Kryetari i PD, Sali Berisha, komentoi situatën e rëndë të zjarreve që ka përfshirë Shqipërinë, duke e quajtur përgjegjës kryesor për këtë katastrofë natyrore Kryeministrin Edi Rama dhe vjedhjet e tij.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se qeveria aktuale është një “narkoqeveri”, duke e akuzuar se nuk ka treguar asnjë preokupim për situatën emergjente të zjarreve që janë përhapur në të gjithë vendin.
“Qeveria është narkoqeveri. Këshilli i Sigurisë Kombëtare është narko, nuk ka preokupim qeveria për këto që ndodhi.
Edi Rama kalon nga kërcënim në një tjetër dhe unë absolutisht dënoj me forcën më të madhe, si një kriminel të shëmtuar atë që vë me qëllim zjarrin.
Por edhe zjarrvënia pa qëllim, kërkon që çdo qytetar, në çdo akt dhe në çdo hap të ketë parasysh që të mos krijojë, sepse është një natyrë e ndezur.
Kështu që në këtë kontekst, mbaj si përgjegjës kryesor të kësaj katastrofe, Edi Ramën, vjedhjet e tij.
Natyrisht temperaturat e larta janë terreni i kësaj që po ndodh dhe shpirti kriminal i individëve të caktuar që luajnë me zjarrin është ai që inicion, ndez zjarrin dhe ata meritojnë dënimin më të madh”, tha Berisha.
Gazeta RD