Bujar LESKAJ
Autokrati Edi Rama po e shndërron Shqipërinë në një regjim autoritar, duke përdorur shtetin si mjet të persekutimit të çdo forme të fjalës së lirë dhe të mendimit të pavarur. Akti i sotëm i rrethimit dhe bllokimit të Televizionit News24 është një goditje e rëndë dhe e papranueshme ndaj demokracisë, lirisë së shtypit dhe të drejtës për të shprehur mendimin lirisht. Ky është një atentat ndaj çdo qytetari shqiptar që kërkon të jetojë në një shoqëri të lirë dhe të drejtë, pa censurë dhe pa ndëshkime.
Me këto akte putiniste, Edi Rama po e shndërron Shqipërinë në një regjim të diktaturës mediatike, ku çdo tentativë për të mbrojtur fjalën e lirë dhe informimin e paanshëm shtypet me dhunë. Rrethimi i Televizionit News24 është një shembull flagrant i përndjekjes së medias, një akt që dëshmon se autokrati Rama po përdor pushtetin për të kontrolluar informacionin dhe për të heshtur çdo zë kritik, duke u bërë një inkuizitor i fjalës së lirë. Ky veprim, që shkel liritë themelore të qytetarëve, është një kërcënim direkt për demokracinë dhe të drejtat e çdo shqiptari që kërkon të jetojë në një shoqëri të lirë dhe të drejtë.
News24, një media e pavarur që ka 25 vjet histori profesionale, nuk është thjesht një televizion. Ajo është një simbol i fjalës së lirë, një shkëndijë e pavarësisë së medias në një kohë kur shumë të tjerë janë në duar të pushtetit. Ky rrethim dhe kërcënim ndaj News24 është një mesazh i qartë: kush flet kundër këtij regjimi të korruptuar, do të persekutohet dhe do të heshtet. Ky nuk është vetëm sulmi i tretë ndaj një media të pavarur gjatë 12 viteve të qeverisjes Rama, por është një sulm ndaj gjithsecilit që beson në një Shqipëri demokratike dhe të lirë, pa dorëza të pastra të shtetit të kapur.
Po, ky është një sulm ndaj çdo qytetari që kërkon një Shqipëri ku media të mos kontrollohet nga pushteti, ku gazetari të mos jetë një vegël për të mbrojtur interesat e një grushti njerëzish që kanë vjedhur çdo gjë. Ky është një mesazh i qartë nga ky regjimi: ata duan një media të heshtur, të kontrolluar, që të mos ketë guxim të sfidojë veprimet e tyre dhe t’i nxjerrë zbuluar.
Solidarizohem me çdo punonjës të News24 dhe gazetarët e drejtuesit e kompanisë “Focus media group”dhe me të gjitha mediat e lira që po përballen me kërcënime dhe sulme nga regjimi i Ramës. Ky është një moment vendimtar: a do të lejojmë që sekti Rama të uzurpojë gjithçka, duke shkatërruar gjithçka që kemi ndërtuar për të garantuar lirinë e fjalës dhe mendimit? A do të lejojmë që të zhduket çdo mundësi për të kundërshtuar padrejtësitë dhe korrupsionin që ka kapur shtetin?
Sulmi ndaj News24,gazetës Panorama e portalit Balkan Web , kompanisë mediatike “Focus Media Group “nuk është thjesht një sulm ndaj një televizioni a kompanie , por është një sulm ndaj të drejtës së çdo qytetari për të pasur informacion të lirë dhe të paanshëm. Ky është një kërcënim që duhet të ndalojmë tani. Nëse sot heshtim, nesër nuk do të mund të flasim më. Nuk ka asnjë formë pasigurie dhe errësimi më të madh për ndërgjegjen e një kombi, sesa goditja e qëllimshme mbi institucionet e fjalës së lirë dhe të medias. Këto goditje i relizojnë vetëm diktaturat e rregjimet autokratike si ky i Ramës.Kjo është një luftë që nuk duhet ti bishtnojme , por të luftojmë për lirinë e fjalés dhe demokracinë në Shqipëri.