Bujar LESKAJ
Në 1 gusht 1912 viti filloi të botohej në Rumani gazeta “Atdheu”, organ i shoqërisë “Bashkimi’, që asokohe kryesohej nga Jani Mihal Lehova, i cili ishte njëherësh edhe kryeredaktori i saj, ndërsa drejtor përgjegjës qe Aleksandru Naum Çërrava.
Ishte e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore letrare, folklorike në gjuhën shqipe.
Programin e vet gazeta e shpaloste që në numrin e parë: “Do të punojë për të drejtat kombtare të Shqipërisë, pas Kostitucionit; do të predikojë bashkimin e shqiptarëve me ndjenjën kombtare; do përpiqet t’u shtjerë dhe ndërmend shqiptarëve të mërgimit, mos të harrojnë mëmëdhenë dhe të ndihin për përparim të kombit, ndër udhë politike, kulturore dhe ekonomike.”
Këtij orientimi gazeta iu përmbajt si në muajt e fundit të periudhës së Rilindjes (deri në shpalljen e Pavarësisë dolën 7 numra), ashtu edhe gjatë jetës në Pavarësi, sidomos deri në numrin e 35-të të saj.
Jeta e gazetës mund të ndahet në dy kohë:
Koha e parë qe periudha kur gazeta pasqyroi ngjarjet që çuan në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më tej zhvillimet në Shqipëri nën qeverinë e përkohshme të Ismail Qemal Vlorës.
Më tej, që nga numri 36, gazeta u transferua në Shqipëri dhe numri 37 doli në qarkullim në qytetin e Durrësit, por botimi bëhej në shtypshkronjën “Nikaj” të Shkodrës.
Koha e dytë e të përkohshmes “Atdheu” nis me shpalljen e Pavarësisë deri në fundin e janarit 1914, kur në Shqipëri bëheshin përgatitjet për ardhjen e pricit Vilhelm Vid në fronin Shqipërisë.
Gazeta “Atdheu” pasqyroi probelmet me të cilat u ndesh qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit, ndërkohë që një vëmendje e madhe iu kushtua bashkimkit politik të shqiptarëve.