Po grabitësit e pronës në median News24, kush mund t’i ndalë?

Nga Agron GJEKMARKAJ

Prej katër ditësh shohim skena të pajustifikuara nga arsyeja! Mbyllja politike e gojës së televizionit të News 24, gazetave e portaleve “Panorama”, “BalkanWeb”, “Gazeta Shqiptare” dhe marrja e ambienteve të tij është një anë e medaljes me dy shëmti!

E dyta është ajo që prej katër ditësh konsumohet brenda tij, ku kamionë ushtarakë hyjnë, thyejnë, prishin, marrin e ngarkojnë teknikën, serverat, kujtesën, dosjet, investigimet e gazetarëve, kompjutera, rroba, grimëri, drita, dekore skenash, mikrofonë, të cilat si dëngje fluturojnë mbi karroceritë e ushtrisë!

Cili vendim gjykate e thotë këtë? Një media nuk është një stallë e boshatisur që aty po hyn e merr plehun!

Tani jemi në kushtet e flagrancës së shpërdorimit të pasurisë së subjektit e të gazetarëve, të sendeve të kompanisë mediatike e të objekteve private të gazetarëve!

Kjo ngjarje po dëshmon që shteti shqiptar nuk ka më institucione që garantojnë të drejta individuale e të drejta prone por vetem Edi Ramen dhe qeverine e tij vullneti i te cileve tejkalon çdo ligj te shkruar e çdo sensibilitet njerzor!

Kush po e inventarizon bazën materiale? Ku po dërgohet ajo? Kush po kujdeset? Aty janë miliona euro të investuara ndër vite!

Kështu si po veprohet, synohet jo vetëm hakmarrja sot, por edhe qëllimi që ajo të mos ringrihet nesër!

“News 24” është shpallur armik i qeverisë pa qenë armik i askujt, se jetojmë në këtë vend e jemi dëshmitarë se si këto media kanë pasur një politikë editoriale prej “amebe”, e hapur ndaj çdo fluks mendimi – majtas e djathtas, proqeveritar e proopozitar!

Tani ai po trajtohet si kulak, ku pos leçitjes po i merren edhe ato që nuk i përfshin vendimi politik – ato që kompania i ka blerë me paratë e veta, si dikur në 1945-46 “përbuzja popullore” rrëmbente pianot, librat nga shtëpitë e të përndjekurve e i hidhte mbi qerret e “proletariatit”!

Në fakt, këtë kompani mediatike dhe gazetarët e saj të shumtë e profesionistë nuk i ndihmon as krahasimi, as analiza, as mbështetja morale e secilit në shtëpinë e vet! Duhet një veprim konkret i institucioneve të drejtësisë, konkretisht i SPAK!

Do duhej një fjalë nga Ambasadoret që nuk humbin asnjehere rastin për të heshtur kur lirite e te drejtat tona vihen ne rrezik! Në cilin prej vendeve që ata perfaqesojnë një media e kesaj rendesie a jo trajtohet kesisoj?

Altin Dumani duhet ta konsiderojë detyrë patriotike hetimin e kësaj ngjarjeje, ndalimin me akte e hapa ligjorë në përputhje me Kushtetutën të këtij shkatërrimi, i cili i kushton Shqipërisë dhe shoqërisë së saj më shumë se çdo akt korruptiv i çdo politikani ndër vite!

Ky është inceneratori që djeg thelbin e demokracisë – fjalën e lirë! Ky është korrupsion dhe dhunë ndaj lirive të fituara në 35 vjet!

Se çfarë përfaqëson Haxhi Qamili, Kapterr Baba, Ardi Veliu apo Proda, në historinë tonë, këto janë fatalitete të antropologjisë kombëtare e nuk po merremi, se atyre fjala nuk u heq asnjë ashkël– as skuqen, as zverdhen; e kanë fytyrën si shollë këpucësh.

Por dikush duhet t’i ndalë – ndoshta SPAK, për të cilën kjo media ka harxhuar kaq solidaritet e shpresë që në ditet e para të lindjes së tij!

Ndryshe i bie se ata që thonë “i ka në xhep Kryeministri Rama” kanë të drejtë! Mosveprimi si në zgjedhjet e Majit, në pak kohë do ju shnderrojë në akademi juridike te PS me Kryetarin e komisionit të posaçem si Rektor, ose do t’ju vijnë kamionët edhe ju, në agun e një dite me shi, kur e gjithë shoqëria do jetë duke shijuar gjumin e frikës! E do ju thonë e kryet detyren ndaj Opozites nuk na duheni më, ndersa me mediat e zgjidhem vetë me heshtjen tuaj! Lexojeni kohen po mbeteni pa garant kushtetues! Ata po bien një e nga një edhe pse ne leter janë ënde të shkruar!

About Redaksia

Check Also

Situatë dramatike në Gramsh! Zjarri del nga kontrolli, banorët mbeten të bllokuar! Dyshohet për viktima

Në fshatin Kullollas dhe Bletës të Gramshit zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe po djeg …