Nga Vlora në Gjadër: Një shekull ndikimesh dhe heshtjesh diplomatike!

Nga Alba KEPI

105 vite nga Traktati i Tiranës

Ekziston një datë që në kujtesën historike shqiptare ka peshën e çlirimit dhe në diplomacinë italiane domethënien e një tërheqjeje të heshtur: 2 gusht 1920. Atë ditë, me Traktatin e Tiranës, Italia njohu zyrtarisht pavarësinë e Shqipërisë, duke u tërhequr nga Vlora. Ishte një akt që mbylli një faqe pushtimi dhe e shënoi Shqipërinë si shtet të lirë e sovran.

Sot, 2 gusht 2025, më shumë se një shekull më vonë, marrëdhënia Italo-Shqiptare rikthehet në qendër të vëmendjes. Jo me bajoneta, por me kampe pritjeje për emigrantë. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe të diskutueshme, që parashikon ndërtimin dhe menaxhimin nga Italia të dy qendrave në territorin shqiptar për migrantët. Objektet, në Gjader dhe Shëngjin, financohen dhe drejtohen nga autoritetet italiane.

Një shekull më parë, tërheqja nga Vlora ishte interpretim i respektit ndaj sovranitetit shqiptar. Sot, marrëveshja Rama–Meloni shihet nga shumë si një rikthim i formës së re të protektoratit, megjithëse e mbuluar me termin “bashkëpunim strategjik”. Italia, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, e zgjat përtej Adriatikut politikën e saj të parandalimit migrator, duke e zhvendosur përtej kufijve të saj detyrimin ligjor për trajtimin e kërkesave për azil.

Por, me çfarë kosto?
Nga kujtesa historike te paqartësitë e sotme!
Në 1920-n, rezistenca popullore shqiptare i detyroi trupat italiane të largoheshin nga Vlora. Traktati garantoi:
• njohjen e sovranitetit shqiptar,
• tërheqjen e plotë të ushtrisë italiane,
• heqjen dorë nga protektorati i shpallur në vitin 1917,
• ruajtjen vetëm të ishullit të Sazanit.

Në 2024–2025, marrëveshja Rama–Meloni:
• nuk u votua paraprakisht në asnjë parlament kombëtar para firmës në Romë më 6 nëntor 2023
• u kritikua nga organizata ndërkombëtare si UNHCR dhe nga Gjykata e Strasburgut,
• po perceptohet si një kompromis i rrezikshëm i sovranitetit shqiptar, i prezantuar si bashkëpunim miqësor.

Aty ku dikur festohej vetëvendosja, sot vihet në dyshim balanca e fuqisë mes dy vendeve.

Diplomaci apo varësi?

Shqipëria e Zogut, në vitin 1920, dilte nga një luftë dhe fitonte njohjen ndërkombëtare. Shqipëria e Ramës, në vitin 2025, paraqitet si tokë tranziti për krizën migratore evropiane, një laborator ligjor që përfiton nga ekspozimi, por humb kontrollin real mbi një pjesë të territorit të vet.

Kryeministri Rama e ka mbrojtur marrëveshjen si akt përgjegjësie rajonale. Por është legjitime të shtrohet pyetja:

Kush e paguan koston politike dhe morale?

Shoqëria civile shqiptare nuk u pyet. Mediat nuk kanë akses në kampet. Dhe Italia, që në 1920 largohej nga Vlora për të shmangur përplasjen, sot zhvendos përtej kufirit të saj përgjegjësinë për azilkërkuesit.

Traktati i vitit 1920 ishte fryt i një disfatë ushtarake, por edhe i një reflektimi të matur politik. Ai shënoi një fillim të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, mbi bazën e respektit të ndërsjellë.

Marrëveshja Rama–Meloni, e nënshkruar në kohë paqeje, rrezikon të krijojë një asimetrizëm të ri diplomatik. Jo me armë, por me ligje dhe ndihma të kushtëzuara. Në të dy rastet, në qendër është sovraniteti shqiptar: dikur për ta fituar, sot për ta ruajtur.

Nëse historia ka ndonjë mësim, ai është ky:
Ato që nënshkruhen sot me dyer të mbyllura, nesër do të gjykohen me dritën e ndërgjegjes historike.

About Redaksia

Check Also

“Rama në samitin e kokainës”!

Nga Basir ÇOLLAKU Edi Rama në Samitin e Kokainës në vitin 2019?! Zaret janë hedhur Luftë …