Nga Ndriçim KULLA
Kreu i regjimit i dërgoi OSBE-së një letër shfaqëse para disa ditësh, duke i dhënë këshilla babai për rezultatin e raportit paraprak të këtij institucioni mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 11 majit. Është një nga ato “kërcimet e tij përpjetë”, kur shikon që pasqyra, në ekranin e saj, i kthen para syve fytyrën diktatoriale të pushtetit që ai drejton…
Një letër të përafërt i dërgoi para disa muajsh edhe kryetarit të PPU, z. Manfred Weber, kundrejt një rezolute të miratuar nga organizimi më i fuqishëm i partive të djathta europiane mbi gjendjen e demokracisë dhe lirisë politike në Shqipëri. Ka pasur edhe dhjetëra e dhjetëra raste të tjera, sidomos ndaj gazetave dhe televizioneve të ndryshme europiane me prestigj ndërkombëtar, kur kryeministri shqiptar, ose siç njihet ndryshe Kreu i Organizatës Kriminale, u është drejtuar me telefonata ose letra redaksive të tyre, në të njëjtën mënyrë siç u është drejtuar Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, SPAK-ut, kryetarit të Bashkisë së Vlorës apo çdo institucioni tjetër shtetëror të zgjedhur me votë në Shqipëri.
Kjo të kujton pa shumë ndryshim sjelljen tipike të diktatorit të Libisë, Moamer Gadafi, i cili iu përgjigjej me reagime brutale, sikur kishte sekretin e botës në dorë, institucioneve demokratike europiane ose kancelarive të shteteve perëndimore mbi reagimet e tyre për sjelljet terroriste të pushtetit të tij në arenën ndërkombëtare.
Kushdo, qytetar shqiptar, intelektual apo organizatë e pavarur, është i lirë që t’i shkruajë OSBE-së dhe ODIR-it mbi organizimin e zgjedhjeve të 11 majit ose mbi çdo provë zgjedhore. Dhe kjo, në fakt, edhe siç mund të ketë ndodhur, nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka ndihmuar për të reflektuar mbi gjykimin e rezultatit zgjedhor në Shqipëri.
Kushdo mund ta bënte këtë, por a mund ta bënte kaq lehtësisht kryeministri i Shqipërisë, i cili i bën opozitë gjykimit fillestar të OSBE-së mbi atë çfarë ka parë në këto zgjedhje?
Edhe pse nuk ka një ligj të shkruar dhe as mund të imagjinohet që të ketë një ligj të tillë, është etika politike, shtetërore dhe individuale, që e kufizon kategorikisht një veprim të tillë.
E ndalon, sepse kryeministri i Shqipërisë është drejtuesi që i organizon këto zgjedhje dhe, duke pasur përgjegjësinë shtetërore të mbarëvajtjes së tyre, ka konflikt të hapur interesi mbi gjykimin e tyre nga faktorët e mandatuar ndërkombëtarë.
Këto zgjedhje do të kujtohen në historinë e pluralizmit shqiptar, edhe më gjerë, për xhunglën e krimit elektoral. Ato u zhvilluan sipas kulturës politike të Gangsterit të Lulelakrës që ka sjellë dhe ka zhvilluar në politikë.
Është një kulturë politike që e kërkon hapur rezultatin e fitimit të zgjedhjeve te grabitja e tyre.
Besoj se është i njohur nga shumica rituali i tij, kur u kërkon hapur vartësve dhe patronazhistëve të tij numër të përcaktuar deputetësh dhe votuesish në formë urdhri për çdo qark.
E kush ka guxuar ta bëjë këtë në botën euroatlantike përveç një diktatori si Edi Rama?! Putini, Lukashenko dhe Maduro e kanë bërë, por sidoqoftë kanë qenë më të kamufluar.
Nuk është fare e vështirë për të dëshmuar dhe për të gjykuar se kush është Edi Rama, sidomos në historinë e zgjedhjeve politike apo çfarë traume që i ka shkaktuar ai rotacionit politik.
Në letrën që i përdoruri i fundit i tij në politikë i shkruan OSBE-së, fill pas një dite nga raporti paraprak i cili u bë publik, sipas vëzhguesve të tyre, ai u kërkonte diçka që nuk mund të gjendet kurrë. Absurdin. Balancimin e provave me gjykimin faktik.
