke shtypur çdo formë autonomi.

Sot, Tirana po shkon në të njëjtin drejtim: emërimet e komanduar tregojnë se qyteti po bëhet një instrument i politikës qendrore qê ka nevojë e pêrdor qytetin pêr të forcuar pushtetin.

E në një shtet të korruptuar, pushteti mbahet në këmbë nga vetë korrupsioni. Ai bëhet shtylla që lidh interesat personale me institucionet publike, duke zëvendësuar ligjin me klientelizmin, drejtësinë me pazaret, dhe meritokracinë me besnikërinë ndaj klanit. Në vend të një sistemi që i shërben qytetarit, ndërtohet një sistem që i shërben vetes — ku çdo hallkë është e varur nga një tjetër për të ruajtur ekuilibrin e një rendi të kalbur.

Në një shtet të korruptuar, pushteti mbahet në këmbë nga një rrjet i gjerë kompromisesh të pista, që lidhin politikën me biznesin, gjyqësorin me oligarkinë, dhe shtetin me kriminalitetin.

Është çimentoja që mban në këmbë godinën e pushtetit e betoni e ushqen. Në një shtet të korruptuar, pushteti nuk mbahet nga ligji, por nga pazaret.

Zgjidhen njerëz të “besueshëm”, ndërsa retorika kundër korrupsionit kthehet në një ritual që fsheh thelbin e vërtetë të problemit.

Madje edhe qytetari vetë bëhet pjesë e pashmangshme e një loje të shtrembër. Ai korruptohet për të mbijetuar: për të marrë një vend pune, për të kaluar një hall, për të fituar një tender, për të mos paguar një gjobë. Korrupsioni nuk është më akt kriminal, por mekanizëm funksional. Është normaliteti i një shoqërie që ka harruar çfarë është drejtësia dhe ka pranuar pabarazinë si fat.

Pushteti që ndahet mes të “besuarve” nuk është pushtet që i shërben qytetarëve, por pushtet që riciklon vetveten. Mungesa e transparencës në përzgjedhje, pa një proces publik llogaridhënieje, tregon se nuk kemi të bëjmë me përforcimin e një rendi që kërkon më shumë kontroll, jo më shumë shërbim.

Tirana nuk ka nevojë për më shumë nënkryetarë, por për më shumë qartësi në drejtimin e qytetit, për një model administrimi ku pushteti nuk është karrige që shpërndahet.

About Redaksia

Check Also

“Rama në samitin e kokainës”!

Nga Basir ÇOLLAKU Edi Rama në Samitin e Kokainës në vitin 2019?! Zaret janë hedhur Luftë …