Në Gramsh, prej ditës së djeshme, zjarret kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë të zonës, duke shkaktuar një situatë shumë të rëndë dhe emergjente. Shumë fshatra të bashkisë Gramsh janë përfshirë nga flakët, të cilat kanë djegur hektarë të tërë pyjesh, ullishtash dhe vreshtash. Fatkeqësisht, raportohet edhe për humbje jete, ndërsa dhjetëra banorë janë detyruar të evakuohen për shkak të rrezikut të përhapjes së zjarreve dhe kërcënimit ndaj jetës dhe pronave të tyre.
Në këtë situatë alarmante, deputetët e Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti dhe Bledi Himçi, ndodhen në zonën e Gramshit për të parë nga afër situatën dhe për të dëgjuar shqetësimet e banorëve. Ata kritikojnë ashpër mungesën e reagimit dhe vonesën në ndërhyrjen e institucioneve shtetërore, duke theksuar se shteti nuk po ofron mbështetjen e nevojshme për të përballuar këtë katastrofë natyrore. Deputetët kërkojnë masa të menjëhershme për forcimin e kapaciteteve zjarrfikëse dhe ndihmë konkrete për të shpëtuar zonat e prekura dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Deputetët janë detyruar të largohen me urgjencë nga vendi ku po raportonin si pasojë e riaktivizimit të vatrave të zjarrit të cilat po rrezikojnë jetën e banorëve dhe të deputetëve. Himçi dhe Alizoti që po ndjekin nga afër zhvillimet e situatës.
Tomor Alizoti:
E gjithë zona është në flakë, tymi duket deri në Gramsh. Dje është parë edhe në Elbasan. Era e djegies ndihet edhe në këto zona është një ferr zjarri, përballë një ushtrie primitive. Ndërkohë që Shqipëria digjet, kryeministri ynë, me sy me ngjyrë, një ikonë mode, endet për të parë melaninën, për të udhëtuar në Londër, por në Gramsh nuk vjen. Ai nuk është kryeministri i Europës, por i Shqipërisë. Duhet të vijë këtu, tek këta njerëz që kanë humbur gjithçka. Zjarret që vazhdojnë nuk shuhen me thupra, as me ato mini-zjarrfikëset që na ka dhënë Europa duhet t’i kishte blerë vetë shteti.
Shteti për qytetarin është i rëndësishëm në këto momente, jo vetëm për t’ia nxirë jetën, për t’i prishur shtëpinë e biznesin. Duhet të jetë në këto zona ku flakët kanë përpirë gjithçka. Ka një javë që digjet Elbasani dhe askush nuk ka ardhur a është kryeministri me pushime?
Kjo është Shqipëria reale. E dini ju që vendi ynë, duke qenë një vend i nxehtë, duhej të kishte avionë zjarrfikës, ashtu si gjithë Ballkani? Bashkia duhet të jetë në terren. Shqiptarëve u them: reflektoni. Zëmërimi juaj duhet të kthehet në një kauzë për të shpëtuar Shqipërinë, sepse ajo po digjet. Kur vendi është në hall, nuk vjen askush. Kur vjen koha për dëme, vjen i gjithë pushteti. Këtu nuk merret frymë. Gramshi, që është larg, nuk merr frymë aq e rëndë është situata.
Situata është shumë e keqe, do të rrethohemi edhe ne nga flakët, po digjet gjithçka.
Bledi Himçi:
Situata është katastrofike. Është tmerr, apokaliptike. Kudo që të hedhësh sytë, çdo gjë është e djegur. Janë djegur hektarë të tërë pishash, ullishtesh, sipërfaqe të mëdha vreshtash. Janë djegur mbi 40 shtëpi në njësinë administrative Skënderbegas dhe flakët ende nuk janë vënë nën kontroll. Ka pafund vatra zjarri. Këtu ka mungesë ekzistenciale të shtetit.
E them këtë për shkak të neglizhencës. Pas bisedave me banorët, zjarri kishte nisur katër ditë më parë, të cilin ata kanë pretenduar ta vendosin nën kontroll me thupra dhe dhe. Por, për shkak të ndryshimeve klimatike, përhapja ka qenë masive dhe ka dalë jashtë kontrollit.
Ushtria po përpiqet të shuajë flakët me thupra. Janë vetëm tre zjarrfikëse, por zjarri nuk shuhet dot për shkak të terrenit të vështirë.
Gazeta RD