A është e mundur kjo?! Është një kërkesë e çuditshme, që të kujton filozofinë sipas së cilës ka njerëz në këtë botë që kërkojnë të fshehin gënjeshtrën edhe kur e kanë të pamundur mundësinë.
Nuk kam ndërmend që të përmend asnjë rast nga kasapana e “shkencës elektorale” të zgjedhjeve të 11 majit, se e ka bërë opozita me fakte dhe po e vazhdon me prova përditë dhe këto prova të panumërta do ta bëjnë që të hidhet përpjetë nga lemeria raporti paraprak i OSBE-ODIHR-it të bërë publik një ditë pas zgjedhjeve, përballë gjithçkaje të konstatuar që është si një film i gjatë dhe i pafund në ekran.
Gangsteri i Trustit të Lulelakrës dëshmon edhe një herë kulturën e tij politike në letrën që i dërgon OSBE-së nëpërmjet sejmenit të tij të radhës.
Po a mbulohet dot kultura e tij e mashtrimit, arrogancës, dhunës dhe krimit që ai manifeston në çfarëdo çasti me sjelljen e tij politike? E pamundur. Krejtësisht e pamundur. Ajo ka gjurmë të thella, ku e zeza është shkruar mbi të bardhë.
Por unë këmbëngul se duhet gjetur medoemos një kronikë brilante me zë dhe figurë nga arkivat e televizioneve dhe do ishte mirë t’u çohet si ilustrim mbi letrën OSBE-së dhe ODIHR-it, për t’u kujtuar se ky që po u shkruan këtë letër është po ky që kërcënon votuesit hapur në këtë kronikë dhe është pikërisht Edi Rama.
Është një histori e tmerrshme, nga ato që Arturo Ui i vërtetë që ka shkruar këtë letër sot bën të paditurin, sikur nuk ia ka krijuar subkoshienca e tij dhe i përcjell OSBE-së imazhin e tij të gënjeshtrës.
E kam seriozisht, gjejeni atë kronikë dhe çojani si një provë OSBE-së, se është një metaforë spektakolare që jep një mesazh të jashtëzakonshëm.
Në mesin e fushatës së zgjedhjeve të pushtetit lokal dy vite më parë, Gangsteri i Lulelakrës, në një miting në Kamëz, i veshur si barbon sekti, në mos gabohem, diku në Bathore, i kërcënon hapur ata që kishte përpara, se duhej të votonin me patjetër për të. Se ndryshe…! Do vdisnin urie…
“Po qe se nuk do më votoni mua, do mbeteni pa para,” – iu drejtua hapur të mbledhurve kryeministri i vendit.
Dhe pa u shuar ende zëri i tij i çjerrë i kërcënimit, një hoxhë i frikësuar diku nga qarku i Librazhdit u bën thirrje besimtarëve të tij i panikosur, që të votonin Edi Ramën alias Arturo Ui-në.
Kjo është rruga e fitores së zgjedhjeve të Edi Ramës, shpesh sa komike aq edhe tragjike.
Ky është fakt real dhe ky fakt tragjik duhet përzgjedhur mes mijëra e mijëra provave të manipulimit.
Dikush mund të thotë se kjo kronikë i korespondon zgjedhjeve të pushtetit lokal. Po, por kjo është deviza e tij unike për të gjitha zgjedhjet, njësoj si në zgjedhjet e pushtetit qendror të 11 majit.
Brenda tij përfshihen ujku, dhelpra, hijena, çakalli, gjarpri dhe krimbi.
Tek letra që ai i drejton OSBE-së, mua më duket se lëviz krimbi.
Ai gjithmonë ka dashur që t’u kalojë të gjithëve nëpër shallë akrobacitë e tij.
A do të jetë e mundur gjithmonë?
Në çfarëdo relativiteti që përpiqen të krijojnë propaganda dhe tymi i tij diplomatik, brenda çarkut që i ka ngritur vetes – që nga sjellja arrogante në Parlament, ku ai i ka bërë m…tin edhe vetë karriges së tij dhe nuk gjen dot vend ku të ulet, tek zgjedhjet e grabitura, tek droga, krimi, vjedhjet dhe drejtësia e kapur, ku ai është padroni i gjithçkaje – tani ndodhet i mbërthyer si Arturo Ui në dramën e Bertolt Brecht-it.
Dhe çfarëdo manovre që të tentojë të bëjë, nuk mund t’i shpëtojë më gjykimit të kohës dhe të së vërtetës.