Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e sotme në fshatin Xath të Fushë-Arrëzit, ku flakë gjigande kanë hyrë në brendësi të fshatit dhe po përparojnë drejt banesave.
Situata u vështirësua në mbrëmje, pasi era përhapi me shpejtësi flaket. Policia evakuoi banorët dhe bagëtitë nga fshati. Gjithashtu, është bllokua rruga Fushë Arrëz-Bajram Curri.
Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikëseve, Arben Cara, tha për mediat se aksioni vijon, por është e vështirë ndërhyrja nga toka për shkak të terrenit dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.
“Kemi të bëjmë me një situatë problematike në mbarë vendin. Këtu në fshatin Xath situata si pasojë e erërave ka dalë jashtë kontrolli. Policia ka kryer evakuimin e banorëve. Në këtë vatër kemi kërkuar dhe është e domosdoshme ndërhyrja nga ajri”, u shpreh ai.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Hilë Curri, është shprehur se banesat në fshatin Xath rrezikohen seriozisht nga flakët masive që po përhapen me shpejtësi.
Ai tha se pushteti qëndror deri tani është treguar indiferent ndaj thirrjeve të tij për të ndihmuar me ndërhyrje nga ajri me qëllim shuarjen e flakëve.
“Banorët i kemi evakuuar, nuk kemi probleme me banorët. Situatën e sheh vetë, shume e tmerrshme. Pa fjalë. Më janë përgjigjur të gjitha strukturat që kam marrë në telefon po nuk ka ndërhyrje. Vetëm me mjetet që kemi vetë dhe me bashkinë e Pukës. Situata është shumë e vështirë, Në fshatin Xath është shumë e vështirë. Shtëpiat janë në rrezik. Apeli për qeverinë është ndihmë nëse kanë mundësi. Ndërhyrja nga ajri është shumë i rëndësishëm. Kam marrë në telefon të gjithë drejtorët, ministrit i kam çuar mesazh që të ndërhyhet”, tha Curri.