Rubio i shpall luftë ligjit të BE që nxit censurën dhe kufizon lirinë e shprehjes

Administrata e presidentit Donald Trump ka urdhëruar diplomatët amerikanë në Evropë të nisin një fushatë intensive lobimi kundër Aktit për Shërbimet Dixhitale të Bashkimit Evropian (DSA), i cili sipas Uashingtonit pengon lirinë e shprehjes dhe imponon kosto të mëdha ndaj kompanive teknologjike amerikane. Kjo del nga një kabllogram diplomatik i brendshëm, që është parë nga agjencia Reuters.

Kabllogrami i Departamentit të Shtetit, i datës 4 gusht dhe i nënshkruar nga Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, akuzon BE-në për kufizime të pajustifikuara ndaj lirisë së shprehjes, përmes përpjekjeve të saj për të luftuar gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe lajmet e rreme,duke theksuar se DSA i përforcon edhe më tej këto kufizime.

Ligji i BE-së për Shërbimet Dixhitale, i konsideruar një nga nismat më të rëndësishme rregullatore të dekadës së fundit, synon të bëjë mjedisin online më të sigurt dhe më të drejtë, duke i detyruar gjigantët e teknologjisë të luftojnë përmbajtjet e paligjshme, përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe materialet që përfshijnë abuzim seksual ndaj fëmijëve.

Por për administratën Trump, e cila ka bërë betejë qendrore luftën kundër “censurës së zërave konservatorë”, rregulloret e BE-së janë kthyer në pikë tensioni me aleatët evropianë. Në kabllogramin diplomatik, diplomatët amerikanë urdhërohen të angazhohen rregullisht me qeveritë dhe autoritetet digjitale të BE-së për të shprehur shqetësimet e Uashingtonit dhe për të ushtruar presion ndaj ndryshimit ose shfuqizimit të DSA-së apo ligjeve të ngjashme në nivel kombëtar që kufizojnë shprehjen online.

“Postet (ambasadat) duhet të fokusohen në ndërtimin e mbështetjes nga qeveritë mike dhe palët e tjera të interesuara për të shfuqizuar ose ndryshuar DSA-në”, thuhet në kabllogram, i cili jep edhe pika konkrete për diskutim dhe strategji për ndryshimin e ligjit.

As Departamenti Amerikan i Shtetit dhe as zyra e komisioneres së BE-së për teknologjinë, Henna Virkkunen, nuk kanë komentuar për këtë raport.

Zyrtarë të lartë të BE-së kanë mbrojtur ligjin, duke theksuar se ai nuk synon specifikisht kompanitë amerikane, por synon të mbrojë tregun digjital dhe të ruajë një ekuilibër mes sigurisë dhe lirisë së shprehjes. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, tha në mars se DSA dhe akti tjetër rregullator, DMA, “nuk janë pjesë e negociatave tregtare BE-SHBA”.

Ndërkohë, kjo fushatë për “mbrojtjen e lirisë së shprehjes amerikane” pritet të përshkallëzojë më tej tensionet transatlantike. Në shkurt, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance akuzoi publikisht liderët evropianë për censurim të zërave konservatorë si partia gjermane AfD, duke tronditur një konferencë që zakonisht njihet për mesazhet e unitetit ndëratlantik. Më pas, Vance u takua edhe me udhëheqës të AfD-së, parti që konsiderohet nga shërbimet gjermane të inteligjencës si ekstremiste.

Trump dhe aleatët e tij republikanë kanë akuzuar vazhdimisht administratën e mëparshme të presidentit demokrat Joe Biden për censurë ndaj platformave online, sidomos për përmbajtjet që lidhen me vaksinat dhe zgjedhjet. Megjithatë, Gjykata e Lartë e SHBA-së ka vendosur më herët se kontaktet e administratës Biden me kompanitë e rrjeteve sociale nuk përbëjnë shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane.

Në kabllogram, diplomatëve amerikanë u kërkohet gjithashtu të hetojnë çdo rast të mundshëm të censurës, përfshirë arrestime, gjyqe, sekuestrime pronash apo pezullime llogarish në internet, sidomos kur preken qytetarë apo kompani amerikane.

Në muajt e fundit, edhe krerët e kompanive teknologjike amerikane si Meta, Amazon dhe Google janë përfshirë në debat, duke e cilësuar DSA-në si një kërcënim për lirinë e platformave të tyre. Ndërkohë, CEO i Tesla dhe pronari i rrjetit X, Elon Musk, ka qenë një nga këshilltarët kryesorë të Trump për çështjet e teknologjisë, deri në momentin që marrëdhënia mes tyre u prish.

Rubio, në direktivën e tij, kritikon ashpër përkufizimin e përmbajtjes së paligjshme në DSA, duke kërkuar që ky përkufizim të ngushtohet për të shmangur ndërhyrjet në diskursin politik dhe fetar. Ai kërkon gjithashtu që BE-ja të tërhiqet nga Kodi i Sjelljes kundër Dezinformimit dhe të rishikohen masat ndëshkuese për kompanitë që nuk përputhen me rregullat.

About Krye Redaktor

Check Also

Kartela mjekësore e Trump

78 vjeç, merr vetëm dy ilaçe për kolesterolin, 62 rrahje zemre për minutë, i lumtur …